Rreth 140 mijë automjete të paregjistruara në rrugët e Kosovës, ky është projekt-propozimi për uljen e këtij numri

7:46 / 21 Shtator 2020

Vlerësohet se rreth 140 mijë automjete të paregjistruara/siguruara qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës, të cilat u shkaktojnë dëme milionësh kompanive të sigurimeve, por edhe buxhetit të Kosovës.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), 4.4 milionë euro dëme kanë paguar kompanitë e sigurimeve gjatë vitit 2019 për automjetet e paregjistruara. Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, e cila udhëhiqet nga Sami Mazreku, në janar të këtij viti ka përgatitur një projekt propozim për uljen e numrit të mjeteve motorike të paregjistruara/pasiguruara, të cilat çdo vit i shkaktojnë dëme milionëshe industrisë së sigurimeve, por edhe buxhetit të Republikës së Kosovës.
Sipas këtij dokumenti,
ulja e numrit të mjeteve motorike të paregjisturara dhe të pasiguruara mbetet sfidë e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe palëve të tjera të interesit, siç janë kompanitë e sigurimit. Ky shqetësim, në mënyrë të drejtpërdrejt prek disa institucione për të cilat sipas legjislacionit në fuqi, burojnë të drejta dhe autorizime ligjore për të trajtuar dhe rregulluar çështjen problematike në fjalë. Ajo që duhet vlerësuar paraprakisht është, adekuatshmëria e masave që institucionet dhe palët që janë të autorizuara kanë të drejtë të ndërmarrin për të trajtuar në mënyrë të duhur këtë dukuri. Ndër institucionet me kompentecë për trajtimin e kësaj dukurie, respektivisht regjistrimit të mjeteve motorike në qarkullim rrugor është Ministria e Punëve të Brendshme, ndërkaq kjo çështje me efekt të drejtpërdrejtë prek mbikëqyrjen dhe funksionimin që ka institucioni i Bankës Qendrore të Kosovës, Byrosë Kosovare të Sigurimit si dhe kompanvie të sigurimit Jo jetë në Republikën e Kosovës.

Në avokim të respektimit të ligjeve të zbatueshme dhe avancimin e tyre, Shoqata e Sigurimeve të Kosovës ka luajtur dhe në vazhdimësi do ta luajë rolin e saj për të rritur vetëdijësimin e policëmbajtësve, respeketivisht të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për rëndësinë e sigurimeve në përgjithësi si dhe efektet nga realizimi dhe humbja e të drejtave që mund të derivojë si pasojë e mos regjistrimit dhe mos sigurimit të mjeteve motorike. “Mobilizimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për të gjithë akterët e sipërpërmendur, për të ndërmarrë masa dhe hapa konkret në uljen e numrit të mjeteve motorike të paregjisturara dhe të pasiguruara, të cilat si fillim do të mundohemi t’i shtjellojmë e pastaj nga grupet punuese të cilat mund të formohen nga Banka Qendrore e Kosovës do të trajtohen më detajisht, për të arritur rezultatet e nevojshme”, thuhet mes tjerash në këtë projekt propozim.

Ky projekt propozim për uljen e numrit të automjeteve motorike të paregjistruara/pasiguruara është i ndarë në tri faza:

Faza 1

Ministria e Punëve të Brendshme duhet të ndërmarrë masat e nevojshme për hartimin e një udhëzimi adminsitrativ për implmentim e dispozitës së nenit 3, pikës 48 të Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjetet, ku është dhënë përkufizimi dhe rastet e caktuara kur një mjet motorik mund të trajtohet si mjet jashtë përdorimit, e cila përcakton si vijon: – “mjet jashtë përdorimit konsiderohet çdo mjet (përveç mjetit muzeor), i cili nuk arrin t’i korrigjojë defektet në një afat 60-ditor për t’i përmbushur kushtet e rregullsisë teknike, apo vetëdeklarohet si mjet i paaftë për qarkullim në rrugë me rastin e çregjistrimit, apo mbetet i paregjistruar më gjatë se dy (2) vjet. Ndërkaq, sipas nenit 65 të po këtij ligji, përcaktohet si në vijim: “Në rast se një mjet motorik plotëson njërën nga këto kushte, atëherë sipas Nenit 65 të këtij Ligji pronari detyrohet që të paraqesë dëshminë e asgjësimit të mjetit motorik me rastin e çregjistrimit të tij.” Sipas këtyre dispozitave ligjore, Ministria e Punëve të Brendshme do të duhej të nxjerrte udhëzimin administrativ që është propozuar, për të trajtuar mjetet motorike të cilat sipas evidencave të Qendrës për Regjsitrimin e Automjeteve nuk kanë vazhduar regjistrimin për më shumë se dy vjet, duke i larguar ato mjet si të rregullta apo nga e drejta për qarkullim rrugor.

 Faza 2

Ministria e Punëve të Brendshme duhet të ndërmarrë veprimet e ngjashme sikur në fazën 1, duke miratuar udhëzim administrativ të veçantë për regjistrimin e mjeteve motorike për të cilat nuk zbatohet neni 65 i Ligjit për Automjetet (përfshirë neni 3 pika 48 e Ligjit).

Në rastet kur nga pronari i mjetit motorik nuk vazhdohet regjistrimi në kohë, por kjo nuk e arrin periudhën e mosregjistrimit prej dy vitesh, sipas udhëzimit administrativ duhet të parashihen masa të caktuara nën periudhat e ndryshme kur ky detyrim përmbushet nga pronari, duke synuar çdo herë edukimin e pronarëve të mjeteve motorike dhe jo ndëshkimin financiar të qytetarëve.

 Faza 3

Për mjetet motorike të cilat janë jashtë përdorimit, qytetarët do të jenë subjekt i gjobave dhe do të jenë të detyruar që të ç’lajmërojnë këto mjete, ashtu që në regjistrat zyrtar të kemi numrin real të mjeteve pa regjistrim dhe kështu, kampanjat e përbashkëta do të jenë të fokusuara në këtë drejtim.

Vlerësimi i bazës ligjore për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Automjete është i nevojshëm për të mundësuar dhënien e kompetencave Policisë së Kosovës, për sekuestrimin e mjeteve motorike të cilat nuk janë të regjistruara dhe nuk kanë kontraktuar sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia (MTPL). Në anën tjetër, heqja e çdo kufizimi apo takse shtesë në proceduren e regjistrimit të mjeteve motorike, siç janë taksat komunale, pagesat e gjobave, ndërrimi i pronësisë etj., është e domosdoshme dhe e ligjshme dhe kjo nuk duhet trajtuar si lehtësim për qytetarët por si e drejtë ligjore e kushtetuese, për të cilën është deklaruar edhe Avokati i Popullit në trajtimin e ankesës së paraqitur nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës gjatë vitit 2019.

Sipas Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjsëia, institucioni i autorizuar për të kontrolluar nëse mjetet motorike në qarkullim kanë kontraktuar sigurimin e detyueshëm nga autopërgjegjësia është Policia e Kosovës, të cilës duhet dhënë përkrahjen e nevojshme për të arritur objektivat dhe qëllimet e saj në këtë drejtim.

Ndryshimi i pjesshëm i legjislacionit që do t’i mundësonte Policisë së Kosovës konfiskimin e mjeteve motorike që nuk kanë kontraktuar sigurimin e detyrueshëm si dhe nuk janë regjistruar, ngase aktualisht një veprim i tillë nuk është i mundur të kryhet nga Policia e Kosovës, ndërsa në vendet e rajonit kjo është një praktikë lehtësisht e aplikueshme. Konfiskimi në fjalë, nënkupton konfiskimin e përkohshëm të mjetit motorik deri në përmbushjen e detyrimeve lidhur me regjistrimin dhe sigurimin e mjetit motorik, ose ç’lajmërimin nga regjistri të mjetit motorik, pas kalimit të një afati optimal të caktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, por jo më shumë se 30 ditë nga dita e konfiskimit të përkohshëm. Ndërkaq, monitorimi i vazhdueshëm i këtij procesi nga Policia e Kosovës do të jetë edhe më i lehtë me nxjerrjen e udhëzimeve administrative të propozuara si më sipër, duke qenë se listat nën të cilat kryhen verifikimet do të jenë më të sakta dhe më drejtë do të paraqesin të dhënat mbi mjetet motorike pa regjistrim të cilat mund të jenë në qarkullim. Nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës për Policinë e Kosovës do të dhurohet një pajisje elektronike përmes së cilës do të kenë mundësi të identifikojnë në mënyrë automatike e të digjitalizuar mjetet motorike pa regjistrim, në zonën ku kryhet kontrolli përkatës. Ky do të jetë një pilot-projekt në bazë të të cilit do të vlerësohet efikasiteti i këtij procesi, ndërkaq do të vlerësohet dhe nevoja për mbështetje të shtuar Policisë së Kosovës në uljen e numrit të mjeteve motorike pa regjistrim. Me Policinë e Kosovës do të bashkëpunohet për krijimin e aplikacionit për markimin e hartës së aksidenteve, identifikimin e “pikave të zeza” ku qytetarët do të kenë mundësinë e njoftimit për rrezikshmërinë e rrugës së caktuar dhe informacionet shtesë mbi numrin e aksidenteve, lëndimeve etj.

Nismat legjislative të inicuara nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës

Gjatë dy viteve të fundit, duke vepruar brenda autorizimeve dhe kompetencave të saj, Shoqata e Sigurimeve të Kosovës ka inicuar disa nisma legjislative për rregullimin e legjislacionit në fuqi. Në çdo kuartal janë mbajtur tryeza me partnerë të ndryshëm në adresimin e çështjeve me rëndësi për sigurimet dhe publikun, në baza mujore janë publikuar materiale informuese “iSigurimet” mbi industrinë e sigurimeve në përgjithësi, duke publikuar kështu shifra të sakta mbi numrin e mjeteve motorike të paregjistruar (e vlerësuar në nivel prej 30%), shumat e dëmeve të paguara ndër vite, dëmet e ndodhura si dhe shumë informacione të tjera me rëndësi. Shqetësimet e industrisë së sigurimeve janë paraqitur edhe në shumë emisione televizive si dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku çështjet e kushtëzimit të qytetarëve përmes pagesës së taksave të ndryshme janë trajtuar edhe brenda këtij institucioni, si dhe çështje të ndryshme të cilat janë ndjekur gjatë kësaj periudhe. Me qëllim të avancimit të industrisë së sigurimeve në Kosovë dhe ruajtjes së stabilitetit financiar të sigurimeve në vend, duke punuar në lehtësim të sfidave të cilat ka Kosova dhe institucionet përkatëse, si Byroja Kosovare e Sigurimit në anëtarësimin e saj në organizatën e Këshillit të Byrove në Bruksel, është e domosdoshme që të gjitha palët e përfshira në këtë proces të punojnë bashkërisht në arritjen e qëllimeve si më sipër.

Banka Qendrore e Kosovës si institucion licencues, mbikëqyrës dhe rregullues i industrisë së sigurimeve mund të japë kontribut të çmuar në adresimin e çështjeve pranë institucioneve tjera shtetërore, si Ministria e Punëve të Brendshme, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, Policia e Kosovës, Byroja Kosovare e Sigurimit dhe institucione të tjera. Ky bashkëpunim mund të formalizohet përmes ngritjes së një grupi punues nga Banka Qendrore e Kosovës, ashtu që të gjitha institucionet relevante të mund të japin kontributin e tyre në këtë drejtim.

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës në vazhdimësi do të kryejë funksionin e saj në ofrimin e ekspertizës në të gjitha çështjet e ngritura përmes kësaj shkrese, duke pasur në fokus dhe edukimin dhe vetëdijësimin e qytetarëve për aksidentet në komunikacion rrugor, të drejtat dhe detyrimet nga kontratat e sigurimit si dhe informimin e përgjithshëm mbi produktet e sigurimeve. Ne do të jemi të gatshëm në çdo kohë, me përgjegjësi të plotë dhe shkallë të lartë të profesionalizmit të marrim pjesë në çdo iniciativë të filluar nga Banka Qendrore e Kosovës për të realizuar qëllimet e përbashkëta, në mbrojtje të interesave të policëmbajtësve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës si dhe në avancimin dhe zhvillimin e industrisë së sigurimeve në vend.

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]