Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Sami Mazreku, ka thënë se më 30 shtator të vitit 2020, kur e ka marrë pozitën e drejtorit të Byrosë, ka gjetur 5191 lëndë aktive. Deri më 30 qershor të këtij viti në BKS kanë pranuar edhe 8329 lëndë të reja. Sipas tij, falë punës dhe angazhimit të madh ka arritur t’i mbyll mbi 11 mijë lëndë.
iSIGURIME 257
Vetëm gjatë 20 muajve të fundit Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka mbyllur hiç më pak se 11 mijë lëndë, shifër kjo më e larta që nga themelimi i BKS-së e deri më tash.
Drejtori i BKS-së Sami Mazreku, gjatë prezantimit të punës 20 mujore para gazetareve, ka thënë se falë punës dhe angazhimit të madh kanë arritur këto rezultate.
Mazreku më tutje ka thënë se këto rezultate gjatë javës së kaluar i ka prezantuar edhe në Bruksel gjatë takimit që aty ka pasur me zyrtarë të lartë të Byrosë së Kartonit të Gjelbër.
“Më 30 shtator të vitit 2020, kur kam ardhur unë në BKS, kam gjetur 5191 lëndë aktive. Deri më 30 qershor të këtij viti në BKS kemi pranuar edhe 8329 lëndë të reja. Falë punës dhe angazhimit të madh kemi arritur t’i mbyllim 11 mijë lëndë, derisa aktive janë 2,716 lëndë”, ka thënë drejtori Mazreku gjatë prezantimit të punës para gazetareve.
Sipas tij, nga numri i lëndëve prej 1591 që ka gjetur ai kur ka nisur punën në BKS, aktualisht të pambyllura për arsye të ndryshme kanë mbetur 840, derisa pjesa tjetër prej 1245 i përkasin kohës shtator 2020 deri më tash.
Mazreku apel për avokatet
Ai më tutje ka treguar se për herë të parë në BKS lëndët trajtohen dhe kompensohen në afate kohore rekorde.
Drejtori Mazreku më tutje ka bërë të ditur se një pjesë e lëndëve që janë aktive po zvarriten nga disa avokatë që sipas tij nuk po shkojnë në BKS për t’i nënshkruar marrëveshjet.
“Apeloj të avokatet, por edhe te qytetarët, që të vijnë në BKS t’i nënshkruajnë lëndët dhe t’i marrin mjetet menjëherë”, ka thënë më tutje drejtori Mazreku.
Po ashtu, edhe auditori i brendshëm i BKS-së, Kushtrim Morina, ka thënë në prezantim para gazetareve se që nga themelimi i Byrosë Kosovare të Sigurimit e deri më tash, sivjet është hera e parë që raporti i auditorit të jashtëm është pa asnjë kualifikim.
Hera e parë, auditim pa kualifikim
Kushtrim Morina, auditor i brendshëm në BKS ka thënë se sivjet është hera e parë që raporti i auditorit të jashtëm është pa asnjë kualifikim, pra pa asnjë vërejtje. Sipas tij, kjo tregon punën dhe përkushtimin e madh që është bërë në këtë Institucion. “Pra, auditimi është bërë nga kompani e huaj e cila i nënshtrohet standardeve ndërkombëtare të auditimit”, ka thënë auditori Morina.