Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) z.Sami Mazreku, është takuar sot në Prishtinë me zëvendësministrin e Infrastrukturës z.Hysen Durmishin, shefin e kabinetit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës z.Nexhat Miftaraj si dhe z.Blerim Camajn, zëvendësues i drejtorit të Agjencisë së Regjistrimit Civil ku kanë diskutuar rreth mbarëvajtjes së punëve të realizuara deri më tash për vendosjen e stikersave në xhama të automjeteve.
Gjatë takimit, janë prezantuar aspekti teknik, ai ligjor, por edhe detaje tjera të cilat parashihen për zbatimin e këtij projekti i cili për qëllim ka uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara në vend, e të cilat shkaktojnë humbje të konsiderueshme si për shtetin, ashtu edhe për Industrinë e sigurimeve.
Gjatë ditëve në vijim palët janë dakorduar që të nënshkruajnë një memorandum të përbashkët në mënyrë që palët të jenë gati që 1 marsi i këtij viti të filloj edhe zbatimi i projektit ashtu siç është thënë ditë më parë.
Vlen të theksohet se e gjitha barra financiare për zbatimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm bije mbi Byronë Kosovare të Sigurimit. / Byroja Kosovare e Sigurimit /