Jun 10, 2019

KUMTESË PËR SHTYP NGA BYROJA KOSOVARE E SIGURIMIT (BKS)

Banka Qëndrore e Republikës së Kosovës, përkatësisht Bordi Ekzekutiv i BQK-së, në përputhje të Nenit 36 dhe 67 mbi Ligjin Nr. 03/L-209 të BQK-së, si dhe në kuptim të Nenit 16, Nenit 99, Nenit 100 dhe Nenit 124 të Ligjit 05/L-045 për Sigurimet, në mbledhjen e mbajtur më 26 Prill 2019, vendosi të revokoj Licencën nr. 003, datë 25 Mars 2002, të kompanisë së Sigurimit INSIG sh.a. Dega në Kosovë, e lëshuar nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), paraardhësi ligjor i BQK-së.


Kompania e Sigurimit INSIG sh.a. Dega në Kosovë, kishte pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së, përsa i përket mjaftueshmërisë të kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës. Prandaj, në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative, Banka Qëndrore e Kosovës, respektivisht Bordi Ekzekutiv i BQK-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi, kishte bërë vazhdimisht përpjekje për zgjidhjen e problemeve financiare të Kompanisë së Sigurimit INSIG sh.a. Dega në Kosovë dhe përkundër përpjekjeve dhe gatishmërisë së shprehur nga BQK, Bordi dhe Menaxhmenti i Kompanisë nuk kishte arrit t’i përmbushte kërkesat ligjore / apo të përmirësonte gjendjen financiare të Kompanisë – arsyeje kjo, e cila edhe u bë shkas për Revokimin e Licencës dhe si përfundim rezultoi në fillimin e Likuidimit të detyruar.


Me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe me qëllim të parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithsi – Industria e Sigurimit, ka shprehur gatishmëri në marrjen përsipër të policave të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia (TPL) Valide, si dhe obligimet të cilat mund të rrjedhin nga policat e lëshuara të Kompanisë INSIG sh.a. Dega në Kosovë. Pra, kjo përfshin vetëm sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit dhe poseduesit të mjetit motorik mbi dëmet e shkaktuara ndaj palëve të treta dhe se gjatë periudhës së validitetit të këtyre policave të sigurimit nuk do të mund të bëhet Kthimi i Primit, Anulimi i Policës / Primit, Ndërrimit të pronarit etj.  


Prandaj, të gjitha aksidentet e shkaktuara nga të siguruarit e Kompanisë INSIG sh.a. Dega në Kosovë deri në shuarjen e policave (26 Maj 2019) palët e treta të drejtën e kërkesës për dëmshpërblim mund t’a paraqesin pranë zyrës së Likuidatorit, perkitazi, në objektin e Kompanisë INSIG sh.a., Rr. "UÇK", nr. 240 Prishtinë, kurse për aksidentet e ndodhura prej datës (27 Maj 2019) palët e treta do të paraqiten për dëmshpërblim pranë Byrosë Kosovare të Sigurimit në adresën Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë – Fushë Kosovë. Gjithashtu, është me interes të njoftohen të gjithë policëmbajtësit e Kompanisë INSIG sh.a. Dega e Kosovës, se policat tjera të produkteve vullnetare përfshirë këtu edhe policën TPL+ validiteti i tyre është i shuar dhe nuk vlen më pas datës 26 Maj 2019. Andaj, pas kësaj date të gjithë të interesuarit mund të kontraktojnë këtë lloj sigurimi tek ndonjë tjetër Kompani Sigurimi – i cili është i licencuar nga BQK.


Poashtu, nga datë 26 maj 2019 policëmbajtësit e policës TPL+ të Kompanisë INSIG sh.a. nuk do të mund të hyjnë në Maqedoni apo Serbi - hyrja e tyre mund të lejohet vetëm me blerjen e policës TPL+ tek ndonjëri anëtar sigurues i BKS-së (Kompanitë e Sigurimit) prej datës 01 Korrik 2019 / ose në rastin e kontraktimit të policës kufitare në kufi të shtetit përkatës.
Megjithatë, për çdo paqartësi tjetër eventuale në çdo kohë Byroja Kosovare e Sigurimit do t’ju shërbej në lidhje me informacionet e munguara duke kontaktuar Qendrën Informative në numrin e telefonit +383 (0) 38 603 059 apo në e-mail adresën: infocenter@bks-ks.org

 

Copyright 2012, Byroja Kosovare e Sigurimit