83,652 dëme u paguan për 6 muaj

6:33 / 26 Gusht 2022

Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti kompanitë e sigurimeve dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) kanë paguar hiç më pak se 83,652 dëme, apo 9, 593 dëme më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës  Qendrore të Kosovës, shprehur në euro, shuma e dëmeve të paguara gjatë kësaj periudhe kohore është 30, 898, 227  euro.

 iSIGURIME

 Kompanitë e Sigurimit, por edhe Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), edhe më tutje vazhdojnë të paguajnë shuma të konsiderueshme të mjeteve në emër të kompensimit të dëmeve të shkaktuar si nga automjetet e siguruara, por ashtu edhe automjetet e pasiguruara.

Referuar të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BKS), shihet se numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës janar – qershor 2022, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, është rritur për 9,593 dëme, duke arritur në 83,652, nga të cilat 83,406 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 246 nga kompanitë e sigurimit të Jetës.

Shprehur në euro, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet se gjatë periudhës janar – qershor 2022 janë paguar gjithsej 30,898,227 euro dëme ose 5.51% më shumë se gjatë periudhës së njëjtë janar – qershor 2021.

Mazreku: Pagesa në afat rekord

Sami Mazreku, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), thotë se si asnjëherë më parë Byroja Kosovare e Sigurimit, por gjithashtu edhe kompanitë e sigurimeve, janë duke paguar dëme në afat rekord. Madje Mazreku apelon të avokatet që të shkojnë në BKS, t’i nënshkruajnë lëndët dhe t’i marrin kompensimet për palët që përfaqësojnë.

“Ne disa here kemi kërkuar si nga palët, ashtu edhe nga avokatet që përfaqësojnë palë të ndryshme që të vijnë në BKS për të nënshkruar dëmet. Në disa raste janë disa avokatë që qëllimisht po zvarrisin lëndët, pra ata nuk po vijnë në BKS për të nënshkruar marrëveshjen për kompensim”, ka thënë drejtori Mazreku.

 535,328 kontrata të lidhura për 6 muaj

Referuar të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet se gjatë periudhës janar-qershor 2022, shuma e premive të pranuara nga kompanitë e sigurimit ka arritur vlerën prej 58 milionë euro, e që është 9.76% më e lartë krahasuar me periudhën janar – qershor 2021. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe kohore kompanitë e sigurimeve kanë lidhur hiç më pak se 535,328 mijë kontrata me palë, e që sipas të dhënave zyrtare të BQK-së shihet se është 16% më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Referuar të dhënave zyrtare shihet se sektori i sigurimeve në vend po performon me parametra pozitiv.

Krahasimi me periudhën e njëjtë të vitit paraprak

Sipas të dhënave zyrtare shihet se vetëm gjatë muajit janar të këtij viti të gjitha kompanitë e sigurimit, por edhe Byroja Kosovare e Sigurimit kanë lidhur 78 mijë e 153 kontrata me qytetarë, nga 71.498 sa ishin ne periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Po ashtu, gjatë muajit shkurt të këtij viti janë lidhur 71 mijë e 633 kontrata me qytetarë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, referuar të dhënave zyrtare, numri i kontratave të lidhura ishte 64,165. Gjatë muajit mars janë lidhur gjithsej 77 mijë e 284 kontrata, derisa në fund të muajit mars të vitit 2021 numri i kontratave të lidhura në mes kompanive të sigurimit dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit me qytetarë ishte 70 mijë e 345. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se gjatë muajit prill të këtij viti numri i kontratave të lidhura ka arritur në 88 mijë e 217, derisa në fund të muajit prill të vitit të kaluar numri i kontratave të lidhura ishte 57 mijë e 224. Gjithashtu, në fund të muajit maj të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare, numri i kontratave të lidhura arriti në 89 mijë e 642, nga 84 mijë e 480 sa ishte në  muajin maj të vitit të kaluar. Edhe në muajin qershor të këtij viti, gjithnjë sipas të dhënave zyrtare, numri i kontratave të lidhura arriti në 110 mijë e 400, nga 96 mijë e 474  sa ishte në muajin qershor të vitit 2021.

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]