Dec 21, 2012

Për bashkatdhetarët tanë!

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga 10 kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr. 04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

 

Kosova aktualisht nuk është pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër, pasi neni 4.2 i Kushtetutës së Këshillit të Byrove thekson se një byro e cila synon të anëtarësohet në Këshillin e Byrove, duhet të jetë byroja e një shteti i cili është i anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Byroja Kosovare e Sigurimit gjegjësisht menaxhmenti i saj që nga themelimi i Byrosë është në lobim e sipër me shtetet anëtare të Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër, në mënyrë që të gjinden mundësitë dhe të tejkalohet kushti i vënë si më lartë dhe të anëtarësohemi në Këshillin e Byrove të Kartonit të gjelbër. Me ç’rast në bazë të marrëveshjeve që do të arrihen në mes Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Byrove Nacionale të shteteve të tjera do të filloj të vlejë kartoni i gjelbër me të gjitha ato shtete që do të nënshkruhet marrëveshja.

 

Një marrëveshje të tillë të mirëkuptimit tani për tani e kemi të lidhur me Byronë Shqiptare të Sigurimit të Republikës së Shqipërisë dhe Byronë Nacionale të Sigurimit të Republikës së Maqedonisë.


Ne si Byro nuk do të ndalemi deri sa të arrijmë qëllimin që ia kemi caktuar vetes për tu anëtarësuar me të drejta të plota në Këshillin e Byrove të Kartonit të Gjelbër.

Deri sa kjo nuk do të arrihet ne jemi të obliguar të veprojmë sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës dhe rregullave ndërkombëtare për sigurime në mënyrë që mjetet motorike të cilat hyjnë ne territorin e Republikës së Kosovës me targa të huaja t’i pajisim me sigurimit kufitar, sigurim ky i detyruar i cili mbulon përgjegjësinë e shkaktimit të dëmeve ndaj palëve të treta dhe kompensimin e palëve të treta në raste të aksidenteve në Republikën e Kosovës.

 

Vlen të theksohet se Byroja Kosovare e Sigurimit është institucion krejtësisht i pavarur nga Qeveria e Republikës së Kosovës si dhe të gjithë planin e punës së veprimit e bazon në ligjin për sigurime dhe statusin e Byrosë.


Byroja Kosovare e Sigurimit monitorohet dhe mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës, siç monitorohen dhe mbikëqyren të gjitha Kompanitë e Sigurimeve në Kosovë.

 

Gjithashtu duhet cekur se gjersa ne nuk kemi të nënshkruar një marrëveshje me Byrotë Nacionale të shteteve anëtare të Këshillit të Byrove, mjetet motorike me regjistrim të huaj janë të obliguar që me rastin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës të kontraktojnë sigurimin e detyrueshëm kufitar.

Vërtetimi i marrë nga disa bashkatdhetar nga Kompanitë e Sigurimeve të shteteve prej nga vijnë, me arsyetimin se kartoni i gjelbër i lëshuar për mjetet motorik të tyre mbulon edhe territorin e Republikës së Kosovës, nuk është i vlefshëm, për arsye të cekura me lartë, gjegjësisht mungesës së një marrëveshje në mes Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Byrosë së shtetit prej nga vijnë bashkatdhetarët tanë.

 

Byroja Kosovare e Sigurimit 

 

Copyright 2012, Byroja Kosovare e Sigurimit