Më shumë se 2,2 milionë euro ka arritur deri më tash shuma e mjeteve që Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka paguar për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga traktorët e pasiguruar. Përfaqësues të BKS-së apelojnë të fermerët që t’i regjistrojnë mjetet e tyre, pasi që sipas tyre në rast të aksidenteve pa sigurim BKS-ja kompenson palën e dëmtuar, por më pastaj të gjitha mjete rimbursohen nga shkaktari i aksidentit.
Shuma të konsiderueshme të mjeteve edhe më tutje vazhdojnë të shpenzohen nga Byroja Kosovare e Sigurimit për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga traktorët në gjithë Kosovën. Referuar të dhënave zyrtare që kaBKS-ja, deri më tash shuma e mjeteve që janë paguar për këtë qëllim ka kaluar 2.2 milionë euro e që paraqet një barrë shumë të madhe për Byronë Kosovare të Sigurimit.
Drejtori i BKS-së Sami Mazreku apelon te fermerët që të regjistrojnë mjetet e tyre të punës, pasi që sipas tij në rast të aksidenteve pa sigurim BKS-ja kompenson palën e dëmtuar, por më pastaj të gjitha mjete rimbursohen nga shkaktari i aksidentit.
“Aksidentet e shkaktuara nga traktorët e pasiguruar janë shumë të rënda, pasi që në disa raste traktorët dalin në rrugë pa sigurim, pa shenja të sinjalistikes, pa drita…etj., e që paraqesin rrezik serioz për pjesëmarrësit tjerë në komunikacion. Ne kërkojmë nga fermerët që sa më parë t’i sigurojnë traktorët e tyre, pasi që në rast të aksidentit e gjitha barra qoftë për kompensim të demit, qoftë për trajtim të të lënduarave të mundshëm bie direkt mbi ta. Në bazë të ligjit BKS-ja e kompenson palën e dëmtuar, por më pastaj të gjitha mjetet i rimburson nga shkaktari i aksidentit”, ka thënë për “iSIGURIME” drejtori i BKS-së Sami Mazreku.
Gjithnjë bazuar në të dhënat e siguruara shihet se në një rast BKS-ja është dashur të kompensojë një shumë prej më shumë se 43 mijë euro nga aksidenti i shkaktuar nga një traktor i pasiguruar.
Në një rast tjetër gjithashtu BKS-ja ka kompensuar palën e dëmtuar në shumën mbi 15 mijë euro, e në shumë raste mbi 10 mijë e nën 10 mijë euro.
Në anën tjetër përfaqësues të BKS-së thotë se së fundmi janë duke u marrë në mënyrë intensive me regrese, por sipas tyre në këtë drejtim problem paraqesin edhe gjykatat të cilat në masë të madhe vonojnë trajtimin e lëndëve.