Guvernatori Mehmeti: Reforma pozitive kanë ndodhur në Byronë Kosovare të Sigurimeve

12:04 / 28 Shtator 2021

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka deklaruar se industria kosovare e sigurimeve ka treguar një performancë të favorshme, e cila është rezultat i reformave që janë ndërmarrë në këtë sektor. I pari i BQK-së me notë shumë të lartë i ka vlerësuar edhe zhvillimet në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), e cila udhëhiqet për gati 1 vit nga Sami Mazreku, ku sipas tij, kanë ndodhur reforma pozitive.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka theksuar se industria e sigurimeve në Kosovë ka pasur performancë më të favorshme gjatë kësaj kohe, si rezultat i reformave që janë ndërmarrë në këtë sektor. Këto komente Mehmeti i ka bërë në një intervistë për shtojcën e specializuar të sigurimeve “iSigurime”, duke shtuar se përveç përmirësimit ne treguesit financiar dhe në kapitalizim, ka pasur përmirësime të dukshme edhe në zbatimin e modeleve moderne të qeverisjes korporative.

Me notë shumë të lartë i pari i BQK-së e ka vlerësuar edhe punën e Byrosë Kosovare të Sigurimeve(BKS), e cila qe një vit udhëhiqet nga Sami Mazreku. Në këtë institucion (BKS), sipas guvernatorit të BQK-së, kanë ndodhur shumë reforma pozitive, të cilat nuk kanë qenë të lehta, por gjithsesi e kanë rritur performancën dhe efiçencën në kuadër të BKS-së.

Megjithatë, ai ka shtuar se është e rëndësishme që përtej rezultateve aktuale, të synohen përmirësime të mëtejme që lidhen me ndarjen e rezervave, pagesën e dëmeve e mbi të gjitha, që të ketë konsistencë në pagesë të dëmeve ndërmjet BKS-së dhe kompanive individuale.

Guvernatori me këtë rast i sugjeron BKS-në të marrë rol më proaktiv në komunikim me publikun, me qëllim që qytetarët, siç thotë ai, të jenë të informuar për të drejtat e tyre, me strukturën ligjore të BKS-së, përgjegjësitë e BKS-së në kuadër të fondit të kompensimit dhe rolin e BKS-së në edukimin e publikut lidhur me sigurimin e detyrueshëm, poashtu, komunikimin me institucionet qendrore për reduktimin e automjeteve të pasiguruara.

Mehmeti: Prioritet kryesor gjatë mandatit tim e kam pasur rregullimin e plotë të industrisë së sigurimeve

Prej kohës që e keni marrë pozitën e guvernatorit në BQK-së shumë zhvillime pozitive kanë ndodhur në fushën e sigurimeve të Kosovës. Ky sektor që më herët ka performuar me humbje, tash po performon pozitivisht. A do të mund t’i veçoni së paku tri zhvillimet më pozitive të këtij sektori në vitet e fundit, në mënyrë të detajizuar? 

Mehmeti: Industria e sigurimeve në Kosovë përgjatë mbi dy dekadave të funksionimit është ballafaquar me shumë probleme. Ndër problemet kryesore ka qenë qeverisja e dobët korporative, vonesa në pagesën e dëmeve, e deri te shkeljet më serioze siç janë mungesa e kapitalizimit dhe provizionimit sipas kërkesave ligjore. Megjithatë, gjatë mandatit tim e kam vendosur në prioritetin kryesor rregullimin e plotë të kësaj industrie, duke filluar nga kapitalizimi. Kemi bërë përpjekje serioze për t’u dhënë mundësi dhe kohë brenda afateve ligjore kompanive që të rregullohen duke shtuar kapital. Në raste kur nuk ka pasur përgjigje për kapitalizim dhe provizionim, kemi revokuar licenca. Me fillimin e këtyre masave kemi parë një përgjigje intensive nga industria pasi që aksionarët e siguruesve kanë shtuar rreth 15 milionë euro kapital për një periudhë të shkurtër kohore. Si rrjedhojë, për herë të parë në kohë shumë të gjatë, në shtator 2020, industria ka qenë e provizionuar me mbi 100%. Ekzistojnë edhe disa probleme më të vogla, të cilat jemi duke i zgjidhur dhe presim që në vitin 2022 ta fillojmë me një industri plotësisht të kapitalizuar dhe me një industri mbi 100% të provizionuar.

Si ka qenë performanca e kompanive të sigurimeve në kohën kur e keni marrë drejtimin e BQK-së dhe si është këtë vit, a mund ta bëni një krahasim? 

Mehmeti: Industria e sigurimeve ka pasur performancë më të favorshme gjatë kësaj kohe si rezultat i reformave që i kemi ndërmarrë. Përveç përmirësimit në treguesit financiarë dhe në kapitalizim, ka pasur përmirësime të dukshme edhe në zbatimin e modeleve moderne të qeverisjes korporative. Krahasuar me të kaluarën, sot mund të them se është një kompani që është nën kërkesën ligjore për kapitalizim dhe provizionim, ndërsa në të kaluarën kanë qenë deri në 7 kompani. Kjo kompani është nën masën ligjore të administrimit dhe nëse deri në fund të muajit nuk i përmbush kriteret ligjore, pritet të ndërmerren masa të mëtejme. Në dy raste të tjera, janë dy kompani që janë në proces të adresimit të vërejtjeve sipas raporteve zyrtare të BQK-së, nga ekzaminimet.

 Kosova vendi i parë në rajon që do ta modernizojë industrinë e sigurimeve në nivel të krahasueshëm me BE-në. Edhe industria e sigurimeve të Kosovës vitin e kaluar është ballafaquar me pasojat e pandemisë COVID-19.  Ku konkretisht është goditur ky sektor dhe a ka filluar të rikuperohet këtë vit? 

Mehmeti: Pasojat e pandemisë COVID-19 janë ndjerë në çdo sektor të ekonomisë në Kosovë. Njësoj, efektet janë reflektuar edhe në industrinë e sigurimeve, kjo si rezultat i mbylljes për një periudhë kohore dhe nuk ka pasur vazhdimësi të sigurimit të automjeteve në vend. Megjithatë, përgjatë kësaj kohe, ka pasur edhe më pak dëme si rezultat i trafikut pothuajse të mbyllur. Rrjedhimisht, efektet e pandemisë kanë qenë deri diku të neutralizuara, por që efektet afatgjata mund të marrin kohë për t’u vërejtur. BQK-ja megjithatë, tani së bashku me Bankën Botërore është duke zhvilluar modele të avancuara ku ne do të arrijmë të parashohim efektet e situatave të ngjashme me pandeminë në industrinë e sigurimeve.

Këto modele janë të ndërlidhura me një varg reformash substanciale, më të avancuarat në rajon, që kanë të bëjnë me liberalizimin e tregut, zhvillimin e stres-testit për industrinë e sigurimeve dhe analizat e senzitivitetit si dhe përfundimisht, lëvizjen drejt rregullativës së Solvencës II. Të gjitha këto reforma nuk do të jenë të lehta për industrinë, por Kosova do të jetë vendi i parë në rajon që e modernizon industrinë e sigurimeve në nivel të krahasueshëm me vendet e Bashkimit Evropian.

 BQK-ja ka vërejtur ulje të shpenzimeve operacionale në BKS dhe rritje të pagesës së dëmeve.Tash e një vit kanë ndodhur ndryshimet në menaxhmentin e Byrosë së Sigurimeve të Kosovës, institucion ky që mbikëqyret nga BQK-ja. Si e vlerësoni punën njëvjeçare të këtij institucioni? 

Mehmeti: Konsideroj se BKS është karakterizuar me reforma pozitive. Këto reforma nuk kanë qenë të lehta por gjithsesi e kanë rritur performancën dhe efiçencën në kuadër të BKS-së. Megjithatë, është e rëndësishme që përtej rezultateve aktuale, të synohen përmirësime të mëtejme që lidhen me ndarjen e rezervave, pagesën e dëmeve e mbi të gjitha, që të ketë konsistencë në pagesë të dëmeve ndërmjet BKS-së dhe kompanive individuale. Gjithashtu, BKS duhet të marr rol më proaktiv në komunikim me publikun me qëllim që qytetarët të jenë të informuar lidhur me të drejtat e tyre, me strukturën ligjore të BKS-së, përgjegjësitë e BKS-së në kuadër të fondit të kompensimit dhe rolin e BKS-së në edukimin e publikut lidhur me sigurimin e detyrueshëm e po ashtu, komunikimin me institucionet qendrore për reduktimin e automjeteve të pasiguruara.

 A ka arritur BKS-ja ta rris performancën pas ndryshimeve që kanë ndodhur në menaxhmentin e saj? 

Mehmeti: Gjithsesi se ka pasur përmirësime të konsiderueshme. Ne e vlerësojmë shumë faktin se kompanitë e sigurimeve kanë qenë më të përgjegjshme në raport me Fondin e Kompensimit dhe kjo është njëra ndër fushat kryesore në përgjegjësi të BKS-së. Përtej kësaj, në BQK kemi vërejtur se ka pasur ulje të shpenzimeve në buxhetin e BKS-së për çështje operacionale dhe administrative ndërsa ka pasur rritje të buxhetit për pagesë të dëmeve. Ne e vlerësojmë këtë pozitivisht, pasi që në të kaluarën, BQK ka pasur raste kur ka refuzuar buxhetin e BKS-së pikërisht për mos rritje të buxhetit për pagesë të dëmeve. Çështjet tjera të natyrës operacionale që rrisin efektivitetin e BKS-së ne si BQK i konsiderojmë se janë në përgjegjësi të trupave vendimmarrëse në kuadër të BKS-së.

A ka pasur BKS-ja progres në pagesën e dëmeve të automjeteve gjatë këtij viti? 

Mehmeti: BQK konsideron se përkundër përmirësimeve sporadike që mund të ndodhin, duhet të insistohet në një zhvillim të qëndrueshëm dhe reduktim maksimal të dëmeve. Prandaj, si BQK do të vazhdojmë të argumentojmë se BKS duhet me çdo mekanizëm ta rrisë efiçencën dhe të përmirësoj edhe më tej pagesën e dëmeve.

 Marrëveshja me Malin e Zi, pozitive për qytetarët e Kosovës. Këtë verë për herë të parë qytetarët e Kosovës kanë udhëtuar në Mal të Zi pa e paguar taksën prej 15 eurosh. A është kjo njëra ndër arritjet kryesore të BKS-së? 

Mehmeti: Konsideroj se marrëveshjet e tilla, jo vetëm me Malin e Zi por me çdo vend në rajon janë pozitive për qytetarët e vendit. Megjithatë, duhet të punojmë për një qasje që zgjidh problemin në mënyrë permanente, që nënkupton anëtarësimin në kartonin e gjelbër.

 Mbulimi i policave kufitare për diasporën

Sivjet e Qeveria e Kosovës e ka mbështetur financiarisht pagesën e policave kufitare për mërgimtarët. A duhet të vazhdojë kjo traditë apo duhet të gjinden një model tjetër? 

Mehmeti: Këtë vit dhe vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me BQK-në dhe BKS-në kanë nënshkruar marrëveshjen për mbulimin financiar të policave për diasporën e Kosovës. Konsideroj se për vitin 2020 dhe 2021 ka ekzistuar arsyeja ekonomike, duke pasur parasysh se synimi i Qeverisë ka qenë që të lehtësohet ardhja e diasporës në vend pasi që diaspora paraqet një burim të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik në vend. Përgjatë vitit 2021, ka pasur një fluks të jashtëzakonshëm të diasporës. Ne besojmë se ky fluks e ka përmirësuar substancialisht aktivitetin ekonomik në vend. Megjithatë, nuk konsideroj se pagesa e policës kufitare për mërgimtarët është zgjidhje e qëndrueshme. Kjo pagesë paraqet barrë të konsiderueshme financiare për buxhetin e Republikës së Kosovës. Përveç që paraqet barrë financiare, konsideroj se duhet të orientojmë angazhimet tona në drejtim të anëtarësimit të Kosovës në Kartonin e Gjelbër. Nëse për ndonjë arsye, edhe politike, nuk arrihet kjo në periudhë afatshkurtër, duhet të fokusohemi që përmes një vendi të tretë së sigurojmë mekanizmat që të jetë e mbuluar edhe Kosova me Karton të Gjelbër. Të mos harrojmë, kostoja e policës kufitare është shumë më e lartë nga shtetet tjera që e aplikojnë për qytetarët e Kosovës kur ata udhëtojnë në ndonjë vend të Bashkimit Evropian. Prandaj, me qasjen tonë në Karton të Gjelbër, ne mbrojmë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Synimi juaj është anëtarësimi i Kosovës në Byronë e Kartonit të Gjelbër. Çfarë angazhimesh po bëhen në këtë drejtim dhe kur pritet të ndodhë një gjë e tillë? 

Mehmeti: Ne vazhdimisht kemi pasur angazhime konkrete për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër. Edhe me institucionet qeveritare jemi në koordinim, ku tani është themeluar grupi i përbashkët punues për këtë qëllim. Ne do të japim kontributin tonë maksimal që të anëtarësohemi. Në rast të ndonjë vështirësie për arsye politike, ne synojmë që të sigurojmë mbulueshmëri të Kosovës nga një vend i tretë në raport me policën që rrjedhë nga marrëveshja e Kartonit të Gjelbër.

 Kosova i ka plotësuar 2 nga 3 kushtet kryesore për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër

Kusht për anëtarësim në Byronë e Kartonit të Gjelbër është edhe ulja e numrit të automjeteve të paregjistruara. Kohë më parë keni marrë iniciativë për uljen e një numri të tillë dhe a ka progres në këtë drejtim? 

Mehmeti: Kosova i ka plotësuar 2 nga 3 kushtet kryesore për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër. Këto kushte përfshijnë themelimin e Byrosë Kosovare për Sigurim, aprovimin e Ligjit për Sigurim dhe uljen e numrit të automjeteve të pa siguruara. Duhet ta kemi parasysh se kjo e fundit nuk është e përfunduar pasi që numri i automjeteve të pasiguruara vazhdon të jetë i lartë. Ekzistojnë shifra të ndryshme lidhur me numrin e automjete të pasiguruara, që flasin për rreth 25-30% të automjeteve që qarkullojnë pa policë sigurimi. Unë konsideroj se kjo shifër është e ekzagjeruar pasi që data baza e regjistrimit në kuadër të MPB-së nuk i është nënshtruar një procesi të pastrimit. Megjithatë, numri është tejet i lartë dhe në nivele të papranueshme. Këtë e them duke u bazuar në faktin se rreth 15% të aksidenteve në vend kanë përfshirje direkt të automjeteve të pasiguruara ndërsa si vlerë e dëmeve, rreth 17% e dëmeve paguhen në këto aksidente. Këto janë shifra të larta. Vendet e rajonit, para anëtarësimit në Kartonin e Gjelbër kanë pasur rreth 2-3% të automjeteve të pasiguruara. Prandaj, Kosova për të arritur anëtarësim në kartonin e gjelbër, duhet të synojë reduktimin në të paktën 2-3% të të gjithsej automjeteve të pasiguruara.

 

 

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]