Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Byronë Kosovare të Sigurimit, nënshkruan sot Memorandumin për mbulimin e kostos së sigurimit kufitar për palët që janë subjekt i policës kufitare. “Subjekt i kësaj marrëveshjeje janë të gjitha autoveturat dhe motoçikletat që hyjnë në pikat kufitare në Republikën e Kosovës, për të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës mbulon 100% të vlerës së primit të policës kufitare. Polica e sigurimit bëhet efektive në momentin e lëshimit dhe është valide 1 muaj nga data e lëshimit. Polica e sigurimit do të blihet në formë fizike në të gjitha pikat kufitare të shitjes të BKS-së”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Njëkohësisht, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka marrë sot vendim për uljen e lartësisë së tarifës për 35%, e cila rrjedhimisht do të ndikojë edhe në uljen e kostos së përgjithshme. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje paraqet një akt simbolik në mbështetjen e mërgatës sonë, e cila shërben si shtyllë e ekonomisë së vendit. Vetëm gjatë vitit 2020, remitancat nga mërgata kanë kapur vlerën në më shumë se 1 miliard euro. / BKS /