Gjatë muajve mars dhe prill të këtij viti, si pasojë e pandemisë COVID-19, shitja e policave të sigurimit ka rënë gati për 50 % krahasuar me muajt paraprak, por edhe me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku thotë se nëse një trend vazhdon edhe në muajt në vijim situata do të rëndohet tej mase
iSIGURIME
Rreth 50 % ka rënë shitja e policave të sigurimit të automjeteve gjatë muajve mars dhe prill të këtij viti si pasojë e pandemisë COVID-19. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet se gjatë kësaj periudhe shitja e policave ka rënë si asnjëherë më parë, duke e dëmtuar rëndë industrinë e sigurimeve.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë muajit mars të këtij viti të gjitha kompanitë e sigurimeve që operojnë në vendin tonë kanë shitur 17,40 polica obligative, nga 30,002 sa ishin në muajin paraprak.
Ndonëse të dhënat zyrtare për muajin prill ende nuk janë publikuar, situatë është e njëjtë, madje edhe më e rënduar është në ketë muaj, ku shitja e policave ka rënë në masën prej 50 %, në raport me periudhën e njëjtë të viti 2019, ku gjatë muajit prill ishin shitur 31,283
Situata po rëndohet
Sami Mazreku, drejtor në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës thotë se nëse trendi i tillë vazhdon edhe në muajt e ardhshëm situata do të vështirësohet tej mase, sepse kompanitë nuk po inkasojnë mjete, derisa në anën tjetër po paguajnë dëme, po e paguajnë stafin dhe shpenzimet tjera operative.
“Po shpresojmë se masat tjera lehtësuese do të fillojnë të aplikohen së shpejti, pasi që situata do të rëndohet edhe më shumë. Në komunikacion ka rritje të dukshme të automjeteve të paregjistruara. Referuar të dhënave zyrtare të Policisë shihet se ditëve të fundit ka rritje të numrit të aksidenteve në raport me ditët paraprake, pasi që është rritur dukshëm fluksi i qytetareve”, ka thënë drejtori Mazreku.
Ai më tutje ka thënë se është e domosdoshme hapja sa më e shpejt e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve, natyrisht duke respektuar të gjitha rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
“Sa më herët që të hapen dëmi do të jetë më i vogël si për kompanitë e sigurimit, ashtu edhe për qytetaret”, ka apeluar më tutje Mazreku.
Kompanitë duhet të ndihmohen
Më tutje, drejtori Mazreku thotë se ashtu sikurse edhe kompanitë tjera private, industria e sigurimeve duhet të ndihmohet nga shteti, sepse është e prekur direkt nga pandemia COVID-19.
“Industria e sigurimeve luan një rol të rëndësishëm si në aspekt ekonomik, ashtu edhe atë social, pasi që direkt dhe indirekt në industri janë të punësuar mbi 5 mijë punëtorë dhe vazhdimi i situatës edhe në muajt në vijim i rrezikon ata”, ka thënë më tutje drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku.
17,040 polica obligative të sigurimit i kanë shitur kompanitë e sigurimeve gjatë muajit mars të vitit 2020.
2,692,696.46 janë të hyrat nga shitja e policave gjatë muajit mars 2020.
42 % ka rënë shitja e policave gjatë muajit mars 2020 në raport me muajin shkurt 2020.
4,257,244 ishin të hyrat nga shitja e policave gjatë muajit shkurt 2020
“Po shpresojmë se masat tjera lehtësuese do të fillojnë të aplikohen së shpejti, pasi që situata do të rëndohet edhe më shumë. Në komunikacion ka rritje të dukshme të automjeteve të paregjistruara. Referuar të dhënave zyrtare të Policisë shihet se ditëve të fundit ka rritje të numrit të aksidenteve në raport me ditët paraprake, pasi që është rritur dukshëm fluksi i qytetareve”, ka thënë drejtori Sami Mazreku.