Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë tre mujorit të parë të këtij viti tregu i sigurimeve në vendin tonë është rritur për 4,17 % në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po ashtu, gjatë këtij tre mujori vlera e primeve të shkruara bruto është rritur me 891,910 euro, duke arritur shifrën 22,290,328 euro.
Industria e sigurimeve në vendin tonë vazhdon të rritet dhe zhvillohet me hapa të shpejtë pavarësisht problemeve të shuma me të cilat është ballafaquar dhe po përballet edhe sot e kësaj dite. Ndër to janë numri i madh i automjeteve të pasiguruara të cilat qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës, por edhe aplikimi i taksave të ndryshme që nuk janë aplikuar për asnjë korporatë tjetër në vend. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet se gjatë tre mujorit të parë të këtij viti tregu i sigurimeve në vendin tonë është rritur për 4,17 % në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po ashtu, gjatë këtij tre mujori, vlera e primeve të shkruara bruto është rritur me 891,910 euro, duke arritur shifrën 22,290,328 euro. “Gjatë periudhës janar-mars 2019, tregu i sigurimeve ka pasur një rritje prej 4.17%. Volumi i primeve të shkruara bruto është rritur me 891,910 euro, duke arritur shifrën 22,290,328 euro. Numri i kontratave arriti në 214,950, duke shënuar rritje me 4.77% krahasuar me periudhën janar-mars 2018”, thuhet në raportin e BQK-së. Aty më tutje thuhet se volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jo-Jetës kapi shifrën 21,431,598 euro, duke shënuar rritje në masën 3.55% krahasuar me periudhën janar-mars 2018. “Numri i kontratave në sigurimin e Jo-Jetës kapi shifrën 211,899 duke shënuar një rritje në masën 4.13%, krahasuar me periudhën janar-mars 2018”, thuhet më tutje në raportin e BQK-së.
Mehmeti: Kemi përmirësim të dukshëm të sektorit të sigurimeve
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti ka thënë se sektori Sektori i sigurimeve ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme. Një performancë e tillë është ndikuar nga disa faktorë, prej të cilëve vlen të theksohet tatimi në bruto primin e shkruar, apo tatimi në qarkullim prej 5% për siguruesit, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara, që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës. “Marrë parasysh këtë, rezultatet financiare të kompanive të sigurimit gjatë viteve të kaluara kanë qenë negative. Megjithatë, gjatë dy viteve të fundit kemi përmirësim të dukshëm të performancës së sektorit të sigurimeve, si rezultat edhe i masave mbikëqyrëse dhe legjislative që i ka ndërmarrë BQK-ja. Fitimet e realizuara nga sektori i sigurimeve deri më 31 mars 2019 janë në shumë prej 144 mijë euro, që janë më të ulëta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka thënë ai. Sipas tij, Industria e sigurimeve në Kosovë është në vitin e 18-të të funksionimit të saj dhe përgjatë kësaj periudhe ka kaluar në faza të ndryshme të zhvillimit. Gjatë këtyre viteve kjo industri ka shënuar rritje, si në aspektin e numrit të kompanive të sigurimeve, ashtu edhe në aspektin e aseteve. “Tregu i sigurimeve në Kosovë është i zhvilluar kryesisht në sigurime të detyrueshme, më konkretisht në sigurimet e përgjegjësisë ndaj palës së tretë, përderisa tregu i sigurimeve vullnetare ende përfaqëson një pjesë mjaft të vogël të aktivitetit të kësaj industrie. Gjatë këtyre viteve të zhvillimit të sektorit të sigurimeve në Kosovë është arritur të plotësohet mjaft mirë platforma e produkteve të sigurimeve që i nevojiten një ekonomie, prandaj mund të themi se ky sektor është duke dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në rritjen e sigurisë dhe, rrjedhimisht, përmirësimin e ambientit për të operuar në ekonominë e Kosovës”, është shprehur ai.
Mazreku: Tregu modern dhe inovativ
Sami Mazreku, drejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës thotë se tregu i sigurimeve në Kosovës po ndjek hapat e inovacionit dhe modernizimit. Sipas tij, kompanitë e sigurimeve janë duke u zhvilluar në vazhdimësi, duke i rritur produktet dhe shërbimet për klientë. “Tregu po zhvillohet në vazhdimësi, po ndjek hapat e industrisë së sigurimeve sikurse në shtete të zhvilluara Evropiane. Nga ky vit sektori i sigurimeve ka filluar ofrimin e disa produkteve të reja që nuk i ka ofruar deri më tash. Por, produkte të reja dhe inovative do të prezantohen edhe në ditët dhe muajt në vijim”, ka thënë ai.