Gjysmë miliardë euro dëme të paguara nga sigurimet

11:49 / 30 Dhjetor 2019

Gati gjysmë miliardë euro ka arritur shuma e dëmeve që kompanitë e sigurimeve që operojnë në vendin tonë kanë paguar gjatë 19 viteve sa operojnë në tregun kosovar. Bazuar në statistika zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet se pagesa e dëmeve nga viti në vit është duke u rritur dukshëm. Sami Mazreku, drejtor në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës thotë se pagesa e dëmeve është prioritet kryesor i industrisë së sigurimeve në Kosovë.

 iSIGURIME

Kompanitë e sigurimeve që operojnë në tregun kosovar, pavarësisht situatës së rëndë më të cilën ato janë ballafaquar, sidomos gjatë viteve të fundit, për shkak të numrit të madh të aksidenteve të shkaktuara nga automjetet e pa siguruara, kanë arritur të paguajnë dëme ndaj qytetarëve në shumë prej rreth gjysmë miliardë euro. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në konferencën e organizuar për nder të 20 vjetorit të themelit të BQK-së, ka thënë se sektori sigurimeve ka treguar aftësi të kënaqshme për të mbuluar obligimet ndaj mbajtësve të policave të sigurimit. Po ashtu, edhe drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, thotë se pagesa e dëmeve me kohë sa më të shpejt ka qenë dhe mbetet prioritet kryesor i kompanive.

 Guvernatori: Kompanitë e sigurimeve kanë treguar aftësi të kënaqshme për të mbuluar obligimet ndaj mbajtësve të policave

 Fehmi Mehmeti, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, thotë se te industria e sigurimeve po vërehet një trend më pozitiv në pagesën e dëmeve, krahasuar me periudhën paraprake. Guvernatori Mehmeti po ashtu në konferencën e organizuar për nder të 20 vjetorit të themelit të BQK-së ka thënë se sektori i sigurimeve është rritur në vazhdimësi dhe ka treguar aftësi të kënaqshme për të mbuluar obligimet ndaj mbajtësve të policave të sigurimit.

Mazreku: Pagesa e dëmeve prioritet i kompanive

Sami Mazreku, drejtor në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës thotë se pagesa e dëmeve është prioritet kryesor i industrisë së sigurimeve në Kosovë. Më tutje Mazreku thotë se pagesa e dëmeve është bërë në vazhdimësi me kohë, pavarësisht problemeve më të cilat është ballafaquar industria, sidomos gjatë viteve të fundit. Ai më tutje thotë se rritja e vazhdueshme e aksidenteve sidomos nga automjetet e pasiguruara ka sjellë probleme në industri. Por, sipas tij, pavarësisht të gjitha këtyre, kompanitë në vazhdimësi kanë rritur pagesat për dëmet e shkaktuara në aksidente komunikacioni. “Nëse u referohemi të dhënave zyrtare shihet se gjatë 10 mujorit të parë të këtij viti të gjitha të hyrat e kompanive janë 73,2 milionë euro, derisa në këtë periudhë dëme janë paguar më shumë se 41 milionë euro. Kjo flet shumë! Pra më shumë se 50 % të të hyrave janë destinuar për pagesa të dëmeve”, ka thënë Mazreku.

 Pagesat e dëmeve ndër vite

Gjithnjë  duke u bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet se gjatë 10 muajve të parë të vitit 2019 të gjitha kompanitë e sigurimeve që operojnë në vendin tonë kanë paguar dëme prej 41 milionë euro. Gjatë vitit 2018 kompanitë e sigurimeve kishin paguar dëme prej 42,7 milionë euro, derisa gjatë vitit 2017 shuma e dëmeve të paguara kishte arritur 42,1 milionë euro. Në vitin 2016 dëmet e paguar kishin arritur në 36,8 milionë euro, në vitin 2015 ato kishin arritur në 36,9 milionë euro deri sa në vitin 2014 shuma e dëmeve të paguara kishte arritur në  31,1 milionë euro. Sipas statistikave zyrtare të BQK-së në vitin 2013 shuma e dëmeve të paguara kishte arritur në 38,4 milionë euro, në vitin 2012 30,5 milionë euro, në vitin 2011 26,8 milionë euro si dhe në vitin 2010 dëmet e paguara nga industria e sigurimeve kishin arritur vlerën në 26,5 milionë euro. Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna zyrtare shihet se në fund të vitit 2009 shuma e dëmeve të paguara nga industria e sigurimeve ka arritur vlerën në 18,8 milionë euro, derisa në fund të vitit 2008 shuma e dëmeve të paguara kishte arritur në 17,6 milionë euro. Pavarësisht të hyrave jo të larta një shumë e konsiderueshme e mjeteve në emër të dëmeve është paguar edhe vitin 2007, e cila sipas të dhënave të siguruara nga BQK-ja kishte arritur në 12,8 milionë euro. Po ashtu, në vitin 2006 ishin paguar dëme në vlerë prej 10,9 milionë euro, në vitin 2005 ishin paguar dëme në vlerë prej 9,1 milionë euro, në vitin 2004 në vlerë prej 6,7 milionë euro, në vitin 2003 janë paguar dëme në vlerë prej 5,5 milionë euro, deri sa në fund të vitit 2002 ishin paguar dëme në vlerë prej 3,5 milionë euro. (Shoqata e Sigurimeve e Kosovës)

 

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]