Mazreku: Dëme milionëshe u shkaktuan nga pandemia Covid-19

8:19 / 16 Nëntor 2020

Sami Mazreku, ushtrues i detyrës së drejtorit në Byronë Kosovare të Sigurimeve, në një intervistë për “iSIGURIME” ka thënë se pasojat nga COVID-19 janë shumë të mëdha për këtë institucion, pasi që shëtitja e policave deri në fund të muajit gusht të këtij vitit ka rënë për 63,1 % në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Mazreku thotë se problem tjetër serioz është edhe rritja e vazhdueshme e automjeteve të pa siguruara. Sipas tij, është momenti i fundit kur të gjitha Institucionet duhet të punojnë së bashku për ta ulur këtë trend, e cila është njëra prej pengesave për anëtarësimin e Kosovës në Byronë e Kartonit të Gjelbër, ka raportuar “iSIGURIME”.

 iSIGURIME: Z.Mazreku, ka një muaj që ju jeni emëruar si ushtrues i detyrës së drejtorit në Byronë Kosovare të Sigurimeve, emërim i cili erdhi pas sukseseve tuaja të shumta në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës. Cili është plani juaj i ardhshëm në krye të këtij Institucioni të rëndësishëm ?

 Mazreku: Ka më shumë 14 vite që unë punoj në sektorin e sigurimeve, respektivisht në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës. Në tri vitet e fundit kam qenë edhe në pozitën e drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës. Ndonëse me një staf  shumë simbolik, por me një energji të madhe, ne kemi punuar pa ndalur duke shënuar rezultate të shumta. Në vitet e fundit kanë ndodhur ndryshimet më të mëdha në sektorin e sigurimeve, sidomos gjatë dy dekadave të fundit dhe pa dyshim se një pjesë të kontributit për të arriturat e kemi dhënë edhe ne. Siç e dini edhe ju, më 1 tetor të këtij viti, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme unë jam emëruar ushtrues i detyrës së drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve. Edhe këtu do të vazhdojmë më energjinë dhe dinamiken e madhe për të cilën jemi dëshmuar së paku në tri vitet e fundit. Pasi që është shumë kohë e shkurtër prej kur unë e kam marrë besimin e Asamblesë së Përgjithshme për ta drejtuar një Institucion të rëndësishëm siç është Byroja, ende nuk kam arritur ta kam një pasqyrë të saktë për gjendjen në këtë Institucion. Sido që të jetë, unë e kam hartuar një plan dinamik të punës i cili do të implementohet  në ditët dhe në muajt në vijim. Duhet ta theksojmë se si në asnjë Institucion tjetër, COVID-19 e ka dëmtuar rëndë sektorin e sigurimeve, me këtë rast edhe Byronë Kosovare të Sigurimeve, ku sipas të dhënave që ne kemi shitja e policave është rënë shumë. Si pasojë e pandemisë COVID-19 për herë të parë tregu i sigurimeve në vendin tonë ka rënë dukshëm nga rritja e vazhdueshme që ka shënuar çdo vit. Bazuar në të dhëna zyrtare, tregu i sigurimeve si pasojë e pandemisë ka rënë prej më shumë se 30 %, derisa shitja e policave kufitare ka rënë në masën prej 63,1%. Pra, sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar-gusht 2020 janë shitur 113,232 polica, nga 307,488 sa ishin shitur gjatë periudhës së njëjte të vitit paraprak. Shihet se kemi një rënie shumë të madhe e që ka reflektuar shumë në rënien e të hyrave, situatë e cila do të sjellë probleme të mëdha edhe në Byro. Në anën tjetër, gjatë periudhës në fjalë dëme kanë ndodhur mjaft, derisa të hyra ka shumë më pak në raport me vitin paraprak. Sido që të jetë edhe në këtë gjendje të rëndë financiare ne po mundohemi ta japim maksimumin duke trajtuar dhe paguar dëme në afate kohore të parapara me ligjet në fuqi.

iSIGURIME:  Ju për disa vite keni qenë drejtor i Shoqatës së Sigurimeve, cilat janë prioritet tash si u.d i drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve ?

Mazreku: Që nga dita e parë e punës në Byro ne kemi nisur më një dinamikë të madhe, megjithatë është  ende herët të flitet për aktivitet e mëtutjeshme, pasi që koha prej kur e kam marrë besimin nga Asambleja e Përgjithshme është shumë e shkurtër. Pra, është vetëm një muaj. Nga gjithë ajo që kam parë deri më tash, shihet se Byroja Kosovare e Sigurimeve nuk është në gjendje të mirë financiare, kjo për arsye se shitja e policave ka rënë më masën prej 63,1%, pra bëhet fjalë për një rënie të madhe të shitjes nga reduktimi i lëvizjeve si pasojë e pandemisë COVID-19. Ne shpresojmë se në një të ardhme të shpejtë do të marrë fund pandemia, e nëse kjo vazhdon edhe më tutje gjendja në Byronë Kosovare të Sigurimeve do të përkeqësohet edhe më shumë.

iSIGURIME:  Me vendim të Qeverisë së Kosovës deri në fund të këtij viti policat e sigurimit kufitar do të mbulohen nga Qeveria, apo zbatohet marrëveshja ?

Mazreku: Siç e tash edhe në pyetjen paraprake, përpos që të hyrat kanë rënë si pasojë e reduktimit të lëvizjes, të hyrat po ashtu kanë rënë edhe nga vendimi i Qeverisë për zbritje të policave prej 35 % dhe për mbulim të tyre deri në fund të këtij viti. Po ashtu, te pagesa e faturave nga ana e Qeverisë po ka vonesa të pagesës së mjeteve e që kjo drejtpërdrejt ndikon në punën e Byrosë. Ta zëmë kur bëhet pagesa, qeveria bazohet në numrin e automjeteve që ata i blejnë direkt në pika kufitare, por mos të harrojmë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve përpos që blejnë policë në pikë kufitare, kur t’i skadojë ajo ata e vazhdojnë direkt në zyrat e Byrosë, e ku kjo mos përputhje e numrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme në të dhënat tona reale po shkakton probleme dhe vonesa në pagesa të mjeteve. Kur dihet se  Byroja ka obligime të mëdha si për pagat e punëtoreve, ashtu edhe në pagesën e dëmeve, vonesa në pagesën e faturave sjell probleme të mëdha. Por ne shpresojmë se shumë shpejt do të gjejmë zgjidhje e që mos të ketë vonesa deri ne fund të këtij viti, kohë kjo deri sa është në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për pagesën e policave kufitare për bashkatdhetarët tanë.

 iSIGURIME: Ulja e çmimit të policave a ka reflektuar te të hyrat e BKS-së

Mazreku: Pa dyshim, ulja e çmimit prej 35 % është shumë e madhe dhe kjo do të reflektojë tej mase në punën tonë të përditshme. Por, ne shpresojmë që së shpejti të përfundojë pandemia dhe t’i kthehemi jetës normale, në të kundërtën me këtë trend problemet në të ardhmen do të jenë të mëdha.

iSIGURIME: Numri i automjeteve të pasiguruara në vend, vazhdon të jetë i lartë. Keni ndonjë plan për ta ulur ketë ? 

Mazreku: Gjatë gjithë vitit që po e lëmë pas, por edhe gjatë dy viteve të kaluara ne në vazhdimësi kemi ngritur shqetësimin tonë për rritjen e vazhdueshme të automjeteve të paregjistruara në vendin tonë. Në fund të muajit korrik ka nisur një iniciativë Institucionale për të punuar në këtë drejtim. Numri shumë i madh i automjeteve ta pa siguruara, siç e kam thënë edhe shumë herë më parë, është shndërruar në “kancer” të sektorit të sigurimeve. Aktualisht llogaritet se numri i automjeteve të paregjistruara është më shumë se 150 mijë dhe demet që shkaktojnë këto automjete janë shumë të mëdha, pra janë miliona euroshe vetëm brenda një viti. Në bazë të ligjit qytetarët që janë të dëmtuar nga këto automjeteve duhet të kompensohen nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, e në anën tjetër rimbursimi i këtyre mjeteve nga qytetarët që e kanë shkaktuar dëmin është shumë i vështirë, pasi që lëndët nëpër gjykata vonohen tej mase.

iSIGURIME: Kur pritet që Kosova të jetë pjesë e Byrosë së Kartonit të Gjelbër ?

Mazreku: Pala kosovare, pra Industria e Sigurimeve, në vazhdimësi është angazhuar dhe po angazhohet për ta arritur këtë synim, por jo gjithçka është në dorën tonë. Krahas pengesave që i shkaktohen Kosovës nga aspekti ndërkombëtar, siç është mungesa e anëtarësimit në Kombet e Bashkuara Kosova, ka edhe probleme tjera të brendshme për të cilat ne e kemi ngritur zërin disa here, por nuk ka pasur gatishmëri Institucionale për ta ulur numrin e automjeteve të paregjistruara në vend i cili është më i larti në rajon. Më këtë numër i cili llogaritet të jetë rreth 30 % e automjeteve që qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës një proces i tillë thuajse është i pamundur. Në fund të muajit korrik të këtij viti ne e kemi mirëpritur iniciativën e Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Qendrore te Kosovës (BQK) për trajtimin e automjeteve të paregjistruara në vendin tonë. Shpresojmë se angazhimi i përbashkët në një kohë sa më të shpejtë do të prodhojë rezultate dhe do t’i krijojë Kosovës mundësi më reale në anëtarësimin e Byrosë së kartonit të Gjelbër. / Byroja Kosovare e Sigurimeve /

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]