Mazreku: Viti 2019 shënoi kthesë pozitive për industrinë e sigurimeve të Kosovës

11:43 / 30 Dhjetor 2019

Shfuqizimi i nenit diskriminues në Ligjin për Kryqin e Kuq nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, miratimi i Ligjit mbi të Ardhurat e Korporatave në Kuvendin e Kosovës, si dhe lejimi i rritjes së çmimit të sigurimeve për automjetet janë tri arriturat më të mëdha për industrinë e sigurimeve për vitin 2019 që vlerësohen nga drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku

iSIGURIME

Tri vendime të mëdha janë marrë gjatë vitit 2019 për industrinë e sigurimeve të Kosovës, të cilat i kanë dhënë kthesë pozitive këtij sektori. Kështu vlerëson në një intervistë drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, duke përmendur shfuqizimin e nenit diskriminues në Ligjin mbi Kryqin e Kuq nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, miratimin e Ligjit mbi të Ardhurat e Korporatave në Kuvendin e Kosovës, si dhe vendimi për rritjen e çmimit të sigurimeve të automjeteve.

“Viti 2019 ka qenë vit i kthesës pozitive për industrinë e sigurimeve të Kosovës, pasi është shfuqizuar neni diskriminues i Ligjit mbi Kryqin e Kuq të Kosovës nga Gjykata e Kushtetuese, është miratuar në Kuvendin e Kosovës Ligji mbi të Ardhurat e Korporatave, si dhe BQK-ja u ka lejuar kompanive të sigurimeve rritjen e çmimit të sigurimit të automjeteve”, ka pohuar Mazreku.

 Shfuqizimi i nenit diskriminues nga Kushtetuesja

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, sqaron se në mars të këtij viti Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shfuqizoi paragrafin 1.7 të nenit 14 të Ligjit mbi Kryqin e Kuq të Kosovës, pasi që konstatoi se është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. “Një vendim të tillë Kushtetuesja e ka marrë pas ankesës time si drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, duke u ofruar dëshmi të bollshme se një praktikë e tillë kohë më parë ishte cilësuar si antikushtetuese edhe nga Gjykata e Kroacisë”, thotë Mazreku.

Sipas tij, përmes këtij neni, të cilin në mars të këtij viti e ka shfuqizuar Kushtetuesja, kompanitë e sigurimeve kanë qenë të obliguara që nga 1 për qind e primit nga shitja e Policave të Sigurimit t’i ndajnë për Kryqin e Kuq të Kosovës. Por, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim duke vlerësuar se ky Ligj nuk është në pajtueshmëri me nenin 24 (Barazia para ligjit), nenin 119 (Parimet e përgjithshme), si dhe nenin 46 (Mbrojtja e pronës) të Kushtetutës. “Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e ka korrigjuar një padrejtësi dhe një diskriminim që i është bërë industrisë së sigurimeve në vend”, thotë Mazreku.

 Miratimi i Ligjit mbi të Ardhurat e Korporatave

Disa muaj pas shfuqizimit në nenit diskriminues mbi Kryqin e Kuq të Kosovës, Kuvendi i Kosovës në korrik të vitit 2019 ka miratuar Ligjin mbi të ardhurat e Korporatave. Sipas Mazrekut, me miratimin e këtij Ligji i është dhënë fund diskriminimit disa vjeçar të industrisë së sigurimeve të Kosovës, me ç’rast është hapur një etapë të re për këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. “Industria e sigurimeve të Kosovës me vite të tëra është detyruar të paguaj tatim në qarkullim ekstra prej 5 për qind, pagesa e të cilit vlerësohet se i ka dëmtuar kompanitë e sigurimeve membi  60 milionë euro.Vlen të theksohet se një tatim i tillë nuk e ka paguar asnjë biznes tjetër në Republikën e Kosovës, përpos kompanive të sigurimeve”, ka potencuar Mazreku.Ai ka shtuar se Shoqata e Sigurimeve e Kosovës vazhdimisht ka avokuar tek institucionet kompetente të Republikës së Kosovës se kompanitë e sigurimeve ishin të vetmet biznese që kanë qenë të diferencuara në kuptim të tatimit që i janë nënshtruar, përkatësisht në primet bruto të grumbulluara dhe jo në fitimet e deklaruara, siç ka ndodhur rëndom me të gjitha bizneset tjera në Republikën e Kosovës.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kuptuan qartë mesazhin tonë dhe në seancën e mbajtur në pjesën e parë të muajit korrik 2019, përfundimisht e korrigjuan një defekt ligjor, i cili e ka dëmtuar në masë të madhe industrinë e sigurimeve të Kosovës”, shprehet Mazreku.

Rritja e çmimit të sigurimeve i mbron polisëmbajtësit

Në tetor të vitit 2019, Banka Qendrore e Kosovës ua ka lejuar kompanive të sigurimeve që ta rrisin shumën e sigurimeve prej 26.5 %, ndonëse kërkesa e industrisë ishte më e lartë.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku, ka thënë në RTK se kërkesa për rritje të çmimit nga kompanitë e sigurimeve ka ardhur për shkak të shumë faktorëve. Sipas tij: “Nga viti 2001 nuk ka pasur rritje të çmimit. Sot kemi shumë vetura, deri tani kanë vdekur mbi 2500 persona, është rritur numri i veturave, kompanitë nuk i marrin të gjitha mjetet, janë taksat, është bonus-malus që nga viti në vit i marrin të siguruarit. Kemi paguar 400 milionë euro dëme, kemi paguar rreth 40 milionë euro për veturat e  pa siguruara. Kompanitë e sigurimeve kanë paguar 100 milionë euro tatime që ka qenë e padrejta”, tha Mazreku në INFO 3 Live në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), duke shtuar se rritja e çmimeve të sigurimeve i mbron polisëmbajtësit. (Shoqata e Sigurimeve e Kosovës)

 

 

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]