Berisha: Paguam rreth 60 milionë € dëme për aksidentet që shkaktuan veturat e pasiguruara

3:06 / 10 Nëntor 2021

Valon Berisha, drejtor i Departamentit të Financave në Byronë Kosovare, në një intervistë për “iSIGURIME” ka thënë se rritja e vazhdueshme e aksidenteve nga automjetet e pasiguruara është tejet shqetësuese, si për Industrinë e Sigurimeve ashtu edhe për vet shtetin. Sipas tij, që nga përfundimi i luftës e deri më tash për aksidentet që janë shkaktuar nga automjetet e pasiguruara Industria e Sigurimeve ka shpenzuar hiç më pak se 60 milionë euro.

 iSIGURIME: Sa është shuma e përgjithshme e mjeteve financiare që BKS-ja i ka paguar deri më tani për aksidentet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara në komunikacion ?

Berisha: Automjetet e paregjistruara, numri i tyre që qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës është tejet shqetësues, në radhe të parë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, për Industrinë e Sigurimeve, por edhe për vet shtetin. E them për siguri, sepse ato si të tilla janë të pakontrolluara teknikisht dhe paraqesin rrezik serioz për pjesëmarrësit në komunikacion. Dëmtojnë rëndë sektorin e sigurimeve pasi që në bazë të ligjeve të aplikueshme Byroja Kosovare e Sigurimit trajton dhe kompenson policëmbajtësit të cilit janë dëmtuar nga persona me automjete të pasiguruara, por në anën tjetër BKS-ja po e ka shumë të vështirë rimbursimin e këtyre mjeteve duke pasur parasysh zvarritjen e lendeve nëpër gjykata. Si dhe se treti humb shteti, pasi që shuma e taksave që qytetarët paguajnë në momentin e regjistrimit është thuajse e barabartë më shumën mesatare të policës së sigurimit. Është momenti i fundit kur të gjithë së bashku duhet të angazhohemi për ta eliminuar ketë dukuri e cila edhe më tutje vazhdon të jetë një prej barrierave kryesore për mos anëtarësim të Kosovës në Byronë e Kartonit të Gjelbër. Pra, bazuar në të dhënat që disponon BKS-ja, për më pak se 10 vjet shuma e mjeteve që janë shpenzuar për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga automjetet e pasiguruara është më shumë se 35 milionë euro.

iSIGURIME: Në bazë të ligjeve në fuqi, aksidentet që shkaktohen nga automjetet e pasiguruara nga kush kompensohen?

Berisha: Po në bazë të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto përgjegjësia, gjegjësisht nenit 18, përgjegjëse për kompensimin e palëve të dëmtuar nga aksidentet që shkaktohen nga automjetet e pasiguruara është Byroja Kosovare e Sigurimit. Pra, pika 1 e nenit 18 të këtij ligji precizon se personi i dëmtuar të cilit i është shkaktuar dëmi brenda territorit të Republikës së Kosovës nga një mjet motorik, pronari i të cilit nuk është i mbuluar nga sigurimi i auto përgjegjësisë, ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblimin e dëmit nga Byroja. Po ashtu, sipas pikës 2 të nenit 18, në rast dëmi të shkaktuar nga mjeti motorik sipas paragrafit 1. të këtij neni, Byroja garanton për detyrime në kuadër të limiteve të përcaktuara sipas nenit 13 të këtij ligji, pra kompensim dëmi deri në 1 milionë euro, shumë kjo dukshëm më e lartë se sa ajo që e mbulojnë kompanitë e sigurimeve në shtetet rreth nesh. Sipas këtij ligji, më saktësisht pikës katër, Byroja ka të drejtë regresi për këto dëme nga personi përgjegjës dhe atë për shumën e paguar, shpenzimet dhe kamatat, por siç e thash edhe në përgjigjen paraprake, për shkak të zvarritjes së lendeve nga sistemi gjyqësor, shuma e regresit është minimale në raport me dëmet që paguan në vazhdimësi Byroja Kosovare e Sigurimit, të shkaktuara nga automjetet e pasiguruara.

Pagesat e kryera ndër vite

iSIGURIME: Sa është numri i përgjithshëm i dëmeve të paguara nga BKS-ja e që janë shkaktuar nga automjetet e pasiguruara?

Berisha: Aksidentet e shkaktuara nga automjetet e paregjistruara, si në numër ashtu edhe në vlerë janë në parametra shqetësuese. Bazuar në të dhënat zyrtare që disponon BKS-ja, nga një janari e deri më 30 shtator të këtij viti janë 1861 aksidente të shkaktuara nga automjetet e paregjistruara,, dhe vlera e dëmit të shkaktuar është 3 milionë e 905 mijë euro. Vlen të veçohet se vetëm gjatë muajit tetor të këtij viti ne kemi arritur të paguajmë hiç më pak se 1 milionë euro dëme, shifër kjo më e larta që nga themelimi i BKS-së e deri më tash. Në raport me vitin paraprak ka një rritje të dukshme të aksidenteve të shkaktuara nga automjetet e paregjistruara ku gjatë vitit 2020 numri i aksidenteve të shkaktuar nga automjetet e paregjistruara ka qenë 1600, derisa shuma e mjeteve për kompensim ka qenë rreth 3,5 milionë euro. Bazuar në të dhënat që ne disponojmë shihet se në vitin 2019 numri i aksidente të shkaktuara nga automjetet e pasiguruara ka qenë 1769, derisa vlera e dëmit të shkaktuar ishte 4,4 milionë euro; në vitin 2018 numri i aksidenteve të shkaktuara nga veturat e pasiguruara ka qenë 1766, derisa vlera e dëmit të shkaktuar ka qenë 3,4 milionë euro; në vitin 2017 numri i aksidenteve nga automjetet e pasiguruara ka qenë 1993, derisa shuma e dëmeve të shkaktuara 3,3 milionë euro. Në vitin 2016 numri i aksidenteve të shkaktuara nga automjetet e pasiguruara ka qenë 1547, derisa shuma e mjeteve ka qenë 3,3 milionë euro; në vitin 2015 ka qenë 1447, në vlere prej 3.2 milionë euro; në vitin 2014 numri i aksidenteve ka qenë 1891, derisa vlera ka qenë 2,7 milionë euro; në vitin 2013 numri i aksidenteve ka qenë 2345, derisa vlera 3,5 milionë euro; si dhe në vitin 2012 numri i aksidenteve të shkaktuara nga automjetet e pasiguruara ka qenë 2139, derisa shuma ka qenë 3,5 milionë euro. Nëse e shohim nga përfundimi i luftës e deri më tash, për aksidentet që janë shkaktuar nga automjetet e pasiguruara, Industria e Sigurimeve ka shpenzuar hiç më pak se 60 milionë euro.

iSIGURIME: Si vepron BKS-ja ndaj shoferëve që shkaktojnë aksident me automjete të pasiguruara?

Berisha: Po, edhe kjo çështje është e rregulluar me Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto përgjegjësia, në bazë të të cilit, kemi të drejtën e regresit, për shoferët që kanë shkaktuar aksident me automjet të pasiguruar. Por, prapë po e përsëris, për shkak të zvarritjes enorme të lëndëve nëpër gjykata çështja e regresit është pak problematike. Deri më tash për aksidentet që kanë shkaktuar automjetet e pasiguruara, vlera e kalon shifrën mbi 35 milionë euro, derisa kthimi është shumë minimal.

 Rriten aksidentet me automjete të pasiguruara

iSIGURIME: Sa është shuma e mjeteve të rimbursuara për dëmet që janë paguar, të cilat janë shkaktuar nga automjetet e pasiguruara?

Berisha: Shuma e  inkasuar deri më tash në emër të regresit siç e thash edhe më lart, është tejet minimale. Bazuar në të dhënat që në disponojmë, Byroja Kosovare e Sigurimit në emër të regresit për aksidentet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara ka arritur të inkasojë rreth gjysmë milioni euro nga më shumë se 35 milionë sa janë paguar. Me përkrahjen e Bankës Qendrore të Kosovës, por edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, ne synojmë që në një periudhë të shkurtë kohore të pastrojmë së pari listat dhe më tutje të gjithë së bashku të punojmë në ndaljen e këtij trendi shqetësues. Pra, llogaritet së në vendin tonë më shumë se 30 % e automjeteve që figurojnë në sistem janë të paregjistruara, një përqindje shumë e lartë në raport me vendet e rajonit.

iSIGURIME: Në raport me vitin paraprak, sivjet a ka rritje apo rënie të aksidenteve nga automjetet e pasiguruara?

Berisha: Gjithnjë duke iu referuar të dhënave që ne disponojmë, vetëm gjatë periudhës janar-shtator 2021 ka një rritje të aksidenteve prej më shumë se 16 % krahasuar me gjithë vitin 2020. Pra, në çdo vit kemi rritje të dukshme të aksidenteve të shkaktuara nga automjetet e pasiguruara si në numër, ashtu edhe në vlerë. Ne besojmë se me vendimin e fundit që ka marrë ministri Hekuran Murati për heqjen e kushtëzimeve, pra pagesës së tatimit në pronë si kusht për regjistrimin e automjeteve, do të ketë përmirësim në këtë drejtim. Po ashtu ne kemi kërkuar nga Institucionet e vendit që t’i heqin edhe kushtëzimet tjera që janë të vendosura nga MBP-ja, siç është pagesa e tiketave në komunikacion etj.

iSIGURIME: Bazuar në statistikat që i posedon BKS-ja, a janë të përfshira në aksidente edhe automjetet e pasiguruara që janë pronë e institucioneve të Kosovës?

Berisha: Edhe automjetet që janë pronë e Institucioneve të Republikës së Kosovës janë në regjistra të aksidenteve, por jo në numër shumë të lartë. Por, ndonëse janë të izoluara, ka raste kur automjeti i njëjtë,  pronë e Institucioneve të Kosovës, ka shkaktuar aksident dy herë brenda një periudhe të shkurtër kohore. Në bazë të të dhënave që ne posedojnë vlera e dëmit të shkaktuara nga automjetet e pasiguruara që janë pronë e kompanive private, por edhe Institucioneve të Kosovës e që janë paguar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve nis prej 100 euro e kalon mbi 110 mijë euro. Këtu nuk përfshihen edhe demet që janë në trajtim dhe ato që janë nëpër procese gjyqësore.

 iSIGURIMESa është shuma më e lartë financiare që e ka paguar deri më tani BKS-ja për aksidentin e shkaktuar?

Berisha: Shuma më e lartë financiare, që ka paguar BKS deri më tash është 337 mijë euro. Pra, kemi të bëjmë me një rast që ka pasur dëme matriale, por edhe lëndime në njerëz. 

iSIGURIME: Sa e dëmton industrinë e sigurimeve numri i lartë i automjeteve të pasiguruara që qarkullojnë në rrugët e Kosovës?

Berisha: Padyshim se dëmet që shkaktojnë automjetet e pasiguruara janë shumë të mëdha në kuptimin e plotë të fjalës. Vetëm Industria e sigurimeve gjatë dekadës së fundit ka paguar dëme mbi 35 milionë euro për aksidentet që kanë shkaktuar këto vetura. Po kaq, ndoshta edhe më shumë ka humbur shteti nga mos pagesa e taksave që parashihen në momentin e regjistrimit. Ne besojmë se Policia e Kosovës duhet të luajë një rol me të rëndësishëm në luftimin e këtij fenomeni, pasi që në bazë të ligjeve të aplikueshme në momentin kur haset në rrugë një automjet i pasiguruar ai duhet të largohet nga qarkullimi, por fatkeqësisht një gjë e tillë nuk po ndodh sot. Automjetet e pasiguruara përfundimisht duhet të largohen nga qarkullimi për shkak se të njëjtët paraqesin rrezik serioz edhe për pjesëmarrësit në komunikacion.

iSIGURIME: A ka BKS-ja strategji se si të ulet numri i automjeteve të pasiguruara në rrugët e Kosovës?

Berisha: Vlerësohet se rreth 208 mijë automjete të paregjistruara/siguruara qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës, të cilat u shkaktojnë dëme milionësh kompanive të sigurimeve, por edhe buxhetit të Kosovës. Gjatë vitit që lamë pas Shoqata e Sigurimeve e Kosovës kishte përgatitur një projekt propozim për uljen e numrit të mjeteve motorike të paregjistruara/pasiguruara, të cilat çdo vit i shkaktojnë dëme milionëshe industrisë së sigurimeve, por edhe buxhetit të Republikës së Kosovës. Sipas këtij dokumenti, ulja e numrit të mjeteve motorike të paregjistruara dhe të pasiguruara mbetet sfidë e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe palëve të tjera të interesit, siç janë kompanitë e sigurimit. Ky shqetësim, në mënyrë të drejtpërdrejt prek disa institucione për të cilat sipas legjislacionit në fuqi, burojnë të drejta dhe autorizime ligjore për të trajtuar dhe rregulluar çështjen problematike në fjalë. Ajo që duhet vlerësuar paraprakisht është, adekuatshmëria e masave që institucionet dhe palët që janë të autorizuara kanë të drejtë të ndërmarrin për të trajtuar në mënyrë të duhur këtë dukuri. Ndër institucionet me kompetencë për trajtimin e kësaj dukurie, respektivisht regjistrimin e mjeteve motorike në qarkullim rrugor është Ministria e Punëve të Brendshme, ndërkaq kjo çështje me efekt të drejtpërdrejt prek mbikëqyrjen dhe funksionimin që ka institucioni i Bankës Qendrore të Kosovës, Byrosë Kosovare të Sigurimit si dhe kompanive të sigurimit Jo jetë në Republikën e Kosovës. Ky projekt propozim për uljen e numrit të automjeteve motorike të paregjistruara/pasiguruara është i ndarë në tri faza:

Faza 1

Ministria e Punëve të Brendshme duhet të ndërmarrë masat e nevojshme për hartimin e një udhëzimi administrativ për implementim e dispozitës së nenit 3, pikës 48 të Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjetet, ku është dhënë përkufizimi dhe rastet e caktuara kur një mjet motorik mund të trajtohet si mjet jashtë përdorimit, e cila përcakton si vijon: – “mjet jashtë përdorimit konsiderohet çdo mjet (përveç mjetit muzeor), i cili nuk arrin t’i korrigjojë defektet në një afat 60-ditor për t’i përmbushur kushtet e rregullsisë teknike, apo vetë deklarohet si mjet i paaftë për qarkullim në rrugë me rastin e çregjistrimit, apo mbetet i paregjistruar më gjatë se dy (2) vjet. Ndërkaq, sipas nenit 65 të po këtij ligji, përcaktohet si në vijim: “Në rast se një mjet motorik plotëson njërën nga këto kushte, atëherë sipas Nenit 65 të këtij Ligji pronari detyrohet që të paraqesë dëshminë e asgjësimit të mjetit motorik me rastin e çregjistrimit të tij.” Sipas këtyre dispozitave ligjore, Ministria e Punëve të Brendshme do të duhej të nxirrte udhëzimin administrativ që është propozuar, për të trajtuar mjetet motorike të cilat sipas evidencave të Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve nuk kanë vazhduar regjistrimin për më shumë se dy vjet, duke i larguar ato mjete si të rregullta apo nga e drejta për qarkullim rrugor.

 Faza 2

Ministria e Punëve të Brendshme duhet të ndërmarrë veprimet e ngjashme sikur në fazën 1, duke miratuar Udhëzim administrativ të veçantë për regjistrimin e mjeteve motorike për të cilat nuk zbatohet neni 65 i Ligjit për Automjetet (përfshirë neni 3 pika 48 e Ligjit). Në rastet kur nga pronari i mjetit motorik nuk vazhdohet regjistrimi në kohë, por kjo nuk e arrin periudhën e mos regjistrimit prej dy vitesh, sipas udhëzimit administrativ duhet të parashihen masa të caktuara nën periudhat e ndryshme kur ky detyrim përmbushet nga pronari, duke synuar çdo herë edukimin e pronarëve të mjeteve motorike dhe jo ndëshkimin financiar të qytetarëve.

 Faza 3

Për mjetet motorike të cilat janë jashtë përdorimit, qytetarët do të jenë subjekt i gjobave dhe do të jenë të detyruar që të ç’lajmërojnë këto mjete, ashtu që në regjistrat zyrtar të kemi numrin real të mjeteve pa regjistrim dhe kështu, kampanjat e përbashkëta do të jenë të fokusuara në këtë drejtim. Vlerësimi i bazës ligjore për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Automjete është i nevojshëm për të mundësuar dhënien e kompetencave Policisë së Kosovës, për sekuestrimin e mjeteve motorike të cilat nuk janë të regjistruara dhe nuk kanë kontraktuar sigurimin e detyrueshëm nga auto përgjegjësia (MTPL). Në anën tjetër, heqja e çdo kufizimi apo takse shtesë në procedurën e regjistrimit të mjeteve motorike, siç janë taksat komunale, pagesat e gjobave, ndërrimi i pronësisë etj., është e domosdoshme dhe e ligjshme dhe kjo nuk duhet trajtuar si lehtësim për qytetarët por si e drejtë ligjore e kushtetuese. Sipas Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, institucioni i autorizuar për të kontrolluar nëse mjetet motorike në qarkullim kanë kontraktuar sigurimin e detyrueshëm nga auto përgjegjësia është Policia e Kosovës, të cilës duhet dhënë përkrahjen e nevojshme për të arritur objektivat dhe qëllimet e saj në këtë drejtim.

 

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]