Komunat, me rastin e regjistrimit të automjeteve, qe një vit shkelin kërkesën e Avokatit të Popullit për moskushtëzim të pagesës së tatimit në pronë

7:43 / 21 Shtator 2020

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, përmes një shkrese i është drejtuar Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, Hilmi Jasharit, nga i cili ka kërkuar inicimin e procedurës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, përkatësisht pezullimin e shërbimeve komunale me të cilat kushtëzohet regjistrimi i automjeteve.

Kjo kërkesë që mban datën 24 qershor 2019, sipas Mazrekut, dispozita aktuale e Ligjit cenon të drejtat e njeriut në shfrytëzimin e shërbimeve komunale, të cilat janë të barabarta për të gjitha palët pa dallim.

“Jam i vetëdijshëm dhe e kuptoj që obligimet tatimore duhet t’i përmbush secili individ, mirëpo veprimi institucional në drejtim të pezullimit të shërbimeve komunale, nëse ekzistojnë obligimet tatimore të papaguara, përbën shkelje të të drejtave të njeriut lidhur me shfrytëzimin e shërbimeve komunale. Aq më tepër, ky veprim është i papranueshëm kur kemi parasysh se për shërbime komunale subjektet duhet të paguajnë taksën, e cila është e paraparë në aktet e brendshme komunale, prandaj kushtëzimet e tilla përbëjnë shkelje”, thuhet mes tjerash në letrën e Mazrekut drejtuar Avokatit të Popullit.

Komunat mund t’i realizojnë obligimet tatimore përmes përmbarimit

Sipas Mazrekut, “nëse analizohet me kujdes neni 30 i po këtij Ligji vërehet që Komuna mund të bëjë propozim për përmbarimin e obligimeve tatimore të papaguara. Prandaj nëse ligji ka lënë mundësi që Komuna mund t’i realizojë obligimet tatimore përmes përmbarimit, atëherë kushtëzimi i realizimit të shërbimeve komunale është i papranueshëm”, thuhet mes tjerash në këtë letër.

Në anën tjetër, në Raportin e Avokatit të Popullit lidhur me kushtëzimin për regjistrimin e automjeteve pa paguar gjobat është konstatuar se kushtëzimet e kësaj natyre përbëjnë shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut.

“Rasti i kushtëzimit me pagesën e detyrimeve të tatimit në pronë është identik me atë të kushtëzimit për mosregjistrimin e mjetit motorik për shkak të mospagesës së gjobave të komunikacionit, e të cilat sipas Ligjit kanë titull ekzekutiv dhe të njëjtat mund të përmbarohen”, shkruhet në letrën e Mazrekut.

Kushtëzimet, shkelje e të drejtave të garantuara me Kushtetutë

Sipas drejtorit të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, çështja shqetësuese dhe problematike në këtë rast është se Ministria e Punëve të Brendshme, duke kërkuar dëshminë e pagesës së taksës komunale, në mënyrë të drejtpërdrejtë Komunat përkatëse janë duke detyruar dhe kushtëzuar qytetarët me pagesën e tatimit në pronë, në mënyrë që të lëshojnë dëshminë mbi pagesën e taksës komunale. Ky kushtëzim është përshkallëzuar edhe më shumë në aspektin negativ, pasi që, sipas Mazrekut, Komuna të caktuara janë duke mbledhur edhe detyrimet e pagesës së mbeturinave, ujit etj., e cila edhe më shumë rëndon pozicionin e qytetarit me rastin e regjistrimit të mjetit motorik.

“Pra kushtëzimi i pagesës së një mori taksash për të regjistruar mjetin motorik, të cilat si procese nuk kanë asnjë ndërlidhje ndërmjet tyre, paraqet shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutën e Kosovës”, shkruan Mazreku.

Prandaj, Mazreku ka kërkuar nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, që t’i rekomandojë Kuvendit të Kosovës që ta ndryshojë dhe ta plotësojë Ligjin Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, konkretisht ta fshijë nenin 29 të këtij Ligji, i cili përcakton mundësitë e Komunave që t’i pezullojnë shërbimet komunale ndaj personave që i kanë të papaguara obligimet tatimore ndaj komunave.

  Avokati i Popullit e pranon kërkesën

Në anën tjetër, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, rreth një muaj më vonë, përkatësisht më 11 korrik 2019 i dërgon Mazrekut duke e njoftuar për pranimin e kërkesës së tij.

Sipas këtij njoftimi, Institucioni i Avokatit të Popullit, në bazë të nenit 21.1. të Ligjit për Avokatin e Popullit, ka shqyrtuar ankesën tuaj, të paraqitur me 24.06.2019, lidhur me pohimet për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, apo keqpërdorim nga autoritetet publike dhe në pajtim nenin 21.1.2. të Ligjit për Avokatin e Popullit, ka vendosur si të pranueshme ankesën, për hetimin e shkeljeve eventuale të pohuara.

“Institucioni i Avokati të Popullit, në bazë të nenit 39 të Rregullores së punës, nr. 02/2016 të Institucionit të Avokatit të Popullit, ankesën tuaj e ka regjistruar në regjistrin e të dhënave me këtë numër: ankesa nr. [534/2019]. Në rast se kontaktoni me Institucionin e Avokatit të Popullit, lidhur me ankesën tuaj, si dhe në rast të letërkëmbimit, Ju lutemi t’i referoheni numrit të ankesës suaj. Ju duhet të bashkëpunoni dhe t’u përgjigjeni kërkesave të Institucionit të Avokatit të Popullit për informacione, dokumente apo sqarime shtesë. Dështimi për bashkëpunim mund të konsiderohet si humbje e interesimit tuaj për trajtimin e ankesës dhe si rrjedhim mund të mbyllet hetimi për rastin tuaj. Ky njoftim është bërë në bazë të nenit 21.2. të Ligjit për Avokatin e Popullit, nr. 05/L-0 19”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari.

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]