Në Podgoricë të Malit të Zi është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Malit të Zi për heqjen e sigurimit kufitar ndërmjet të dyja vendeve.
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku tha se kjo është marrëveshje që i hap rrugë të dyja vendeve për lëvizje të lirë.
“Neve si Kosovë kjo marrëveshja na hap rrugën edhe të aspiratave që të jemi pjesë e Kartonit të Gjelbër”, tha Mazreku.
Në bazë të marrëveshjes, nga 1 korriku, qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë sigurim kufitar në vlerë prej 15 euro me rastin e hyrjes në territorin e Malit të Zi.
Ndërsa, zëvëndëskryeministri, Abazoviq përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se qytetarët malazezë tani do të jenë në gjendje të udhëtojnë në territorin e Kosovës me një karton të gjelbër.
Përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, po sfidohen nga dy probleme thelbësore. Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe së dyti, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasiguruara në qarkullim, çka e bën të pamundur sigurimin e Kartonit të Gjelbër.
Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj). (Top Chanel)