Qytetarët e Kosovës nga 1 korriku nuk do t’i paguajnë 15 eurot e policës kufitare. Ka hyrë në fuqi marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të policave të sigurimit në mes të dy shteteve. Kjo marrëveshje u mundësua falë memorandumit të mirëkuptimit, që u nënshkrua në mes të Byrove të Sigurimit të të dy vendeve.
Sami Mazreku, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ka thënë që kjo konsiderohet si një marrëveshje e madhe dhe historike.
“Javën e kaluar (24 qershor), kemi nënshkruar një marrëveshje në mes nesh si Byro Kosovare, Bankës Qendrore, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi nga data 1 korrik, sipas së cilës të gjitha policat që do të lëshohen në pikat kufitare në kohëzgjatje njëmujore, do të mbulohen nga qeveria e Kosovës, nga Ministria e Financave, dhe përfundon më 31 dhjetor”, ka thënë drejtori Mazreku.
Sipas tij, qytetarët që lëvizin nga Kosova për në Mal të Zi, do ta kenë policën TPL Plus të cilën e marrin për Maqedoni dhe Serbi dhe e njëjta do t’u vlejë edhe për territorin e Malit të Zi, pa pasur nevojë të paguajnë çmim shtesë. / BKS /