Rekomandohet hapja e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve

6:44 / 16 Maj 2020

Sikur në çdo sektor tjetër, pandemia Covid-19 ka afektuar tej mase edhe industrinë e sigurimeve, pasi numri i policave të shitura nga kompanitë e sigurimeve ka rënë rreth 50% krahasuar me vitin paraprak.

Gjendja do të fillonte të përmirësohej nëse Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do t’i hapte Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve pasi këto janë të mbyllura me një vendim të MPBAP-së që nga muaj mars.

Kështu thotë drejtori i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku, i cili shton se ende nuk është bërë një përllogaritje e saktë e humbjeve financiareve nga kompanitë të sigurimeve, por sikur shumica e bizneseve në vend, pandemia ka shkaktuar dëme edhe në industrinë e sigurimeve.

Duke e pasur parasysh se një numër i madh i veturave të paregjistruara janë në qarkullim, Mazreku thotë se këto automjete paraqesin rrezik në trafik.

Situata është vështirësuar

“Me ndryshimin e orarit të lëvizjes së qytetarëve, sigurisht që është vështirësuar edhe më shumë situata, interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me policë të sigurimit ka rënë. Aktualisht me shifra të sakta nuk mund të flasim, mirëpo nëse flasim me përqindje, interesimi është 50% më i ulët në raport me vitin paraprak. Sigurisht edhe kufizimi i lëvizjes për 90 minuta gjatë ditës për të dalë në trafik ka ndikuar. Por edhe nga kushtet e qytetarëve, një pesë e tyre ndoshta nuk i kanë përdorur veturat, mirëpo interesimi është shumë më i vogël në raport me vitin e kaluar. Më vonë kemi planifikuar të dalim edhe me shifra të sakta se sa janë humbjet, mirëpo aktualisht nuk kemi të dhëna zyrtare, derisa ato të publikohen në uebfaqen e Bankës Qendrore”, thotë Mazreku.

Shitja ka renë menjëherë

Drejtori i Shoqatës, për “KosovaPress”, thotë se vendimi për mbylljen e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve ka ndikuar direkt në rënien e menjëhershme të shitjes së policave të sigurimit, si pasojë e të cilit numri i automjeteve të paregjistruara po rritet.

“Sektori i sigurimeve është i ndërlidhur ngushtë edhe me Qendrat e Regjistrimeve sepse policat që ne i lëshojmë dorëzohen në këto qendra dhe pastaj ndodh edhe regjistrimi i automjetit. Mbyllja e qendrave na ka dëmtuar shumë, njerëzit nuk kanë pasur mundësi t’i regjistrojnë veturat, ku edhe nuk i kanë siguruara. Lidhur me këtë, ne i rekomandojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të fillojë gradualisht me hapjen e Qendrave të Regjistrimit për shkak se nëse vazhdojmë më tutje me këtë gjendje situata do të vështirësohet”, pohon ai.

Asnjë mase e ndërmarrë ndaj stafit

“KosovaPress”  ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, por ata nuk janë përgjigjur.

Mazreku thotë se nuk është shumë shqetësuese rënia të hyrave për kompanitë sa mbetet problem qarkullimi i një numri të madh të automjeteve të paregjistruara, prej rreth 150 mijë vetura janë në trafik që potencialisht mund të jenë edhe shkaktarë të aksidenteve. Dëmet financiare të shkaktuara nga kompensimi për aksidentet për këto automjete që nga pas lufta kapin vlerën e 44 milionë eurove, ose 4 deri në 8 milionë euro në vit.

Po ashtu, Mazreku po kërkon që edhe sektori i kompanive të sigurimeve të jetë pjesë e grupit punues të “Pakos II” për rimëkëmbje ekonomike. Madje, i pari i shoqatës po kërkon nga Qeveria që të subvencionohen qytetarët për sigurimin e automjeteve. “Sigurisht se unë do t’i shpalos shqetësimet tona si industri dhe mënyrën si ata (Qeveria) duke i ndihmuar qytetarët në mënyrë indirekte na ndihmojnë edhe neve, sepse ndarja e një fondi të caktuar për qytetarët që në këtë kohë pandemie t’i sigurojnë veturat e tyre duke subvencionuar këtë shumë nga shteti, do të ishte ndihmesë direkte për qytetarin, mirëpo në anën tjetër do të ishte një ndihmës indirekte edhe për neve. Nuk ka asnjë masë që një kompani e sigurimeve ka ndërmarrë ndaj stafit të vet, mirëpo nëse vazhdohet kështu sigurisht që situata do të vështirësohet”, deklaron Mazreku.

Ai në fund theksoi se përkundër vështirësive, kompanitë kanë vazhduar punën duke ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme, qoftë nga prania fizike apo nga distanca, për shitjen e policave në tërë territorin e Kosovës dhe janë të hapura çdo ditë prej orës 8:00 deri në orën 16:00.

 

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]