Miliona euro dëme u paguan në kohë pandemie

aksidentet-ne-renie
6:45 / 16 Maj 2020

Sipas të dhënave zyrtare nga kompanitë e sigurimeve, gjatë tre muajve të parë të këtij viti u paguan 13 milionë euro dëme, pavarësisht se gjatë gjysmës së dytë të muajit mars thuajse nuk kishin punuar fare. Bazuar në të dhëna të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019 pagesa e dëmeve është rritur për 17.43%

iSIGURIME

Kompanitë e sigurimeve që operojnë në vendin tonë edhe më tutje vazhdojnë të paguajnë shuma të mëdha parash në emër të dëmeve, pavarësisht se muajt e fundit ato u përballen me probleme të shumta si pasojë e pandemisë COVID-19. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare kompanitë e sigurimeve paguan 13 milionë euro dëme, pavarësisht se gjatë gjysmës së dytë të muajit mars thuajse nuk kishin punuar fare. Bazuar në të dhëna të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019 pagesa e dëmeve është rritur për 17.43%. “Numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës janar – mars 2020, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, është rritur me 1,752(me çfarë është rritur, euro?) më shumë dhe arriti në 35,569, nga të cilat 35,507(çfarë, euro, milionë?) dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 62 nga kompanitë e sigurimit të Jetës”, thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Pagesa e dëmeve prioritet

Sami Mazreku, drejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës thotë se pagesa e dëmeve është prioritet i secilës kompani që operon në vendin tonë. Ai thotë se në raport me vitin paraprak ka rritje të madhe të pagesës së dëmeve,  si në vlerë ashtu edhe në numër. Por, Mazreku thotë se edhe më tutje problem mbetet numri i madh i automjeteve të paregjistruara që shkaktojnë aksidente, ndërsa në anën tjetër nuk paguajnë fare prim. “Janë shuma të mëdha parash që kompanitë shpenzojnë për ta mbushur fondin e sigurimit,  nga i cili kompensohen personat të cilët janë dëmtuar nga automjetet e pa siguruara. Mirëpo, qytetaret janë të obliguar që ato mjete t’i kthejnë në fondin e sigurimit”, ka bërë të ditur Mazreku. Ai edhe më tutje ka apeluar se hapja sa më e shpejt e Qendrave të regjistrimit të Automjeteve sado pak ndikon në stabilizimin e tregut. Sipas tij të gjitha shpenzimet e kompanive janë të njëjta, ndërsa të hyrat nga shitja e policave kanë rënë gati për 50 %.

Kompanitë vazhdojnë trajtimin e dëmeve

Zana Vula, drejtore i Departamentit të Dëmeve në kompaninë “Elsig”, ka thënë për ‘iSIGURIME’ se kompensimi i dëmeve paraqet një ndër pjesët kryesore të aktivitetit të një kompanie të sigurimit, natyrisht se po kaq e rëndësishme është edhe për “Elsig” kompensimi i palëve të dëmtuara dhe mbrojtja e policëmbajtësve. Megjithatë, sipas saj e gjithë situata detyrimisht ndryshoi prej fillimit të pandemisë COVID-19 në Kosovë, respektivisht bazuar në vendimet e ndërmarra nga qeveria, me ç’rast edhe kompania duhej t’i përshtatej procesit të ri të punës sipas masave të sigurisë.“Detyra primare e ‘Elsig’ gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë dhe mbetet angazhimi për mbrojtjen e shëndetit të punonjësve dhe klientëve të kompanisë. Prandaj, njëjtë edhe në departamentin e dëmeve, edhe pse duke funksionuar me kapacitete të zvogëluara për shkak te masave të qeverisë, kompania ka vazhduar të pranojë kërkesat për dëmshpërblim për të gjitha produktet nga palët e dëmtuara,  si: përmes postës fizike dhe asaj elektronike, po ashtu edhe kërkesat e drejtpërdrejta pranë zyrave të ‘Elsig’ të dedikuara për pranimin e kërkesave për dëmshpërblim. Po ashtu,gjatë kësaj kohe kemi vënë në dispozicion edhe disa numra telefonik shtesë për të qenë më afër kërkesave të siguruarve dhe për t’ua shpjeguar mundësitë që i kanë palët e dëmtuara në paraqitjen e kërkesave për zhdëmtim”, ka thënë ajo. Vula më tutje ka bërë të ditur se në kuadër të kësaj, për shkak të mundësisë që dokumentacioni në kopje fizike të jetë i kontaminuar me virusin COVID-19, trajtimi i të njëjtit nuk ka qenë e mundur të trajtohet menjëherë, prandaj dokumentet janë lënë të rrinë pa u prekur së paku 3-5 ditë përpara se të kontrollohen. Ajo tregon se si pasojë e kësaj afatet e trajtimit të rasteve kanë pësuar shtyrje në këtë aspekt, për këtë janë njoftuar palët dhe gjithmonë kemi hasur në mirëkuptimin e tyre për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. “Procedurat tjera të trajtimit të dëmeve kanë vazhduar në të njëjtën formë siç janë edhe të përcaktuara me rregulloret e Bankës Qendrore të Kosovës, duke vazhduar kështu edhe me mbylljen e lëndëve me marrëveshje (që palët ta kenë sa më të lehtë dhe të mos dalin prej shtëpive për shkak të masave, ju kemi mundësuar kryerjen e kësaj procedure përmes postes elektronike) dhe pagesën e dëmeve në vazhdimësi. Prandaj është jetike të informojmë palët e dëmtuara se ‘Elsig’ do t’u përgjigjet kërkesave të tyre me përpikëri sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi, mjafton që të jenë të siguruar”,  tha ajo.

Bie dukshëm numri i aksidenteve

Edhe Mentor Basha, drejtor i sektorit të dëmeve, dhe Visar Baxhuku Përgjegjës i sektorit të trajtimit të dëmeve jo shëndet në kompaninë “Eurosig”, në një raport të përpiluar thuhet se me fillimin e përhapjes së Coronavirusit dhe rritjes së numrit të rasteve në rajon dhe në vendin tone, detyrimisht u vendosen masa kufizuese nga autoritetet me qëllim të parandalimit të përhapjes. Nga këto kufizime dhe rreziqe të përhapjes së virusit u ndikua në procedurë edhe paraqitja dhe trajtimi i dëmeve në industrinë e sigurimeve. Në këtë periudhë në biznesin tonë puna është organizuar nga largësia, puna ka vazhduar nga shtëpitë, të gjithë kolegët janë pajisur me programet tona të instaluara në kompjuterët e tyre, i kemi  eliminuar pothuajse të gjitha kontaktet e punonjësve në drejtori dhe zyrat e degëve me të tjerët. Kemi ekipe të riorganizuara nëpër zyre, si dhe  shërbimi i TI-së që siguron të gjitha kushtet për vazhdimin e biznesit në këto rrethana të jashtëzakonshme”, thuhet më tutje në vlerësimin e tyre.

Sipas tyre, me aplikimin e masave të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve dhe ndalimin e ushtrimit të veprimtarive të shumë ndërmarrjeve, qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve është ulur në masë të madhe. Kjo gjë ka ndikuar edhe në uljen e numrit të aksidenteve të trafikut (referuar periudhës 16.03.2020 – 27.04.2020 në raportimin ditor të rasteve nga Policia e Kosovës, kemi një numër shumë më të vogël të aksidenteve të trafikut). “Në periudha të qarkullimit të automjeteve dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik pa masa kufizuese, mesatarisht raportoheshin 40-45 aksidente në ditë, kurse tani kemi të raportuara mesatarisht 10-15 aksidente rrugore. Nëse analizojmë në numër aksidentesh, kemi një diferencë prej  rreth 2/3 (65% TPL dhe 75% te dëmet vullnetare). Është interesant fakti se numri i aksidenteve të raportuara te ne  ka qenë më i ulët në periudhën kur kufizimet e lëvizjes ishin në periudhën kohore 06:00-17:00, se sa në kufizimin sipas numrit personal të mbajtësit të lejes së njoftimit (mund te supozohet se intervali kohor i lëvizjes më i gjatë ka krijuar komoditet në raport me intervalin  e  kufizuar, ose pjesëmarrja më e madhe e automjeteve në qarkullim ka ndikuar në rritjen e përqendrimit në raport me numrin më të vogël të automjeteve. Ky është vetëm supozim, sepse shkaku real mund të dihet vetëm pas një analize të detajuar”, thuhet më tutje në vlerësimin e tyre.

12,950,727 euro dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimeve gjatë periudhës janar-mars 2020.

17,43 % është rritur pagesa e dëmeve gjatë periudhës janar-mars 2020 në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

35,569 ka arritur numri i dëmeve të paguara vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2020.

1,752 është rritur numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës janar-mars 2020 në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

 

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]