110, 345 dëme u paguan vetëm për 9 muaj

3:10 / 10 Nëntor 2021

Gjatë periudhës janar-shtator 2021, kompanitë e sigurimeve në Kosovës kanë paguar hiç më pak se 110, 345 dëme. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak pagesa e dëmeve është ngritur për 20, 989. Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, thotë se si BKS-ja, ashtu edhe kompanitë e sigurimeve, janë duke shpenzuar shuma të konsiderueshme të mjeteve në emër të pagesës së dëmeve që sipas tij ato janë duke u rritur nga muaji në muaj.

iSIGURIME

Vetëm gjatë periudhës janar- shtator të këtij viti kompanitë e sigurimeve që operojnë në Kosovë kanë arritur të paguajnë një numër rekord dëmesh prej hiç më pak se 110,345. Bazuar në të dhënat zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ky është numri më i madh e dëmeve që është paguar deri më tash nga Industria e sigurimeve në Kosovë. Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve Sami Mazreku thotë se si BKS-ja, ashtu edhe kompanitë e sigurimeve, janë duke shpenzuar shuma të konsiderueshme të mjeteve në emër të pagesës së dëmeve që sipas tij ato janë duke u rritur nga muaji në muaj. “Për ne si Industri është shqetësuese rritja e vazhdueshme e aksidenteve, sidomos atyre me dëmeve të vogla materiale e me lëndime trupore”, ka thënë Mazreku. Ai më tutje ka bërë të ditur se Industria është duke mbledhur fakte rreth manipulimeve të ndryshme dhe të njëjtat sipas tij do t’i dorëzojë në organet e rendit. “Këto raste nuk mund të konsiderohen ndryshe veç si tentim për mashtrim, kur vetura e ka një gërvishtje të lehte, derisa shoferi kërkon ndihmë mjekësore për lëndim, apo edhe pasagjeret që kanë qenë brenda veturës”, ka bërë të ditur ai.

Krahasimi me vitet paraprake

Bazuar në të dhënët zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet se numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës janar – shtator 2021 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është ngritur për 20,989 dëme duke arritur në 110,345, nga të cilat 110,069 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 276 nga kompanitë e sigurimit të Jetës. Në raport me vitin paraprak shihet se ka një rritje të dukshme të pagesës së dëmeve nga kompanitë e sigurimeve që operojnë në vendin tonë. “Numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës janar – shtator 2020 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është zvogëluar me 8, 803 raste më pak dhe arriti në 89,356, nga të cilat 89,117 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 239 nga kompanitë e sigurimit të Jetës”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës. Gjithashtu sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, më tutje shihet se numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës janar-shtator 2019 në krahasim me periudhën e njëjte të vitit paraprak është ulur me 4,294 më pak dhe arriti shifrën 98,159, nga të cilat 97,930 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 229 nga kompanitë e sigurimit të Jetës.

29, 95 % më shumë pagesa

Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet se gjatë periudhës janar-shtator 2021, janë paguar gjithsej 45,564,093 euro dëme ose 29.95% më shumë se gjatë periudhës së njëjtë janar – shtator 2020. Sipas drejtorit Mazreku, trendi i përshpejtuar i pagesës së dëmeve si nga Byroja Kosovare e Sigurimit, ashtu edhe nga kompanitë e sigurimeve veç e veç, është duke vazhduar edhe në tremujorin e katërt të këtij viti. “Byroja Kosovare e Sigurimit vetëm gjatë muajit tetor të këtij viti ka arritur të paguajë një rekord të dëmeve prej 1 milion euro. Është shuma më e madhe e mjeteve të paguara deri më tash”, ka thënë më tutje drejtori Mazreku.

Më tutje gjithnjë duke u bazuar në të dhëna zyrtare të BQK-së shihet se gjatë kësaj periudhe kohore volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jo-Jetës arriti shumën 84,185,954 euro duke shënuar një ngritje në masën prej 17.61% krahasuar me periudhën Janar – Shtator 2020. “Numri i kontratave në sigurimin e Jo-Jetës arriti në 867,968 duke shënuar një ngritje në masën 52.97% krahasuar me periudhën e njëjtë Janar – Shtator 2020”, thuhet më tutje në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës.

 

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]