Aug 13, 2015

Implementimi i MOU me Serbinë

Prishtinë, 13 gusht 2015

 

Byroja Kosovare e Sigurimit duke u referuar në njoftimin e Ministrisë për Dialog njofton opinionin lidhur me përfitimet për qytetarët dhe shtetin nga Marrëveshja e Brukselit për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve.

 

Marrëveshja e Brukselit për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve e njohur si Memorandum i Mirëkuptimit (MM) për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve mes Republikës së Kosovës dhe të Serbisë është nënshkruar me 23 qershor në Bruksel, ku si palë lehtësuese dhe garantuese është nënshkruar nga Byroja Evropiane e Sigurimeve dhe Bashkimi Evropian. Kjo Marrëveshje ka hyrë në fuqi dje me datën 12 gusht 2015.

 

Marrëveshja në fjalë shënon një hap përpara drejtë normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Rëndësia e kësaj marrëveshje është e shumëfishtë për qytetarët dhe shtetin dhe përfitimet janë si në vijim:

 

Përfitimet për qytetarët e Republikës së Kosovës


1. Qytetarët lirohen nga pagesa shtesë për sigurimin e automjetit (policën e sigurimeve) gjatë kalimit në Serbi.

 

2. Qytetarët tani kalojnë në Serbi me të njëjtin policë të sigurimeve të cilët e përdorin gjatë kalimit në Maqedoni.

 

3. Qytetarët duhet ti drejtohen kompanive të sigurimeve prej nga e kanë blerë policën e sigurimeve për Maqedoni, në mënyrë që të pajisen me formularin e ri të policës së sigurimeve, në të cilën shënohet që vlen edhe për Serbi. Ky shërbim bëhet pa pagesë nga ana e kompanive të sigurimeve.

 

4. Lirimi nga pagesa shtesë për sigurimin e automjeteve gjatë kalimit në Serbi është i plotë. Kjo do të thotë se qytetarët e Republikës së Kosovës NUK KANË NEVOJË MË TË BËJNË PAGESA SHTESË gjatë kalimit në Serbi. Prandaj qytetarët e Republikës se Kosovës për të hyrë në Serbi nuk do të paguajnë më në kufi sigurim për territorin e Serbisë, i cili ishte për 1 muaj – 105 €, ndërsa për 1 vit 600 €.

 

5. Prandaj, përftimet konkrete nga kjo marrëveshje janë se qytetarët nuk do shpenzojnë më 600 euro në vit ose 105euro në muaj për të blerë policën e sigurimeve për të hyrë në territorin e Serbisë.

 

6. Spekulimet mediale se qytetarët do të paguajnë 40 euro për sigurim të automjeteve gjatë kalimit në Serbi, nuk janë të vërteta. Sepse kjo shumë prej 40 eurosh është çmimi për një policë të sigurimeve për një automjet për periudhën një vjeçare, të cilën qytetarët e kanë blerë për të hyrë në Maqedoni dhe tani kjo policë e njëjtë do të vlejë edhe për të hyrë në Serbi.

 

7. Byroja Kosovare e Sigurimeve ka hapur dy pikat shitëse në pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak për herë të parë pas vitit 2011, gjë e cila është mundësuar në saje të kësaj Marrëveshje.

 

Përfitimet për shtetin e Kosovës

 

1. Marrëveshja për njohjen reciproke të sigurimit të automjeteve (policave të sigurimeve) mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, ka një rëndësi të veçantë politike sepse shënon një hap përpara në vendosjen e marrëdhënieve ndërfqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë që është një standard evropian në rrugën e integrimit evropian për Kosovën.

 

2. Marrëveshja në fjalë nënkupton njohjen e policave të sigurimeve të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, dhe bazohet në parimin e reciprocitetit, që ndër tjerash nënkupton se qytetarët e të dyja shteteve janë liruar nga pagesa shtesë dhe se mund të udhëtojnë me policat e sigurimeve të cilat i disponojnë për kalime jashtë shtetit.

 

3. Kjo marrëveshje është sidomos e rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët janë liruar nga pagesa shtesë për sigurimin e automjeteve të tyre gjatë hyrjes në Kosovë, pagesë kjo që është subvencionuar nga Qeveria e Kosovës për të liruar shqiptarët e Luginës nga kjo ngarkesë financiare. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës po ashtu  lirohet nga kjo barrë e subvencionimit. 

 

4. Roli i Byrosë evropiane të sigurimeve për ndërmjetësimin dhe garantimin e kësaj Marrëveshje ka hapur perspektiva të reja të bashkëpunimit mes Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Byrosë Evropiane të Sigurimeve, dhe kjo do të ndihmojë edhe në anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

 

5. Roli i Bankës Qendrore në arritjen dhe zbatimin e Marrëveshjes në fjalë si rregullator në fushën e sigurimeve kufitare ka qenë qenësor duke dëshmuar seriozitetin e shtetit të Kosovës në marrjen e përgjegjësive shtetërore për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe lirisë së lëvizjes për ta.

 

Sqarim shtesë


Marrëveshja për sigurimin e automjeteve nuk trajton çështjen e targave të automjeteve por vetëm çështjen e njohjes e policave të sigurimeve të automjeteve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Çështja e targave/tabelave të automjeteve është pjesë e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të arritur më 2 korrik 2011, me ç ‘rast pala serbe ka pranuar që të lejojë kalimin nëpër territorin e shtetit të saj vetëm të automjeteve me targat KS ndërsa edhe për kundër trysnisë tonë dhe të BE-së ende nuk i pranon targat e automjeteve me regjistrimet RKS dhe kjo për arsye të pastra politike edhe pse arsyetimi i palës serbe ka qenë se këtë nuk mund ta pranojnë për shkak se mund të jetë e ‘rrezikshme’ kalimi nëpër territorin e Serbisë me targat RKS. Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes  bazohet në parimin e reciprocitetit dhe ia njeh të drejtën palës tonë që automjeteve me targat të shtetit serb tu kërkohet që ti zëvendësojnë ato me targa ‘provuese’ por ne nuk e kemi zbatuar atë pikë që të dëshmojmë që jemi njëmend për lëvizje të lirë dhe të eliminojmë pengesa dhe pagesa shtesë sidomos për qytetarët e Luginës së Preshevës. 

 

Çështja e tabelave RKS, dhe tema tjera që janë pengesë e Lirisë së Lëvizjes për qytetaret dhe ngasësit e automjeteve të Kosovës, do të jetë temë diskutimi nga fillimi i shtatorit të këtij viti në Bruksel me kërkesën e Ministres për Dialog, Edita Tahiri. Është qëndrim i Qeverisë së Kosovës që tabelat  provuese duhet të hiqen dhe tabelat RKS duhet të pranohen nga Serbia, në të kundërtën pala e Kosovës në një kohë të caktuar do të merr masa reciproke.

 

Memorandumi i Mirëkuptimit (MM) për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve dhe marrëveshja për lirinë e lëvizjes janë në ketë link http://bks-ks.org/?module=Page&action=show&id=23

 

Copyright 2012, Byroja Kosovare e Sigurimit