Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti (janar-qershor 2019) kompanitë e sigurimeve që operojnë në vendin tonë kanë paguar hiç më pak se 22 milionë euro dëme ndaj qytetareve. Në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, pagesa e dëmeve është rritur për 5,8 %
iSIGURIME
Kompanitë e sigurimeve çdo ditë e më shumë po e rrisin efikasitetin në pagesën e dëmeve ndaj qytetarëve të cilët kanë pësuar në aksidente të ndryshme komunikacioni, apo kompensimin e dëmeve për trajtime shëndetësore. Të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) tregojnë për rritje të vazhdueshme të përformancës së industrisë së sigurimeve, pavarësisht problemeve të vazhdueshme me të cilat ata janë përballur dhe po përballen edhe sot e kësaj dite. Ndarja e 1 për qind të primit të policës së sigurimit për kryqin e kuq, tatimi në qarkullim prej 5 % të cilat janë hequr falë angazhimit të madh të Shoqatës së Sigurimeve, por edhe Bankës Qendrore të Kosovës, kanë qenë problem për kompaninë. Por, tash e tutje rritja e vazhdueshme e numrit të automjeteve të paregjistruara është duke paraqitur rrezik serioz si për jetën e qytetareve, ashtu edhe për kompanitë e sigurimeve që ushtrojnë biznesin e tyre në venin tonë. Sami Mazreku, drejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës thotë se ka më shumë se 15 muaj që Shoqata në bashkëpunim me institucionet shtetërore është duke punuar në uljen e numrit të automjeteve. Por, sipas tij, përkundër përparimeve numri i automjete që qarkullojnë pa regjistrim nëpër rrugët e Kosovës është shumë i madh. “Këto automjete paraqesin rrezik të madh për pjesëmarrësit në komunikacion, por edhe dëmtojnë rëndë industrinë e sigurimeve”, ka thënë drejtori Mazreku.
Mbi 400 milionë euro pagesë të dëmeve
Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, ka thënë se nga vitit 2001 e deri më tash pagesa e demeve për automjete ta siguruara e pa siguruara nga aksidentet në komunikacion shkon në 400 milionë euro. “Në periudhën 2001-2018, kompanitë e sigurimeve kanë paguar 400 milionë euro dëme nga automjetet e siguruara dhe të pasiguruara. Kemi rritje të hyrjeve dhe pagesë të dëmeve. Ne vazhdimisht po kërkojmë që të gjendet një mundësi, që nga Ministria e Punëve të Brendshme të pastrohet lista e veturave të paregjistruara. Sipas një të dhëne janë 110 mijë automjete të paregjistruara dhe kërkesa jonë ka qenë që ta gjejmë formën ligjore që t’i pastrojmë këto lista dhe të dihet saktë sesa mjete janë të paregjistruara”, tha Mazreku. Dëmet e automjeteve të pasiguruara brenda vitit shkojnë në miliona euro.
“Vetëm pagesa e demeve për automjetet e pa siguruara është nga 2.7 milionë euro deri në 3.5 milionë euro për çdo vit. Vlen të theksohet se ky dëm kompensohet nga fondi i kompanive të sigurimit. Është një barrë shtesë e kompanive që janë të obliguar që atë pjesë ta paguajnë pjesën e vet”, tha Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku.
Guvernatori: Trend pozitiv në pagesën e dëmeve
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti ka thënë se bazuar në të dhënat e pranuara të datës 31 mars 2019, vlera e dëmeve të paguara bruto nga sektori i sigurimeve deri më këtë datë arrin në shumë prej 11 milion euro, që është vlerë e njëjtë e pagesës së dëmeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. “Dëmet e ndodhura të sektorit të sigurimeve me 31 mars 2019 janë në shumë prej 11.2 milionë euro që janë më të larta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 10.3 milionë euro. Shprehur në përqindje, raporti dëme/prime më 31 mars 2019 është 54.8%, që është më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 53.7%. Duke marrë parasysh treguesit e lartpërmendur, shihet se sektori i sigurimeve për tremujorin e parë të këtij viti ka rezultuar me një trend më pozitiv në pagesën e dëmeve, krahasuar me periudhën paraprake “ka thënë ai.
Viti Të hyrat Pagesa e dëmeve
2019 46.637.462 22.045.342
2018 90.503.664 € 42.766.736 €
2017 84.919.344 € 42.151.078 €
2016 81.235.523 € 36.871.506 €
2015 78.767.663 € 36.971.397 €
2014 80.080.181 € 31.182.207 €
2013 77.385.883 € 38.448.821 €
2012 81.534.352 € 30.581.215 €
2011 78.095.611 € 26.812.984 €
2010 71.243.658 € 26.527.830 €
2009 67.756.310 € 18.834.757 €
2008 56.380.959 € 17.678.577 €
2007 50.811.083 € 12.821.635 €
2006 48.728.197 € 10.932.644 €
2005 47.212.598 € 9.165.533 €
2004 39.090.000 € 6.743.000 €
2003 37.060.000 € 5.583.705 €
2002 30.983.000 € 3.540.000 €
Burimi: BQK – Korrik 2019