Programi i USAID-it Drejtësia Komerciale në bashkëpunim me Shoqatën e Sigurimeve dhe Bankën Qendrore të Kosovës organizuan tryezën e rrumbullakët ku u diskutua për metodat e Zgjidhjes Alternative të Mosmarrëveshjeve, arbitrazhin dhe ndërmjetësimin.
Pjesëmarrësit diskutuan lidhur me rëndësinë e arbitrazhit dhe ndërmjetësimit, sfidat dhe nevojën për të promovuar përdorimin e këtyre metodave në funksion të zgjidhjes më të shpejtë të kontesteve biznesore, në krahasim me procedurat e rregullta gjyqesore.
Pjesëmarrësit u njoftuan lidhur me mundësitë që ofrojnë këto dy metoda alternative të zgjidhjes së kontesteve, ku në vecanti u diskutua për risitë që ka sjellur Ligji për Ndërmjetësimin lidhur me referimin e rasteve në procedurë të ndërmjetësimit nga gjykatat.
Përfaqësuesit e sektorit të sigurimeve theksuan nevojën për promovimin e ndërmjetësimit dhe arbitrazhit dhe rritjen e vetëdijes te qytetarët për mundësitë që ofrojnë këto mekanizma për zgjidhjen e kontesteve, gjë që do të ndikonte që qytetarët të shfrytëzojnë ndërmjetësimin dhe arbitrazhin si metoda për të zgjidhur mosmarrëveshjet jashtë gjykatave.
Pjesëmarrësit u dakorduan që të bashkëpunojnë ngusht për adresimin e rekomandimeve të dala nga tryeza, sidomos për përfshirjen e klauzolave të ndërmjetësimit dhe arbitrazhit në kontratat e sektorit të sigurimeve, me koordinim paraprak me BQK-në si rregullator dhe me përkrahjen e Programit të USAID-it Drejtësia Komerciale. / Shoqata e Sigurimeve të Kosovës /