Mehmeti: Gjatë vitit 2019 u paguan 4.4 milionë dëme që shkaktuan automjetet e paregjistruara (VIDEO)

1:34 / 02 Prill 2020

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë se sektori i sigurimeve ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme. Përpos tjerash, një performancë e tillë është ndikuar nga disa faktorë, prej të cilëve edhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara, që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës. Sipas tij, problematikë dhe shqetësim është se nga gjithsej shuma e dëmeve të paguara gjatë vitit 2019, 48.0 milionë euro (42.8 milionë euro në vitin 2018) ishin dëme të paguara nga siguruesit, ndërsa 7.1 milionë euro (5.4 milionë euro në vitin 2018) dëme të paguara nga BKS, prej të cilave 4.4 milionë euro janë dëme të paguara nga Fondi i Kompensimit, apo nga Fondi që paguan për dëmet e automjeteve të pasiguruara. Pra, nga njëra anë Siguruesit nuk marrin asnjë prim nga këto makina që qarkullojnë në rrugët e Kosovës, ndërsa vetëm gjatë vitit 2019 kanë paguar 4.4 milionë euro në emër të këtyre dëmeve

Çdo i pesti automjet që qarkullon në rrugët e vendit është i pasiguruar dhe kjo e bënë Kosovën vendin me numrin më të madh të veturave të pasiguruara në rajon.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka konfirmuar në këtë intervistë se 40mijë-60 mijë automjete që qarkullojnë në rrugët e vendit janë të pasiguruara.
Sipas tij, përqindja e automjeteve të pasiguruara në Kosovë është 20 për qind, përqindje kjo shumë më e lartë se në shtetet fqinje.
“Sipas vlerësimeve Shqipëria ka rreth 15% të automjeteve të pasiguruara, Mali i Zi 5%, Serbia 2%, Kroacia 1.6% dhe Sllovenia 0.3%”, ka thënë Mehmeti në intervistë, duke shtuar se një përqindje e tillë e pengon anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër.
Ai ka bërë të ditur se BQK-ja u ka dërguar shkresë në institucionet përkatëse me qëllim të zgjidhjes së çështjes së automjeteve të pasiguruara dhe në vazhdimësi është angazhuar për trajtim të menjëhershëm lidhur me këtë çështje, pasi që, sipas tij, këto automjete që qarkullojnë në rrugët e Republikës së Kosovës, rrezikojnë çdo ditë trafikun dhe jetët e qytetarëve të Kosovës, ka raportuar “iSIGURIME”.

Z. Mehmeti keni paralajmëruar masa për zvogëlimin e numrit të automjeteve të paregjistruara, konkretisht çfarë masash do të aplikoj BQK-ja?

Mehmeti: Sikurse kemi informuar edhe më herët BQK-ja ka dërguar shkresë në institucionet përkatëse me qëllim të zgjidhjes së çështjes së automjeteve të pasiguruara dhe në vazhdimësi është angazhuar për trajtim të menjëhershëm lidhur me këtë çështje. Këto automjete që qarkullojnë në rrugët e Republikës së Kosovës, rrezikojnë çdo ditë trafikun dhe jetët e qytetarëve të Kosovës. Të dëmtuar në këto raste rezultojnë të jenë viktimat të cilat pësojnë aksidente në trafik, si dhe vetë shkaktarët e këtyre aksidenteve, të cilët me rastin e ndodhjes së aksidentit nuk kanë të kontraktuar sigurimin e përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara ndaj palëve të treta.
Lidhur me këtë, pas krijimit të institucioneve, BQK-ja është në pritje të veprimeve konkrete nga ana e institucioneve përkatëse për trajtimin e automjeteve të pasiguruara. Në të njëjtën kohë, BQK-ja është duke vlerësuar kornizën aktuale ligjore dhe në pajtueshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi, përmes akteve nënligjore të gjej një zgjidhje adekuate me qëllim të zvogëlimit të numrit të këtyre automjeteve, të cilat përpos rrezikimit të jetës së qytetarëve dhe dëmeve financiare të Siguruesve, shkaktojnë edhe dëme në buxhetin e shtetit të Kosovës.

Kur do nisni me masa të tilla dhe si do të koordinoheni me institucione tjera relevante?

Mehmeti: Pas vlerësimeve të kornizës ligjore në fuqi, si dhe sigurimit të pajtueshmërisë së plotë me kornizën ligjore, BQK-ja do të ndërmarr veprimet e saj përmes akteve nënligjore, me qëllim të zvogëlimit të numrit të këtyre automjeteve. Gjithashtu, presim angazhim më të madh të institucioneve shtetërore dhe veprime konkrete nga ana e tyre, për të eliminuar dhe zvogëluar numrin kaq të lartë të këtyre automjeteve.

Kompanitë e sigurimeve dëmtohen nga automjetet e pasiguruara

Çfarë problemesh i shkakton Kosovës një numër aq i madh i automjeteve të paregjistruara?

Mehmeti: Sikurse jeni në dijeni, sektori i sigurimeve ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme. Përpos tjerash, një performancë e tillë është ndikuar nga disa faktorë, prej të cilëve edhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara, që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës. Problematikë dhe shqetësim është se nga gjithsej shuma e dëmeve të paguara gjatë vitit 2019, 48.0 milionë euro (42.8 milionë euro në vitin 2018) ishin dëme të paguara nga siguruesit, ndërsa 7.1 milionë euro (5.4 milionë euro në vitin 2018) dëme të paguara nga BKS, prej të cilave 4.4 milionë euro janë dëme të paguara nga Fondi i Kompensimit, apo nga Fondi që paguan për dëmet e automjeteve të pasiguruara. Pra, nga njëra anë Siguruesit nuk marrin asnjë prim nga këto makina që qarkullojnë në rrugët e Kosovës, ndërsa vetëm gjatë vitit 2019 kanë paguar 4.4 milionë euro në emër të këtyre dëmeve.

Si qëndron Kosova në raport me vendet tjera të rajonit në këtë drejtim?

Mehmeti: Bazuar në të dhënat në dispozicion si dhe në metodat e përdorura në përpunimin e këtyre të dhënave, mund të vlerësohet se përqindja e automjeteve të pasiguruara në Kosovë sillet deri në 20 për qind, apo në qoftë se e përkthejmë në numër, rreth 40-60 mijë automjete të cilat qarkullojnë pa sigurim. Në qoftë se bëjmë një analizë krahasimore me të dhënat e vendeve të rajonit, rezulton se Kosova ka numrin më të lartë të automjeteve të cilat nuk kanë sigurim dhe si rrjedhojë ky numër i automjeteve të cilat shkaktojnë aksidente, ngarkojnë në masë të madhe fondin e kompensimit i cili menaxhohet nga BKS dhe paguhet nga siguruesit të cilët ushtrojnë aktivitet në Republikën e Kosovës. Vetëm gjatë vitit 2019, shuma e dëmeve të paguara nga Fondi i Kompensimit që rezulton nga automjetet e pa siguruara dhe pa identifikuara arriti në 4.4 milion euro. Sipas vlerësimeve Shqipëria ka rreth 15% të automjeteve të pasiguruara, Mali i Zi 5%, Serbia 2%, Kroacia 1.6% dhe Sllovenia 0.3%.

Ulja e numrit të automjeteve të pasiguruara kusht për anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër

A paraqet problem për anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër një numër aq i madh i automjeteve të paregjistruara?
Mehmeti:
 BQK-ja në vazhdimësi është angazhuar për të gjetur një zgjidhje e cila i mundëson Kosovës anëtarësimin në Këshillin e Byrove dhe jemi përpjekur bashkërisht me institucionet tjera të vendit të gjejmë një modalitet që na mundëson tejkalimin e sfidave të anëtarësimit.
Përderisa këto përpjekje do të vazhdojnë, ne duhet të merremi edhe përmirësimin e disa aspekteve kyçe të brendshme të cilat e pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër. Deri më tani, janë plotësuar disa kërkesa dhe parakushte para fillimit të procedurave të aplikimit në Këshillin e Byrove, si: Aprovimi i Ligjit për Sigurime të Detyrueshme nga Autopërgjegjësia; Themelimin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Qendrës Informative të Sigurimeve; dhe Fondin Garantues prej 4 milion euro. Sidoqoftë, njëri ndër problemet kryesore në këtë aspekt vazhdon të jetë numri i madh i automjeteve të paregjistruara të cilat vazhdojnë të qarkullojnë në Kosovë.
Sipas të dhënave të fundit në dispozicion si dhe bazuar në metodat e përdorura në përpunimin e këtyre të dhënave, mund të vlerësohet se përqindja e automjeteve të pasiguruara në Kosovë sillet deri në 20%, apo në qoftë se e përkthejmë në numër, rreth 40-60 mijë automjete të cilat qarkullojnë pa sigurim. Pra, ulja e numrit të automjeteve të pasiguruara, që sot vlerësohet të jetë mbi 20% është edhe ndër kushtet kryesore të anëtarësimit në Këshillin e Byrove, dhe me këtë nivel të lartë edhe në rast të plotësimit të kushteve tjera, është problematike anëtarësimi në këtë institucion.

Kompanitë e sigurimit po ankohen për numrin e madh të aksidenteve me dëmtime të vogla në komunikacion. A ka dyshime për keqpërdorime nga vozitësit e papërgjegjshëm në këtë drejtim?

Mehmeti: BQK-ja në mënyrë të vazhdueshme mbikëqyrë institucionet financiare dhe me këtë edhe siguruesit përmes mbikëqyrjes nga jashtë dhe mbikëqyrjes në vend, dhe se deri më tani nuk BQK-ja nuk ka hasur dhe nuk ka njohuri me praktika dhe raste të tilla. Sidoqoftë, në rast të identifikimit të këtyre rasteve, siguruesit dhe kushdo qoftë tjetër duhet t’i drejtohet organeve kompetente për të ndjekur procedurat e parapara ligjore ndaj abuzuesve të mundshëm.

Si e vlerësoni performancën e kompanive të sigurimit dhe a ka pasur efekt heqja e tatimit ekstra prej 5 për qind nga Parlamenti vitin e kaluar?

Mehmeti: Ndryshimi i ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave ka kaluar në parlament gjatë vitit 2019 dhe në fushën e sigurimeve kanë pasur për bazë ndryshimin e bazës tatimore nga tatimi në qarkullim prej 5% në tatimin e rregullt në fitim 10%. Duke qenë se këto ndryshime në ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave kishin hyrë në fuqi gjatë pjesës së dytë të vitit 2019, zbatimi dhe efekti i tyre nuk ka qenë i menjëhershme kjo si rezultat proceseve teknike, udhëzimeve dhe procedurave tjera të nevojshme në zbatimin e këtij Ligji. Me pranimin e të dhënave financiare nga siguruesit për tremujorin e parë të vitit 2020 mund të sigurojmë një vlerësim më të saktë të efektit të ndryshimeve ligjore në performancën e siguruesve.

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]