Rekomandohet hapja e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve

Sikur në çdo sektor tjetër, pandemia Covid-19 ka afektuar tej mase edhe industrinë e sigurimeve, pasi numri i policave të shitura nga kompanitë e sigurimeve ka rënë rreth 50% krahasuar me vitin paraprak.

Gjendja do të fillonte të përmirësohej nëse Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do t’i hapte Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve pasi këto janë të mbyllura me një vendim të MPBAP-së që nga muaj mars.

Kështu thotë drejtori i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku, i cili shton se ende nuk është bërë një përllogaritje e saktë e humbjeve financiareve nga kompanitë të sigurimeve, por sikur shumica e bizneseve në vend, pandemia ka shkaktuar dëme edhe në industrinë e sigurimeve.

Duke e pasur parasysh se një numër i madh i veturave të paregjistruara janë në qarkullim, Mazreku thotë se këto automjete paraqesin rrezik në trafik.

Situata është vështirësuar

“Me ndryshimin e orarit të lëvizjes së qytetarëve, sigurisht që është vështirësuar edhe më shumë situata, interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me policë të sigurimit ka rënë. Aktualisht me shifra të sakta nuk mund të flasim, mirëpo nëse flasim me përqindje, interesimi është 50% më i ulët në raport me vitin paraprak. Sigurisht edhe kufizimi i lëvizjes për 90 minuta gjatë ditës për të dalë në trafik ka ndikuar. Por edhe nga kushtet e qytetarëve, një pesë e tyre ndoshta nuk i kanë përdorur veturat, mirëpo interesimi është shumë më i vogël në raport me vitin e kaluar. Më vonë kemi planifikuar të dalim edhe me shifra të sakta se sa janë humbjet, mirëpo aktualisht nuk kemi të dhëna zyrtare, derisa ato të publikohen në uebfaqen e Bankës Qendrore”, thotë Mazreku.

Shitja ka renë menjëherë

Drejtori i Shoqatës, për “KosovaPress”, thotë se vendimi për mbylljen e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve ka ndikuar direkt në rënien e menjëhershme të shitjes së policave të sigurimit, si pasojë e të cilit numri i automjeteve të paregjistruara po rritet.

“Sektori i sigurimeve është i ndërlidhur ngushtë edhe me Qendrat e Regjistrimeve sepse policat që ne i lëshojmë dorëzohen në këto qendra dhe pastaj ndodh edhe regjistrimi i automjetit. Mbyllja e qendrave na ka dëmtuar shumë, njerëzit nuk kanë pasur mundësi t’i regjistrojnë veturat, ku edhe nuk i kanë siguruara. Lidhur me këtë, ne i rekomandojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të fillojë gradualisht me hapjen e Qendrave të Regjistrimit për shkak se nëse vazhdojmë më tutje me këtë gjendje situata do të vështirësohet”, pohon ai.

Asnjë mase e ndërmarrë ndaj stafit

“KosovaPress”  ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, por ata nuk janë përgjigjur.

Mazreku thotë se nuk është shumë shqetësuese rënia të hyrave për kompanitë sa mbetet problem qarkullimi i një numri të madh të automjeteve të paregjistruara, prej rreth 150 mijë vetura janë në trafik që potencialisht mund të jenë edhe shkaktarë të aksidenteve. Dëmet financiare të shkaktuara nga kompensimi për aksidentet për këto automjete që nga pas lufta kapin vlerën e 44 milionë eurove, ose 4 deri në 8 milionë euro në vit.

Po ashtu, Mazreku po kërkon që edhe sektori i kompanive të sigurimeve të jetë pjesë e grupit punues të “Pakos II” për rimëkëmbje ekonomike. Madje, i pari i shoqatës po kërkon nga Qeveria që të subvencionohen qytetarët për sigurimin e automjeteve. “Sigurisht se unë do t’i shpalos shqetësimet tona si industri dhe mënyrën si ata (Qeveria) duke i ndihmuar qytetarët në mënyrë indirekte na ndihmojnë edhe neve, sepse ndarja e një fondi të caktuar për qytetarët që në këtë kohë pandemie t’i sigurojnë veturat e tyre duke subvencionuar këtë shumë nga shteti, do të ishte ndihmesë direkte për qytetarin, mirëpo në anën tjetër do të ishte një ndihmës indirekte edhe për neve. Nuk ka asnjë masë që një kompani e sigurimeve ka ndërmarrë ndaj stafit të vet, mirëpo nëse vazhdohet kështu sigurisht që situata do të vështirësohet”, deklaron Mazreku.

Ai në fund theksoi se përkundër vështirësive, kompanitë kanë vazhduar punën duke ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme, qoftë nga prania fizike apo nga distanca, për shitjen e policave në tërë territorin e Kosovës dhe janë të hapura çdo ditë prej orës 8:00 deri në orën 16:00.

 

Fatura miliardëshe e humbjeve të kompanive të sigurimeve në botë nga COVID-19

Kompania e sigurimeve “Lloyd’s of London”, nga Londra paralajmëruan se e gjithë industria e sigurimeve mund të humbasë një rekord prej 200 miliardë dollarë për shkak të pandemisë

 Kompania “Lloyd” ka deklaruar se fatura përfundimtare nga pandemia do të jetë e mundur të “peshojë” shumë, por kjo do të dihet saktësisht pasi që shkalla dhe kompleksiteti i ndikimit social dhe ekonomik të COVID-19 të kuptohet plotësisht.

“Industria globale e sigurimeve po paguan një gamë shumë të gjerë politikash për të mbështetur bizneset dhe njerëzit e prekur nga COVID-19”, ka deklaruar shefi ekzekutiv i “Lloyd”, John Neal.

Industria e sigurimeve mund të pësojë humbje rekorde prej 200 miliardë dollarësh këtë vit, tha Lloyd.

“Ajo që e bën COVID-19 unike është ndikimi jo vetëm shkatërrues i vazhdueshëm njerëzor dhe shoqëror, por edhe tronditja ekonomike,” tha Neal.

“Marrja e të gjithë atyre faktorëve së bashku do të sfidojë industrinë si kurrë më parë, por ne do të vazhdojmë të përqendrohemi në mbështetjen e klientëve tanë dhe të vazhdojmë të paguajmë pretendime gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm”

Ndërsa sipas analistit të sigurimeve Yasha Kuruvilla, shumica e klientëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk po përdorin makina në këtë kohë dhe për këtë arsye nuk kanë gjasa t’i rinovojnë policat e tyre,  por deri në fund të vitit do të ketë një rritje shumë të vogël të policave të sigurimeve prej 0.4%, apo në  total 19.54 miliardë funte deri ne fund të vitit 2020.

 Kompanitë e sigurimeve në Austri goditen rëndë nga COVID-19

Industria e sigurimeve austriake është goditur nga COVID-19, pas rwnies ekomomike nw vend është e  pritshme të dëmtohen edhe kompanitë e sigurimeve, bëhet e ditur në statistikat e GlobalData.  GlobalData ka rishikuar vlerësimet e saj të përgjithshme të rritjes për sektorin e sigurimeve deri në vitin 2023 nga një normë e rritjes vjetore prej 2.8% në 1.7%,  pas shpërthimit të COVID-19.

“Rritja është rishikuar kryesisht për shkak të sektorit të shërbimeve që është ndalur. Ajo përbën rreth 70% të bruto porduktit vendor në ekonominë austriake, kështu që ndikimi i bllokimit në turizëm, dhe aviacion ka të ngjarë të jetë i rëndë në ekonominë e përgjithshme dhe sektorin e sigurimeve. Sektori i prodhimit dhe furnizimit gjithashtu janë përkeqësuar ndjeshëm, të cilat do të kenë ndikime të mëdha në produktet e sigurimeve të ndryshme. Parashikimet e GlobalData për tregun austriak të sigurimeve shohin rritje të sektorit të sigurimeve të jetës me një rritje prej 0.3%.  Sidoqoftë, shqetësimi më i madh për kompanitë e sigurimeve të jetës do të jenë fitimet. Tregjet financiare në të gjithë Evropën kanë rënë, do të thotë se do të jetë më e vështirë për ta të investojnë në këto prime të sigurimeve “

Primet e sigurimit të veturave pritet të bien, për shkak të kërkesës së zvogëluar.  Regjistrimet e makinave të reja kanë rënë me 66.5%  në tre muajt e fundit . Mungesa e kërkesës dhe mbyllja totale e auto salloneve do të godasin sektorin e sigurimeve e veturave edhe në të ardhmen.”

 Kina dyfishon përdorimin e automjeteve private, si mbrojtje nga pandemia

Nëse merren për bazë statistikat nga Kina, shohim që përqindja e njerëzve që preferojnë të përdorin makina private është dyfishuar pas shpërthimit të Coronavirus. Motivimi kryesor për këtë është të zvogëlojë mundësinë e infektimit në transport publik.

Si rezultat, familjet po marrin një makinë të dytë ose të tretë private. Ka të ngjarë të japë një rritje në shitjet e makinave të reja dhe shitjet e makinave të dorës së dytë pas hapjes nga pandemia.

Do të ketë më pak pasagjerë që marrin transportin publik për shkak të distancës sociale. Prandaj, më shumë përdorues do të kenë nevojë për mënyra alternative të transportit, kryesisht makina private. Sipas një studimi global nga Instituti i Kërkimeve Capgemini në Kinë, gjysma e konsumatorëve nën moshën 35 vjeç synojnë të përdorin transportin publik më rrallë dhe të marrin makinën e tyre më shpesh në të ardhmen.

Rreziku në rrugë mund të jetë më i lartë, për shkak të më shumë veturave, dhe rritjes së numrit të shoferëve me më pak përvojë.

COVID-19/ Goditet transporti publik dhe bie shfrytëzimi i automjeteve për destinacione të gjata në Kinë

40% janë zvogëluar kilometrat e kaluara me automjete

20% janë rritur udhëtimet e shkurtra me automjete

0% ka rënë përdorimi i transportit publik


Statistikat e përdorimit të veturave para dhe gjatë pandemisë në Kinë

Përdorimi i veturave para pandemisë  –  33%

Përdorimi i veturave gjatë dhe pas pandemisë – 66%

Përdorimi i Transportit publik gjatë pandemisë – 56%

Përdorimi i Transportit publik pas pandemisë – 24%

Kompanitë e Sigurimeve në Angli do të dëmtohen rreth 200.000.000.000 funte

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]