Mazreku: Virusi Korona e ka goditur rëndë industrinë e sigurimeve të Kosovës

7:17 / 16 Prill 2020

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, në një intervistë ka thënë se edhe industria e sigurimeve të vendit është goditur rëndë nga pandemia e këtyre ditëve. Ai thotë se për këtë situatë e kanë njoftuar Ministrinë e Financave.

Industria e sigurimeve të Kosovës është goditur rëndë nga pandemia e virusit Korona, pasi që ka disa javë që ka rënë dukshëm shitja e polisave të sigurimit, me ç’rast as kompanitë nuk po inkasojnë mjete, ndërsa në anën tjetër vazhdojnë të paguajnë dëme për aksidentet në komunikacion që i shkaktojnë automjetet e pasiguruara. Kështu ka deklaruar në një intervistë për portalin “Front Online” drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku.  Ai ka shtuar se kjo industri i ka rreth 3000 punëtorë, përderisa edhe 2000 punëtorë të tjerë janë të angazhuar në mënyrë indirekte prej saj, ka raportuar “iSIGURIME”

Mazreku thotë se Shoqata e ka njoftuar Ministrinë e Financave dhe Transfereve të Kosovës për vështirësitë me të cilat po përballet industria. Për situatën e krijuar ai e jep shembullin e Sllovenisë, ku shteti gjatë kohës sa do të zgjasë pandemia ua mbulon 100 për qind qytetarëve polisat e sigurimeve. Ai kërkon nga shoferët kosovarë që të pajisen me polisa të sigurimeve, me të cilat nuk denohen nga Policia e Kosovës edhe nëse nuk e kanë të regjistruar automjetin.

“Shoferët në Kosovë askush s`mund t`i dënojë për shkak të mos regjistrimit të veturave. Të paktën jo në këtë kohë pandemie. Megjithatë, të njëjtët, për të lëvizur lirshëm dhe për t`i shpëtuar gjobës patjetër duhet ta kenë të paguar sigurimin”.

 Për shkak të pandemisë së virusit Korona, Ministria e Brenshme qe disa javë i ka mbyllur Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve. Si ka ndikuar kjo tek industria e sigurimeve dhe a ka rrezik që të rritet numri i automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara?

Mazreku: Më datën 16 mars Ministria e Punëve të Brendshme e ka nxjerrë një vendim për mbylljen e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve, e cila ka ndikuar direkt edhe në industrinë e Sigurimeve, sepse menjëherë është vërejtur ndalja e blerjes së polisave të sigurimeve. Meqenëse ndalohet vetëm regjistrimi i automjeteve, por nuk është ndaluar qarkullimi, i kemi bërë kërkesë MBP-së që personat të cilët dalin në qarkullim, minimalisht të mos dalin pa sigurime. Kërkesa ka qenë që të ndërrohet një udhëzim, që ata të cilët kanë blerë sigurime gjatë kësaj kohe, në kohën kur qendrat e regjistrimit fillojnë të punojnë, të mos kenë nevojë të blejnë sigurime të tjera. E njëjta kërkesë është pranuar. I bie që sot lirshëm mund të ngasim vetëm me polisën e sigurimit.

148 mijë automjete të paregjistruara në Kosovë

Sa është aktualisht numri i automjeteve të pasiguruara që qarkullojnë në rrugët e Kosovës dhe sa mund të rritet për shkak të situatës?

Mazreku: Nëse bazohemi në të dhenat e MBP-së, në regjistër figurojnë rreth 148 mijë automjete të pa regjistruara, por nuk e kemi një pergjigje të saktë se sa prej këtyre mjeteve janë në qarkullm. Fondi i Sigurimeve në vitin 2019 për dëmet e këtyre veturave ka pagauar 4.4 milionë euro. I bie që në njëren anë kompanitë nuk inkasojne mjete për polisat e sigurimeve dhe në anën tjeter duhet të paguajnë mesatarisht nga 3.7 deri në 4.5 milionë euro në vit. Kjo na shkakton neve humbje të mëdha.

Si po funksionon tash industria e sigurimeve, ku shumë zyra janë mbyllur dhe nuk punohet me orar të plotë?

Mazreku: Pas datës 27 mars ka një ndryshim edhe në shitjen e polisave të sigurimit dhe në funksionalizimin e zyreve të kompanive të sigurimeve. Si çdo herë, duke i respektuar rekomandimet e Institutcioneve Shëndetësore ka ndërruar edhe orari, tash punojnë nga ora 9 deri në orën 3 dhe sigurisht që edhe në zyrën qendrore ka reduktim të stafit, punojmë me ndërrime, por pjesa e shitjes, që janë rreth 500 zyra të licencuara në tërë territorin e Kosovës, janë aktive dhe i ofrojnë këto produkte të sigurimeve. Pra, çdokush që deshiron të dalë në trafik e ka të mundshme ta bëjë në cilën do kompani që ai vendos, ta blejë polisën e sigurimit. Kompanitë po funksionojnë, normalisht ky funksionim nuk është i njëjtë si para kohës së pandemisë. Sigurisht tash është një funksionim ndryshe, sepse kjo situatë ka ndikuar në të gjithë globin.

A mundet që qytetarët të lëvizin lirshëm vetëm me polisë të sigurimeve?

Mazreku: Sigurisht se po, këtë mund ta konfirmoni në Policinë e Kosovës, ajo krejt çka duhet është ta bleni një polisë të sigurimit, që ua merr më së shumti një minutë kohë në njërën nga zyrat e kompanive të sigurimeve dhe regjistrimin e procedurave tjera mund ta kryeni në kohën kur Qendrat e Regjistimit hapën dhe fillojnë funksionimin normal.

 Rreth 3000 punëtorë i ka industria e sigurimeve në Kosovë

Industria e Sigurimeve ka numër të madh të të punësuarëve. Nëse vazhdon kjo situatë, a rrezikohen edhe punëtorët e kësaj industrie të largohen nga puna?

Mazreku: Nëse flasim me numër, afërsisht 3 mijë veta janë të punësuar në mënyrë të rregullt, sigurisht që ky numër lëvizë dhe janë rreth 2000 mijë të tjerë që janë të lidhur në mënyrë indirekte me industrinë e sigurimeve, sepse këto kompani kanë rrjetin e shitjes, kanë zyre që i marrin me qira dhe doemos ka familje që varen nga qiraja që i kanë lëshuar zyret e tyre. Sigurisht, nëse flasim për rreth 5 mijë familje, zgjatja e kohës së pandemisë, sikurse në çdo biznes tjetër, do të të ndikojë edhe tek ne dhe të punësuarit tanë. Shpresojmë të mos zgjat shumë dhe t`i kthehemi normalitetit. Aktualisht nuk ka ndonjë veprim që e ka marrë Industria e Sigurimeve. Por nuk mund të jap një përgjigje të saktë për të ardhmen, çkado që ndodh me të gjithë, sigurisht se do të ndodh edhe me neve.

Ministria e Financave i ka ndihmuar disa sektorë të prekur nga pandemia. A janë ndihmuar edhe sigurimet?

Mazreku: Nga ato që kemi parë,  duket një klasifikim se kush ka të drejtë apo kush nuk ka të drejtë. Si çdo odë tjetër, edhe ne si shoqatë e kemi njoftuar Ministrinë e Financave me funksionimin e sigurimeve, me numrin e punëtorëve, efektete e kufizimit të lëvizjes dhe ndërprerjes së punës në qendrave të regjistrimit, të cilat kanë ndikuar direkt tek ne. Aktualisht ka një shitje minimale të polisave, për dallim prej këtyre dy tri diteve të fundit, vërehet që është një interesim i qytetarëve që të lëvizin, të blejnë sigurime, sidomos tani kur po e dinë që u duhet vetëm sigurimi dhe nuk kanë nevojë t’i kryejnë procedurat e tjera. Sepse te ne ka qenë një ide pak më ndryshe, kanë menduar që komplet sigurimi kushton 300-350 euro. Por, siç e thash, mesatarja është 140 euro. Procedurat tjera, komuna, nuk janë mjete që shkojne për kompanitë e sigurimeve, por shkojnë për institutcionet tjera. Nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga Ministria e Financave se çka kanë paraparë për neve, por bazuar në praktikat e vendeve tjera, konkretisht Sllovenisë, me sa kam lexuar, është duke menduar që në kohën e pandemisë,  komplet shumën e sigurimit që duhet ta blejnë qytetarët t`ua mbulojë 100% shteti. Nuk e di sa do të jetë e mundur te ne. Sot do t`u drejthohem Ministrisë së Financave për t’ua dhënë një propozim që varësisht si e vlerësojmë situatën, Ministria e Financave t`ua mbulojë pjesën e pagesës së sigurimeve. Meqenëse humbjet do ishin më të mëdha nëse ata dalin pa sigurim. E kemi një shembull të tillë kur ministria nw vitin 2013, për pjeswn e Luginës së Preshevës e ka paguar pjesën e polisës kufitare. Kjo është e mundur, por nuk e di sa do të ketë vullnet dhe mundësi financiare Ministria e Financave, por do t`ua bëj si poropzim që kjo është mundshme. Te ne ka ndikuar shumë, nuk ka shitje, ka qarkullim, në njërën anë nuk do të inkasojmë mjete, kurse në anën tjetër do të vazhdojmë të paguajmë dëmin e shkaktuar nga këta vozitës që vazhdojnë të dalin në trafik. /Shoqata e Sigurimeve të Kosovës /

 

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]