11 milionë euro dëme u paguan për tre muaj

Vetëm gjatë tre mujorit të parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve në Kosovë paguan dëme në vlerë prej hiç më pak se 11 milionë e 28 mijë euro. Në raport me periudhën e njëjte të vitit paraprak pagesa e dëmeve është rritur për 7.4 për qind. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti thotë se sektori i sigurimeve për tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën paraprake, ka rezultuar me një trend më pozitiv në pagesën e dëmeve

Shuma të mëdha parash edhe më tutje vazhdojnë të paguhen nga kompanitë e sigurimeve për dëmet që shkaktohen nëpër aksidente të shumta të komunikacionit. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm gjatë tre mujorit të parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve në Kosovë paguan dëme në vlerë prej hiç më pak se 11 milionë e 28 mijë euro. Në raport me periudhën e njëjte të vitit paraprak pagesa e dëmeve është rritur për 7.4 për qind.  “Gjatë periudhës janar-mars 2019, janë paguar gjithsej 11.028.247 euro dëme ose 7.40% më shumë se  gjatë periudhës janar-mars të vitit 2018”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovë. Aty më tutje theksohet se numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës janar-mars 2019 është ulur me 1,280 dhe arriti shifrën 33,816, nga të cilat 33,741 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 75 nga kompanitë e sigurimit të Jetës.

 

44 milionë euro janë kompensuar gjatë vitit 2018

Gjatë vitit që lama pas një shuma të konsiderueshme të mjeteve kompanitë e sigurimeve e kanë paguar për kompensimin e dëmeve. Sipas të dhënave të BQK-së shihet se shuma e dëmeve që janë kompensuar është mbi 44 milionë euro e që është shuma më e madhe e paguar deri më tash. “Gjatë periudhës janar – dhjetor 2018, janë paguar dëme gjithsej 44,112,734 euro ose 1.20% më shumë se gjatë janar – dhjetor 2017. Numri i dëmeve të paguara në periudhën janar – dhjetor 2018 është ulur për 542 dhe arriti shifrën 139,642 nga të cilat 139,356 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 286 nga kompanitë e sigurimit të Jetës “thuhet më tutje në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës. Përndryshe, kompanitë kosovare të sigurimeve, përgjatë periudhës 16 vjeçare, përkatësisht 2002-2018, kanë paguar rreth 400 milionë euro dëme të aksidenteve të ndryshme në komunikacion. Derisa pagesa e dëmeve që shkaktohen nga automjetet në komunikacion është rritur dukshëm,  nga industria e sigurimeve problem i madh vazhdon të mbetet numri i madh i veturave të pasiguruara që qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës, të cilat vlerësohet se shkaktojnë dëme dhjetëra milionëshe për sigurimet nga aksidentet e ndryshme. Sipas një analize të botuar në medie, nga viti 2002 deri në vitin 2018, kompanitë e siguruara kanë paguar dëme në vlerë mbi 40 milionë euro për dëmet që i kanë shkaktuar veturat e pasiguruara, pasi që vlerësohet se rreth 30 për qind e numrit të përgjithshëm të mjeteve motorike në Kosovë janë të pasiguruara.

 Guvernatori: Trend pozitiv në pagesën e dëmeve

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti ka thënë se bazuar në të dhënat e pranuara të datës 31 mars 2019, vlera e dëmeve të paguara bruto nga sektori i sigurimeve deri më këtë datë arrin në shumë prej 11 milion euro, që është vlerë e njëjtë e pagesës së dëmeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. “Dëmet e ndodhura të sektorit të sigurimeve me 31 mars 2019 janë në shumë prej 11.2 milionë euro që janë më të larta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 10.3 milionë euro. Shprehur në përqindje, raporti dëme/prime më 31 mars 2019 është 54.8%, që është më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 53.7%. Duke marrë parasysh treguesit e lartpërmendur, shihet se sektori i sigurimeve për tremujorin e parë të këtij viti ka rezultuar me një trend më pozitiv në pagesën e dëmeve, krahasuar me periudhën paraprake “ka thënë ai.

FAKTE:

11,028,247 është shuma e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve gjatë tre mujorit të parë të vitit 2019, apo 7,4 % më e lartë se në periudhën e njëjte të vitit paraprak.

44,112,734 euro është shuma e dëmeve që kompanitë e sigurimeve kanë paguar vetëm gjatë vitit 2018. Në raport me vitin paraprak shuma e dëmeve të paguara ishte 1,2 për qind më e lartë.

Mbi 400 milionë euro është vlera e dëmeve të paguara nga industria e sigurimeve nga vitit 2002 deri në fund të tre mujorit të parë të vitit 2019.

Mehmeti: Tatimi në qarkullim e dëmtoi industrinë e sigurimeve

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka theksuar se industria e sigurimeve ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme, kryesisht për shkak të tatimit në qarkullim prej 5 për qind për siguruesit dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara në vend

Sektori i sigurimeve të Kosovës ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme e ndikuar nga disa faktorë, si: Tatimi në qarkullim prej 5 për qind për siguruesit, si dhe dëmet që janë shkaktuar nga automjetet e pasiguruara. Kështu ka theksuar gjatë një interviste guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Fehmi Mehmeti, duke shtuar se megjithatë gjatë dy viteve të fundit ka përmirësim të dukshëm të performancës së këtij sektori.

Gjatë kësaj interviste, Mehmeti ka folur edhe për dëmet e paguara nga industria e sigurimeve, ku, sipas tij, gjatë tre mujorit të parë të këtij viti dëmet e paguara bruto arrijnë shumën e përgjithshme prej 11 milionë euro, përderisa shuma e përgjithshme e dëmeve të shkaktuara gjatë kësaj periudhe ka arritur në 11.2 milionë euro.

Guvernator si e vlerësoni performancën e kompanive të sigurimeve në tre mujorin e parë të vitit 2019, nëse e krahasojmë me periudhën e njëjte të vitit të kaluar?

Mehmeti: Sektori i sigurimeve ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme. Një performancë e tillë është ndikuar nga disa faktorë, prej të cilëve vlen të theksohet tatimi në bruto primin e shkruar, apo tatimi në qarkullim prej 5% për siguruesit, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara, që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës. Marrë parasysh këtë, rezultatet financiare të kompanive të sigurimit gjatë viteve të kaluara kanë qenë negative. Megjithatë, gjatë dy viteve të fundit kemi përmirësim të dukshëm të performancës së sektorit të sigurimeve, kjo si rezultat edhe i masave mbikëqyrëse dhe legjislative që i ka ndërmarrë BQK-ja. Fitimet e realizuara nga sektori i sigurimeve deri më 31 mars 2019 janë në shumë prej 144 mijë euro, që janë më të ulëta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

 “Insig” e humbi aftësinë paguese

Bordi i BQK-së ka marr vendim që t’i merret licenca kompanisë së sigurimeve “Insig”. Pse është marrë një vendim i tillë?

Mehmeti: Duke u mbështetur në pasqyrat financiare të siguruesit në fjalë, është konstatuar që Siguruesi “Insig” ka qenë në mungesë të parave të gatshme në emër të plotësimit të kapitalit minimal dhe të aftësisë paguese të kërkuar me legjislacionin në fuqi. Përveç mungesës së konstatuar të kapitalit dhe aftësisë paguese, siguruesi ka qenë edhe në deficit të aseteve në mbulim të provizioneve teknike.

Rrjedhimisht, Siguruesi nuk i ka përmbushur kërkesat minimale ligjore në raport me mjaftueshmërinë e kapitalit, aftësinë paguese (solvencën) dhe asetet në mbulim të provizioneve teknike. Mungesa e kapitalit, aftësisë paguese dhe aseteve të mjaftueshme në mbulim të provizioneve teknike, në mënyrë të vazhdueshme paraqesin shkelje  ligjore dhe rregullative, të cilat kanë cenuar stabilitetin financiar të siguruesit dhe interesat e policëmbajtësve. Me datë 26 prill 2019, duke u bazuar në nenin 36 paragrafi 1, nënparagrafët 1.11 dhe 1.12 si dhe nenin 67 paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit Nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës si dhe në pajtim me nenin 16 paragrafi 2, nenin 99 paragrafi 6, nenin 100 paragrafi 1 dhe nenin 124 paragrafi 3, nënparagrafi 3.6 të Ligjit Nr.05/L-045 për Sigurimet,Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka marrë Vendim që Siguruesit “Insig” SH.A., Dega Kosovë, t’i revokohet Licenca.

A janë të garantuar të gjithë klientët e kësaj kompanie dhe si do të veproj BQK në lidhje me këtë rast?

Mehmeti: Sipas vendimit të marrë, janë hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm, ku është emëruar edhe likuidatori, i cili do ta drejtojë Siguruesin “Insig” në likuidim. Likuidatori do të sigurojë trajtim të drejtë dhe të barabartë, gjithmonë në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi, ndaj të gjithë kreditorëve.

Likuidatori do të jetë në dispozicion të shqyrtimit të të gjitha kërkesave, në radhë të parë të policëmbajtësve, si dhe kreditorëve të tjerë. Likuidatori do të raportojë në baza mujore në BQK lidhur me mbarëvajtjen e përmbushjes së detyrimeve ndaj kreditorëve. Në të njëjtën kohë, likuidatori gjithashtu do të njoftojë më detajisht të gjithë kreditorët dhe palët e tjera me interes lidhur me mënyrën e komunikimit dhe do të siguroj kontakte të telefonit, emailit dhe lokacionin për paraqitjen e të gjitha kërkesave të policëmbajtësve dhe kreditorëve të tjerë me qëllim të kompensimit të dëmeve të tyre.

A rrezikon edhe ndonjë kompani tjetër e sigurimeve ta humb licencën, apo të gjitha i plotësojnë kriteret e përcaktuara nga BQK?

 Mehmeti:Sikurse jeni në dijeni, BQK-ja në pajtim me detyrat dhe përgjegjësitë e caktuara nga Ligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera përkatëse që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve financiare, është e përkushtuar maksimalisht për të siguruar përputhje dhe pajtueshmëri të plotë të veprimtarisë së institucioneve financiare me kërkesat e përcaktuara nga ligjet dhe rregulloret në fuqi. Ruajtja e aftësisë së institucioneve financiare për të përmbushur detyrimet financiare ka një rëndësi shumë të madhe për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend, që paraqet edhe objektivin primar të BQK-së. Andaj, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së shfrytëzuesve të shërbimeve financiare, BQK-ja mbetet e përkushtuar që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit të sistemit financiar në vend, duke i siguruar ekonomisë së vendit një sistem financiar në funksion të zhvillimit dhe stabilitetit makroekonomik, si dhe një sistem që ofron siguri për të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve financiare.

Trend pozitiv në pagesën e dëmeve

Sa është shuma e dëmeve të paguara në tre mujorin e parë të këtij viti nga kompanitë e sigurimeve dhe a ka vonesa në këtë drejtim?

Mehmeti: Bazuar në të dhënat e pranuara të datës 31 mars 2019, vlera e dëmeve të paguara bruto nga sektori i sigurimeve deri më këtë datë arrin në shumë prej 11 milion euro, që është vlerë e njëjtë e pagesës së dëmeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Dëmet e shkaktuara ndaj sektorit të sigurimeve më 31 mars 2019 janë në shumë prej 11.2 milionë euro, që janë më të larta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për 10.3 milionë euro. Shprehur në përqindje, raporti dëme/prime më 31 mars 2019 është 54.8%, që është më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 53.7%.

Duke marrë parasysh treguesit e lartpërmendur, krahasuar me periudhën paraprake, shihet se sektori i sigurimeve për tremujorin e parë të këtij viti ka rezultuar me një trend më pozitiv në pagesën e dëmeve.

Kompanitë e sigurimeve kanë dalë me ofertë konkrete edhe për sektorin e bujqësisë. Si e vlerësoni ju një vendim të tillë?

 Mehmeti: Sektori i bujqësisë luan një rol të rëndësishëm në Kosovë. Është njëri nga kontribuuesit kryesor të rritjes ekonomike në vend, pas tregtisë me shumicë dhe pakicë. Përtej kësaj, përkrahja për bujqësinë është çështje sociale duke pasur parasysh që veprimtaria bujqësore është mjaft e përhapur në Kosovë si burim jetese për shumicën e popullsisë. Pavarësisht rritjes së eksporteve bujqësore, tregtia e jashtme në bujqësi karakterizohet me një deficit të madh tregtar.

Për këtë arsye, institucionet relevante dhe institucionet financiare në Kosovë janë duke i dhënë rëndësi zhvillimit të këtij sektori të rëndësishëm, duke ndryshuar qasjen e tyre dhe duke zhvilluar produkte të reja të cilat pasqyrojnë më mirë nevojat dhe specifikat e prodhuesve bujqësorë. Këto ndryshime kanë përfshirë futjen e kredive me afate fleksibile të pagesës, grejs periudha, kërkesat më të lehta për kolateral, afate të zgjatura, dhe anulimin e taksave të lëshimit të kredisë.

Me qëllim të përkrahjes së mëtejme të sektorit të bujqësisë, gjatë këtij viti Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, ka filluar me aplikimin e sistemit të sigurimeve bujqësore në Kosovë, me anë të të cilit kjo ministri do të ofrojë subvencione për premitë e sigurimit bujqësor prej 50%, me qëllim të mbështetjes së fermerëve për të siguruar humbjet e mundshme të produkteve bujqësore.

Përmes këtij sistemi tashmë në formë të organizuar do të mbrohet puna dhe të ardhurat e fermerëve, që mund të rrjedhë nga humbjet eventuale të prodhimit ose cilësisë së produkteve bujqësore. Gjithashtu, me anë të këtij sistemi synohet edhe rritja e nivelit të qasjes në financa për sektorin e bujqësisë dhe me këtë edhe rritja e prodhimtarisë bujqësore në vend, që do të ndikojë në rritjen e eksportit dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Bazuar në këtë, sektori i sigurimeve në Kosovë, përveç zgjerimit të gamës së produkteve vullnetare dhe zgjerimit të aktivitetit të saj, do të krijojë edhe një sistem duke rezultuar përfitues për të gjithë sektorët e ndërlidhur – bankat të rrisin kreditimin e bujqësisë duke përdorur sigurimin e produkteve bujqësore si një mjet për të ulur rrezikun kreditor, fermerëve duke ju lehtësuar qasja në financimin e këtij sektori, dhe rrjedhimisht në rritjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të tij.

Është thënë më herët se kompanitë e sigurimeve janë të vetmet që paguajnë tatim ekstra. A prisni që Kuvendi së shpejti ta heq një tatim të tillë?

 Mehmeti: Sikurse e kemi theksuar edhe më parë, çështja e tatimit në qarkullim kundrejt sektorit të sigurimeve prej 5% nuk është në kuadër të kompetencave të BQK-së. Megjithatë, BQK-ja është angazhuar dhe ka kërkuar që kjo çështje të shqyrtohet nga institucionet kompetente. Sikurse jeni në dijeni, Ligji për tatimin në të ardhurat e korporatave ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës, me të cilin është adresuar edhe çështja e mënyrës së tatimit të sektorit të sigurimeve dhe presim shumë shpejt që ky Ligj do të aprovohet nga Kuvendi i Kosovës. Pra, me Ligjin e ri, sektori i sigurimeve do të tatohet në të njëjtën mënyrë sikurse të gjithë sektorët e tjerë.

Rritja e industrisë së sigurimeve gjatë viteve të fundit

Cili është kontributi i industrisë së sigurimeve në sektorin financiar të Kosovës, si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit?

Mehmeti: Industria e sigurimeve në Kosovë është në vitin e 19-të të funksionimit të saj dhe si e tillë përgjatë kësaj periudhe ka kaluar në faza të ndryshme të zhvillimit. Gjatë këtyre viteve kjo industri ka shënuar rritje, si në aspektin e rritjes e numrit të kompanive të sigurimeve, ashtu edhe  bruto primeve të shkruara, si dhe në përgjithësi rritjes në aspektin e aseteve të përgjithshme të industrisë së sigurimeve në vend.

Gjatë këtyre viteve të zhvillimit të sektorit të sigurimeve në Kosovë është arritur të plotësohet mjaft mirë platforma e produkteve të sigurimeve që i nevojiten një ekonomie, prandaj mund të themi se ky sektor është duke dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në rritjen e sigurisë dhe rrjedhimisht, përmirësimin e ambientit për të operuar në ekonominë e Kosovës. Megjithatë, pjesëmarrja prej 3 përqind e tregut të sigurimeve në totalin e sistemit financiar të vendit vazhdon të mbetet në nivel të ulët me hapësirë të lartë për rritje dhe zgjerim të këtij sektori. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është dhe vazhdon të angazhohet për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, por nevojitet aktivitet i shtuar edhe nga industria për ta rritur edukimin financiar të publikut për sa i përket produkteve që ofron industria e sigurimeve.

Vendimi i Kushtetueses për Kryqin e Kuq duhet respektuar

Si e vlerësoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila ka shfuqizuar një nen të ligjit për Kryqin e kuq, nen ky i cili obligonte kompanitë e sigurimeve që 1 për qind të primit t’ia ndajnë Kryqit te kuq ?

Mehmeti: BQK-ja është informuar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me shfuqizimin e paragrafit 1.7 të nenit 14 të Ligjit për Kryqin e Kuq të Kosovës, duke u vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese se nuk është në pajtueshmëri me nenin 24 (Barazia para ligjit), nenin 119 (Parimet e Përgjithshme) si dhe nenin 46 (Mbrojtja e Pronës) të Kushtetutës.

Vendimet e Gjykatës dhe organeve tjera gjyqësore janë obligative dhe të zbatueshme për BQK-në dhe si të tilla duhet respektuar.

 

FAKTE:

144 mijë euro është shuma e përgjithshme e fitimeve të realizuara nga sektori i sigurimeve në tre mujorin e parë të vitit 2019.

11 milionë euro është vlera e dëmeve të paguara bruto nga sektori i sigurimeve të Kosovës gjatë periudhës janar-mars 2019.

11.2 milionë euro është shuma e përgjithshme e dëmeve të shkaktuara ndaj sektorit të sigurimeve gjatë tre mujorit të parë të këtij viti.

Rritet tregu i sigurimeve

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë tre mujorit të parë të këtij viti tregu i sigurimeve në vendin tonë është rritur për 4,17 % në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po ashtu, gjatë këtij tre mujori vlera e primeve të shkruara bruto është rritur me 891,910 euro, duke arritur shifrën 22,290,328 euro. 

Industria e sigurimeve në vendin tonë vazhdon të rritet dhe zhvillohet me hapa të shpejtë pavarësisht problemeve të shuma me të cilat është ballafaquar dhe po përballet edhe sot e kësaj dite. Ndër to janë numri i madh i automjeteve të pasiguruara të cilat qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës, por edhe aplikimi i taksave të ndryshme që nuk janë aplikuar për asnjë korporatë tjetër në vend. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet se gjatë tre mujorit të parë të këtij viti tregu i sigurimeve në vendin tonë është rritur për 4,17 % në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po ashtu, gjatë këtij tre mujori, vlera e primeve të shkruara bruto është rritur me 891,910  euro, duke arritur shifrën 22,290,328 euro.

“Gjatë periudhës janar-mars 2019, tregu i sigurimeve ka pasur një rritje prej 4.17%. Volumi i primeve të shkruara bruto është rritur me 891,910 euro, duke arritur shifrën 22,290,328 euro. Numri i kontratave arriti në 214,950, duke shënuar rritje me 4.77% krahasuar me periudhën janar-mars 2018”, thuhet në raportin e BQK-së. Aty më tutje thuhet se volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jo-Jetës kapi shifrën 21,431,598 euro, duke shënuar rritje në masën 3.55% krahasuar me periudhën  janar-mars 2018. “Numri i kontratave në sigurimin e Jo-Jetës kapi shifrën 211,899 duke shënuar një rritje në masën 4.13%, krahasuar me periudhën janar-mars 2018”, thuhet më tutje në raportin e BQK-së.

Mehmeti: Kemi përmirësim të dukshëm të sektorit të sigurimeve

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti ka thënë se sektori Sektori i sigurimeve ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme. Një performancë e tillë është ndikuar nga disa faktorë, prej të cilëve vlen të theksohet tatimi në bruto primin e shkruar, apo tatimi në qarkullim prej 5% për siguruesit, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara, që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës. “Marrë parasysh këtë, rezultatet financiare të kompanive të sigurimit gjatë viteve të kaluara kanë qenë negative.

Megjithatë, gjatë dy viteve të fundit kemi përmirësim të dukshëm të performancës së sektorit të sigurimeve, si rezultat edhe i masave mbikëqyrëse dhe legjislative që i ka ndërmarrë BQK-ja. Fitimet e realizuara nga sektori i sigurimeve deri më 31 mars 2019 janë në shumë prej 144 mijë euro, që janë më të ulëta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka thënë ai. Sipas tij, Industria e sigurimeve në Kosovë është në vitin e 18-të të funksionimit të saj dhe përgjatë kësaj periudhe ka kaluar në faza të ndryshme të zhvillimit.

Gjatë këtyre viteve kjo industri ka shënuar rritje, si në aspektin e numrit të kompanive të sigurimeve, ashtu edhe në aspektin e aseteve. “Tregu i sigurimeve në Kosovë është i zhvilluar kryesisht në sigurime të detyrueshme, më konkretisht në sigurimet e përgjegjësisë ndaj palës së tretë, përderisa tregu i sigurimeve vullnetare ende përfaqëson një pjesë mjaft të vogël të aktivitetit të kësaj industrie. Gjatë këtyre viteve të zhvillimit të sektorit të sigurimeve në Kosovë është arritur të plotësohet mjaft mirë platforma e produkteve të sigurimeve që i nevojiten një ekonomie, prandaj mund të themi se ky sektor është duke dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në rritjen e sigurisë dhe, rrjedhimisht, përmirësimin e ambientit për të operuar në ekonominë e Kosovës”, është shprehur ai.

Mazreku: Tregu modern dhe inovativ

Sami Mazreku, drejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës thotë se tregu i sigurimeve në Kosovës po ndjek hapat e inovacionit dhe modernizimit. Sipas tij, kompanitë e sigurimeve janë duke u zhvilluar në vazhdimësi, duke i rritur produktet dhe shërbimet për klientë. “Tregu po zhvillohet në vazhdimësi, po ndjek hapat e industrisë së sigurimeve sikurse në shtete të zhvilluara Evropiane. Nga ky vit sektori i sigurimeve ka filluar ofrimin e disa produkteve të reja që nuk i ka ofruar deri më tash. Por, produkte të reja dhe inovative do të prezantohen edhe në ditët dhe muajt në vijim”, ka thënë ai.

Rritet për 82 % numri i qytetareve që kanë siguruar jetën

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2019, numri i qytetareve që kanë siguruar jetën e tyre në dy kompanitë e sigurimit që e ofrojnë ketë shërbim është rritur për 82,73 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit që lamë pas. Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se  volumi i sigurimeve vullnetare po rritet nga dita në ditë

Tregu i sigurimeve të jetës gjatë tre mujorit të parë të këtij viti ka pësuar një rritje të konsiderueshme, krahasuar me periudhat e njëjta të viteve të kaluara. Zhvillimi i vazhdueshëm i këtij sektori nga dy kompani që janë të licencuara për ofrim të produkteve të tilla nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka rritur tej mase interesimin e qytetareve për tu pajisur me policia të tilla kundrejt një çmimi minimal, i cili mund edhe të shërbej si kursim për gjeneratat e reja.

Bazuar në të dhëna zyrtare të BQK-së shihet se nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit mars volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës kapi shifrën 858,731 euro, duke shënuar një rritje në masën 22.55%, krahasuar me periudhën e njëjte të vitit paraprak.

Gjatë kësaj periudhe kohore, numri i kontratave në sigurimin e Jetës arriti në 3,051, duke shënuar një rritje rekorde në masën 82.37% krahasuar me janar-mars 2018. Po ashtu, dinamika e rritjes së numrit të kontratave ka vazhduar edhe gjatë muajit prill të këtij viti.

Rritje për 62,13 % edhe gjatë vitit 2018

Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë vitit 2018 kompanitë që e ofrojnë këtë produkt e kanë mbyllur vitin suksesshëm, duke shënuar rritje të konsiderueshme si në të hyra, ashtu edhe në realizim të numrit të kontratave të lidhura me qytetarë. Gjatë vitit 2018, volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës kapi shifrën 2,951,033 euro, duke shënuar një rritje në masën 16,73% krahasuar me janar – dhjetor 2017. “Numri i kontratave në sigurimin e Jetës arriti në 9,013 duke shënuar një rritje në masën 62.13% krahasuar me janar – dhjetor 2017. Gjatë kësaj periudhe janë paguar dëme më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit që lamë pas. Sami Mazreku, drejtor në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës thotë se tregu i sigurimeve në Kosovës po zhvillohet nga dita në ditë. Sipas tij, kompanitë e sigurimeve po zhvillojnë në masë të madhe produktet e sigurimeve vullnetare e që sipas tij janë shumë të rëndësishme për qytetaret e Kosovës. ​ Sipas tij, kundrejt​ një pagesë minimale të policës së sigurimit vullnetar, kompanitë e sigurimeve mbulojnë rreziqe të mëdha.

Produkti                                 janar-mars 2019        janar-mars 2018        dallimi %

Jeta e debitorit                          1,347                                  950                              +41,79 %

Jeta e kombinuar                     515                                      437                              +17,85 %

Jeta në grup                              1162                                    262                              +343,5 %

Jetë me kursim                        27                                        24                                +12,5

 

FAKTE:

2,951,033 ka qenë vlera e primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës gjatë vitit 2018,duke shënuar një rritje në masën 16,73% krahasuar me janar – dhjetor 2017.

62,13% është rritur numri i kontratave në sigurimin e Jetës, duke shënuar një rritje në masën 62.13% krahasuar me janar – dhjetor 2017. Gjatë kësaj periudhe janë paguar dëme më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit që lamë pas.

 “Nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit mars volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës kapi shifrën 858,731 euro, duke shënuar rritje në masën 22.55% krahasuar me periudhën e njëjte të vitit paraprak, “thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës.

 “Numri i kontratave në sigurimin e Jetës arriti në 3,051, duke shënuar një rritje rekorde në masën 82.37% krahasuar me janar-mars 2018. Po ashtu, dinamika e rritjes së numrit të kontratave ka vazhduar edhe gjatë muajit prill të këtij viti, “thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]