Shkruan: Ilir Prapashtica – Shef i Sektorit të trajnimeve
Nga mënyra se si është zhvilluar historia e njerëzimit, mund të themi se sigurimet paraqiten së bashku me paraqitjen e shoqërise njerëzore. Janë të ditura dy lloje të ekonomive në shoqëri: ekonomia e parave (me tregje, para, instrumente financiare, etj.) dhe ekonomia e joparave apo ekonomia natyrale. Kjo e dyta është më e vjetër nga e para.
Në një ekonomi të tillë mund ta shohim sigurimin si formë, ku njerezit i ndihmonin njëri tjetrit. P.sh. nëse digjej një shtëpi, anëtaret e atij komuniteti i ndihmonin për ta bërë një të re, kjo bëhej në mënyre reciproke, por p.sh. kishte edhe raste kur, ai që nuk ndihmonte, në të ardhmen nuk i ndihmohej as atij nga askush. Ky lloj sigurimi ka mbijetuar në disa vende deri në ditët e sotme, p.sh në disa vende të ish Bashkimit Sovjetik.
Duke ju referuar sigurmeve në mënyrën moderne, metodat e hershme të transferimit apo shpërndarjes së riskut, ishin praktikuar nga tregtaret Kinez dhe Babilonas, qysh ne shek. III dhe II para erës sonë. Tregtaret Kinez duke lundruar-udhëtuar nëpër lumenj të rrezikshëm dhe të shpejtë e shpërndanin mallin e tyre në shume anije, për të limituar humbjen nga përmbysja e ndonjë anije.
Babilonasit zhvilluan nje sistem tjeter të sigurimeve, i cili është regjistruar në të famshmin “Kodi i Hammurabit” në vitin 1750 para erës sonë, dhe është praktikuar nga tregtaret e hershëm të mesdheut. Nëse një tregtar merrte një hua për dërgesën e tij, ai do të ja paguante huadhënësit një shumë të caktuar shtesë, për garancionin e huadhënësit se nëse anija vidhej, ai do ta anulonte huan.
Monarku Achaemenian i Iranit ka qenë i pari i cili i ka siguruar njerëzit e tij dhe e bëri një gjë të tillë zyrtare duke e regjistruar procesin e sigurimit në zyrat e notarit. Tradita e sigurimeve është performuar çdo vit në Norouz (fillimi i vitit të ri Iranian) krerët e grupeve të ndryshme etnike si dhe të tjerët të cilët deshironin të merrnin pjesë, i dhuronin dhurata monarkut. Kur dhurata ishte më e madhe se 10.000 Derrik (para të arit të monarkut), qështja regjistrohej në një zyrë të veqantë. Qëllim i regjistrimit ishte që nëse personi i cili kishte dhënë dhuratë monarkut, kishte vështërsi, monarku do ta ndihmonte.
Shumë vite më vonë banorët e Rhodes e zbuluan konceptin e “mesatares së përgjithëshme”. Tregtarët, mallrat e të cilëve transportoheshin së bashku, do të paguanin një prim proporcional, i cili do të përdorej për të rimbursuar ndonje tregtar malli i të cilit mund të hidhej nga anija, për shkak të stuhis apo për ti shpëtuar fundosjes.
Grekët dhe Romakët paraqitën origjinën e sigurimit shëndetësor dhe jetësor në vitin 600 të erës sonë, kur ata organizuan shoqerine (esnafët) të cilët quheshin “shoqëri dashamirësie” të cilat kujdeseshin për familjet dhe paguanin shpenzimet e funeralit për anëtaret e tyre. Esnafët edhe në mesjet shërbenin për të njejtin qëllim. Para se të krijoheshin sigurimet në shek. e 17, “shoqatat miqësore” kanë ekzistuar edhe në Angli, në të cilat njerëzit jepnin donacione në shuma të parave për të grumbulluar një shumë të përgjithëshme e cila mund të përdorej për raste emergjente.
Kontratat e ndara të sigurimit (d.m.th. policat e sigurimit jo të lidhura me hua apo kontrata tjera), janë zbuluar në Gjenovë në shek. e 14. Këto kontrata i lejonin sigurimeve të jenin të ndara nga investimet, një ndarje e roleve që u tregua e suksesëshme në sigurimin e marinës. Sigurimet u bënë më të sofistikuara në Europen e pas Renesancës dhe u zhvilluan lloje të ndryshme të sigurimeve.
Aty ka fundi i shek.17, rritja e rëndësisë së Londrës si qendër e tregtise, e rriti edhe kërkesën për sigurimin e marinës. Në vitin 1680 Edward Lloyd, e hapi një kafe-bar, e cila u bë e famshme për pronarët e anijeve, tregtaret, dhe kapitenët e anijeve, duke u shëndërruar njëherit në një burim të sigurtë informatash për lundrimet e fundit të anijeve. Ajo u bë vendtakim për palët të cilët dëshironin ti siguronin mallrat (kargot) dhe anijet e tyre, dhe atyre të cilët ishin të gatshëm të merrnin në sigurim një aventur apo rrezik të tillë. Sot Lloydi i Londrës mbetet tregu lider për sigurimin e marinës dhe llojet e tjera te specializuara te sigurimeve.
Sigurimet të cilat i njohim ne sot mund të gjurmohen që nga Zjarri i madh i Londrës në vitin 1666, kur u dogjën 13,200 shtëpi. Pas kësaj katastrofe, Nicholas Barbon e hapi një zyre për ti siguruar ndërtesat. Në vitin 1680 ai themeloi Kompanine e parë të sigurimeve “The Fire Office”, për ti siguruar shtëpite me tulla dhe ato me montim, kjo do të jetë kompania e parë e sigurimeve jo vetëm në Angli por në tërë Botën.
Sigurimi është një marrëveshje me të cilën njëra palë (siguruesi) premton ti paguaj palës tjetër (të siguruarit apo policambajtësit) një shumë të të hollave, në rast të një ndodhie e cila i shkakton të siguruarit humbje financiare. Përgjegjësia për pagesën e humbjeve të tilla në këtë rast transferohet nga policambajtësi tek siguruesi. Siguruesi me këtë rast, për detyrimin e marrë për të paguar humbjet kur ato të ndodhin, e ngarkon të siguruarin me një shumë të hollash, që njihet si prim i sigurimit.