Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku është pritur në takim nga Erdon Gjinolli, Udhëheqës i Shërbimit Administrativ në Odën e Noterëve të Kosovës.
Në takim, Mazreku ka njoftuar Gjinollin lidhur me pengesën e madhe në zhvillimin e industrisë së sigurimeve e cila ndërlidhet me qarkullimin në trafikun rrugor të traktorëve dhe mjeteve të tjera, pa qenë të pajisur me regjistrim dhe sigurim të detyrueshëm.
Lidhur me këtë, ka propozuar që të vlerësohet infrastruktura ligjore ashtu që të krijohen mundësitë që për këto mjete, poseduesit e tyre të kenë mundësi që të krijojnë të drejtën e pronës mbi to në mënyrë që të pajisen me certifikata valide të regjistrimit dhe qarkullimit të atyre mjeteve nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Po ashtu, Gjinolli u zotua se lidhur me këtë çështje do të shiqohen të gjitha mundësitë për të ofruar zgjidhje praktike dhe të ligjshme ashtu që të mënjanohet çdo pengesë e mundshme për të mundësuar rregullimin e kësaj problematike.
Gjithashtu, në takim është theksuar se partner në këtë proces duhet të jetë edhe Ministria e Bujqësisë, e cila është në kontakt më të afërt me poseduesit e mjeteve në fjalë për shkak të raporteve të mëhershme që mund të kenë pasur me rastin e ndarjes së subvencioneve apo ofrimin e shërbimeve të tjera.