Nuk jemi larg zgjidhjes që të bëhemi pjesë e Byrosë së Kartonit të Gjelbër

6:15 / 30 Shtator 2022

Në prag të shënimit të 11 vjetorit të themelimit të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), drejtori Sami Mazreku tha sot se nuk janë larg gjetjes së zgjidhjes që edhe Kosova të behët pjesë e Byrosë së Kartonit të Gjelbër. Mazreku thotë se Kosova tashmë në aspektin teknik i ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara, sipas tij vetëm duhet gatishmëria e një shteti mik që qytetareve të Kosovës t’u krijohet mundësia të lëvizshin lirshëm pa kosto shtesë, sikurse qytetarët e gjithë botës. Mazreku më tutje tregon se për 20 muaj sa e ushtron funksionin e drejtorit të BKS-së e ka transformuar në tersi këtë Institucion si në aspektin fizik, ashtu edhe atë funksional.

iSIGURIME

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit(BKS), Sami Mazreku, në një intervistë për “iSIGURIME” tregon se gjatë 20 muajve të fundit janë angazhuar maksimalisht, 24 orë në ditë, për ndryshimin e imazhit të Byrosë Kosovare të Sigurimit. Ai thotë se pas një pune dhe angazhimi të madh, institucioni që ai drejton sot konsiderohet si model jo vetëm në Kosovë, por edhe më larg. Për sukseset e arritura, sipas tij, meritë të veçantë ka Banka Qendrore e Kosovës, respektivisht guvernatori Fehmi Mehmeti, pa përkrahjen e të cilit shumë procese ka qenë e pamundur t’i shtyjmë përpara.

iSIGURIME: Po e drejtoni Byronë Kosovare të Sigurimit në 11 vjetorin e themelimit. A është BKS-ja institucioni që ju e dëshironi ?

Mazreku: Shpesh vitet mund të jenë vetëm numra, kur në realitet mungojnë rezultatet. Siç e dini,  tash e 20 muaj unë jam në krye të Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe gjatë kësaj periudhe ne kemi sanuar, riparuar, korrigjuar e ballafaquar me problemet që janë krijuar gjatë 11 viteve të kaluara. Kur kam ardhur në këtë institucion arkën e kam gjetur pa para, kam gjetur kontrata me vlera qindra mijëra euro për kompensim të demit dhe shumë probleme tjera për të cilët ne i kemi njoftuar edhe organet e rendit. Por, fal punës, përkushtimit e angazhimit, sot Byroja Kosovare e Sigurimit është ai institucion që unë e kam dashur, është institucion model jo vetëm në Kosovë, por edhe më larg. Gjatë kësaj periudhe 20 mujore ne kemi mbyllur më shumë se 11 mijë dosje, ky është një rekord historik që nga themelimi i BKS-së e deri më tash. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe kohore ne i kemi transformuar në tersi zyrat tona nëpër pikat kufitare, të cilat deri në kohën kur ka nisur ndryshimi i tyre, pjesa dërmuese kanë qenë në gjendje të mjerueshme. Ndryshimi i logos po ashtu ka qenë edhe njëra prej punëve me të cilat ne jemi marrë gjatë kësaj kohe. Hapja për publikun gjithashtu ka qenë njeri prej prioriteteve tona kryesore dhe mendoj se është arritur në tersi. Njëri prej sukseseve tona gjatë kësaj periudhe kohore është edhe krijimi i sistemit të ri INSUREX i cili është ndër më të avancuarit në rajon, por edhe më gjerë. Gjatë kësaj periudhe kohore është bërë shumë punë, angazhim i madh përtej orarit, për të te arritur këtu ku jemi. Pra, tash po flasim për institucionin që unë e kam dashur të jetë.

iSIGURIME: Ndryshimi i imazhit të BKS-së ka qenë prioriteti juaj kryesor. A keni arritur ta bëni këtë gjatë 20 muajve sa e udhëhiqni ketë institucion?

Mazreku: Kur kam ardhur në këtë institucion, kam nisur me ndryshimin e logos së BKS-së, pastaj kemi vazhduar hapjen e Byrosë për media, kemi mbajtur takime të vazhdueshme me gazetarë të ekonomisë, pavarësisht nevojave dhe kërkesave që ata kanë pasur. Në anën tjetër, kemi punuar shumë në trajtimin dhe kompensimin me kohë të palëve të dëmtuara. Pra, prezantimi i rezultateve në vazhdimësi, qofshin ato në favor tonin, apo në disfavor tonin, përmes konferencave, përmes tryezave të shumta, ne kemi arritur këtu ku jemi. Pra sot kur flitet për sektorin e sigurimeve ka vetëm një adresë dhe ajo është Byroja Kosovare e Sigurimit. Gjithashtu, ne kemi punuar që përmes BKS-së të kemi vëmendje Institucionale . Po ashtu, gjatë kësaj periudhe kohore kemi pasur përkrahje të madhe nga Banka Qendrore e Kosovës, respektivisht guvernatori Fehmi Mehmeti, sepse pa përkrahjen e tij shumë procese ka qenë e pamundur t’i shtymë përpara. Përveç këtyre që i thash më lart, ne e kemi reformuar në tërësi edhe BKS-së, e kemi implementuar sistemin e ri që është i pari në rajon me i avancuari. Në bashkëpunim me Këshillin, ne jemi kujdesur që të bëjmë edhe ndryshime të mëdha  ligjore. Pra, të gjitha këto që i thash më lart, e kanë sjellë sot BKS-në në institucion model.

iSIGURIME: Gjatë kësaj periudhe kohore keni arritur të mbylleni më shumë se 11 mijë dosje. Si ia keni dalë?

Mazreku: Aktiviteti kryesor i kompanive të sigurimeve, por edhe BKS-së, është trajtimi dhe pagesa në kohë të shpejtë e palëve të dëmtuara. Në të kaluarën pavarësisht se ka pasur mjete të bollshme nuk ka pasur një menaxhim të mirë të trajtimit të dëmeve, pra nuk ka pasur thuajse fare trajtim dhe pagesë të dëmeve në kohë reale. Numri i dëmeve të mbyllura gjatë kësaj periudhe nga BKS-ja është sa 30 % i të gjitha dëmeve totale të të gjitha kompanive të sigurimit në vendin tonë. Falë punës së madhe të stafit dhe falë kompanive që i paguajnë mjetet në rregull. Pra, sot janë vetëm 2500 dosje aktive, ku më shumë se gjysma e tyre i përkasin kohës para se unë të vij në këtë institucion. Edhe kjo gjendje që po e them është falë mbështetjes së madhe të BQK-së.

iSIGURIME: Në të kaluarën Industria e sigurimeve e ka mbyllur vitin me bilanc negativ, derisa në vitet e fundit gjendja ka ndryshuar krejtësisht. Sa ka qenë i vështirë një transformim i tillë?

Mazreku: Normalisht që ka qenë e paimagjinueshme dhe e pabesueshme, por me një angazhim maksimal kemi arritur që secilën ngarkesë, secilën pengesë gradualisht ta zgjidhim. Pra, po të mos ishin gjithë këto ndryshime që kemi bërë, nuk do të ishte e mundur që pandeminë ta kalojmë aq lehtë. Ju e dini që si pasojë e pandemisë asnjë kompani nuk ka shkuar në falimentim përveç atyre që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin e që Banka Qendrore e Kosovës ua ka hequr licencën. Pas gjithë kësaj pune dhe angazhimi, tashmë Industria e sigurimeve është joshëse edhe për investitorët e huaj.

iSIGURIME: Edhe me tutje BKS-ja vazhdon të shpenzojë miliona euro për kompensim të dëmeve të shkaktuara nga automjetet e pasiguruara. A keni filluar që këto mjete t’i rimbursoni nga shkaktarët e aksidentit?

Mazreku: Po, në bazë të ligjit të gjithë personat e dëmtuar duhet të kompensohen nga fondi i kompensimit, por me pastaj BKS-ja këto mjete duhet t’i rimbursojë nga shkaktari i aksidentit. Derisa kam ardhur unë nuk është bërë një punë e mirë në këtë drejtim. Pra, BKS-ja ka paguar më shumë se 60 milionë euro, ndërsa janë inkasuar rreth 500 mijë euro. Pra, pasi kam ardhur unë kemi angazhuar kompani, e kemi angazhuar stafin dhe brenda një viti kemi arritur t’i kthejmë më shumë se 1 milionë euro, si dhe shumë të tjera janë në proces të përmbarimit.

 iSIGURIME: Z. Mazreku, kur besoni se Kosova do të anëtarësohet në Byronë e Kartonit të Gjelbër?

Mazreku: Në vazhdimësi është përmendur si pengesë problemi politik, por derisa  unë kam ardhur në krye të BKS-së askush nuk është marrë me problemet e brendshme që në atë kohë kanë qenë të shumta. Para se të ankohemi se ne nuk jemi pjesë e OKB-së, ne është dashur t’i kryejmë detyrat e shtëpisë sepse kemi pasur gjendje të rëndë brenda sektorit. Kemi pasur numër shumë të madh të automjeteve të paregjistruara, nuk i kemi pasur të nënshkruara të gjitha marrëveshjet me Byrotë e vendeve përreth nesh. Siç edhe e dini, vitin e kaluar kemi nënshkruar marrëveshje me Byronë e Malit të Zi, dhe tashmë ka kaluar një vit pas asnjë problem. Gjithashtu, kemi gjetur mirëkuptim edhe me Byronë Shqiptare rreth një shume të konsiderueshme të mjeteve që kjo është dashur t’i paguajë. Kemi ankuar të gjithë anëtaret një nga një, kemi takuar përfaqësuesit e Byrosë Shqiptare dhe kemi ardhur në përfundim se duhet të mbyllen të gjitha obligimet e ndërsjella. Në momentet që po flasim nuk kemi asnjë rast pezull për pagesë, si nga ana e jonë, ashtu edhe nga ana e Byrosë Shqiptare. Pra, me këto veprime edhe një kusht shtesë është plotësuara nga BKS-ja, në raport me Këshillin e Byrove. Kusht tjetër është ulja e numrit të automjeteve të paregjistruara. Derisa e kemi lansuar projektin e stikersave, kemi pasur mbi 237 mijë automjeteve të paregjistruara në lista. Dy muaj pas lansimit të sistemit janë dhënë efektet në praktikë. Pra, sot kemi vetëm 4,8 % numrin e automjeteve të paregjistruara. Ne si  BKS në koordinim të plotë me Këshillin e Byrove po shikojmë mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje alternative që edhe Kosova më në fund të bëhet pjesë e Byrosë së Kartonit të Gjelbër. / Byroja Kosovare e Sigurimeve /

 

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]