Mazreku: Ndryshimi ligjit, hap një etapë të re për industrinë e sigurimeve

Kompanitë e sigurimeve që operojnë në Republikën e Kosovës, tash e tutje do të trajtohen njëjtë sikurse të gjitha bizneset tjera që funksionojnë në shtetin tonë. Kështu thuhet në komunikatën e dërguar nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e jashtëzakonshme e cila është mbajtur të premten kanë votuar në lexim të dytë Projektligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, ligj ky që rregullon tatuarjen e bizneseve në vend. Deri më tash si asnjë biznes tjetër në vend, kompanitë e sigurimeve kanë qenë të obliguara që të paguajnë 5 për qind tatim në qarkullim, si dhe të gjitha tatimet tjera që parashihen me ligjet e Republikës së Kosovës.

“Në emër të kësaj tatuarje kompanitë e sigurimeve janë dëmtuar rëndë, ku në mënyrë të padrejtë deri më tash kanë paguar mbi 60 milionë euro. “Përfundimisht sot po merr fund një padrejtësi e madhe. Kompanitë e sigurimeve nga sot do të trajtohen njëjtë sikurse të gjitha koorpopratat tjera në Kosovë. Ato do të paguajnë të gjitha tatimet që parasheh ligji, por më nuk do të paguajnë 5 për qind në qarkullim por do të paguajnë tatim në shkallë prej 10 përqind në të ardhurat e tatueshme. Për të ardhur deri këtu është dashur një angazhim i madh i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti, Kuvendit të Kosovës, Ministrisë së Financave, por edhe i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës”, ka thënë Sami Mazreku, drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës.

Sipas tij, tatuarja e aplikuar deri më tash, përpos që ka dëmtuar rëndë industrinë e sigurimeve në aspektin financiar, si e tillë ajo ka dëmtuar rëndë edhe ambientin e të bërit biznes, pasi që një model i tatuarjes së tillë që ka qenë e aplikueshme vetëm për kompanitë e sigurimeve mund të cilësohet edhe si diskriminuese. Mazreku thotë se tatuarja e tillë ka qenë edhe një barrierë për investitorët e huaj që kanë qenë të interesuar për të investuar një pjesë të kapitalit të tyre në këtë fushë, pasi që është parë si barrë e rëndë financiare. “Me ndryshimin e tatuarjes për kompanitë e sigurimeve, duke i tatuar sikur të gjitha korporatat tjera po hapet një etapë e re e zhvillimit”.

“Gjatë këtij viti përpos inovacioneve të shumta në industrinë e sigurimeve ne të gjithë së bashku do të angazhohemi për vetëdijesimin e qytetarëve për të ulur numrin e aksidenteve më pasoja fatale, por edhe atyre me të lënduar rëndë e lehtë”, ka thënë Mazreku.

Vlera e aseteve të sektorit të Sigurimeve 177 milionë euro

Vlera e aseteve të sektorit financiar në vend po rritet nga viti në vit. Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se në fund të vitit që e lamë pas asetet e sektorit të sigurimeve në Kosovë kanë arritur në vlerën 176.9 milionë euro, nga 176.7 milionë euro sa ishin në fund të vitit 2017.

Po ashtu, sipas këtyre të dhënave zyrtare shihet se në fund të vitit 2016 vlera e aseteve të tregut të sigurimeve kishte arritur në 161.8 milionë euro, në fund të vitit 2015 vlera e aseteve ishte 150.8 milionë, deri sa në dhjetor të vitit 2014 vlera totale e aseteve të sektorit të sigurimeve në Kosovës kishte arritur në 140.4.

Duke u mbështetur në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet se në fund të vitit 2013 vlera e aseteve të sektorit të sigurimeve në Kosovë kishte arritur në 132.5 milionë euro, në fund të vitit 2012 ishte 130.8 milionë euro, në fund të vitit 2011 ishte 112.5 milionë euro, derisa në fund të vitit 2010 vlera e aseteve të sektorit të sigurimeve në Kosovë kishte arritur në 97.3 milionë euro.

“Në dhjetor të vitit 2009 vlera e aseteve të tregut të sigurimeve ishte 88.9 milionë euro, në fund të vitit 2008 ishte 78.4, në fund të vitit 2007 kjo vlerë kishte arritur në 70.8 milionë euro, në fund të vitit 2006 ishte 54.4, si dhe në fund të dhjetorit të vitit 2004 vlera e aseteve ishte 50.4 milionë euro”, thuhet në raportet e Bankës Qendrore të Kosovës.

Aksidentet në rënie

Fushata vetëdijesuese dhe shtrenjtimi i gjobave në komunikacion kanë ndikuar që numri i aksidenteve me fatalitet, me të lënduar, apo edhe aksidentet e përgjithshme të shënojnë rënie gjatë vitit 2018, kjo krahasuar me një vit më parë, vitin 2017.

Megjithëkëtë, ndonëse kemi rënie, ende mbesin në kuadër të shifrave të larta.

Bazuar në statistikat zyrtare të Policisë së Kosovës, derisa gjatë vitit 2017 numri i përgjithshëm i aksidenteve fatale në Kosovë ka qenë 122, një vit më vonë (2018), ky numër ka rënë në 100. Sipas Policisë, nga aksidentet e tilla gjatë vitit 2017 kishin vdekur 137 persona, derisa numri i të vdekurve një vit më vonë ka qenë 128. Aksidente me lëndime në komunikacion gjatë vitit 2017 kanë qenë 6390, ndërsa ky numër një vit më pas ka rënë në 6217.

Edhe numri i personave të lënduar ka shënuar rënie, në vitin 2017 kanë qenë 12645 veta të lënduar në komunikacion, ndërsa në vitin 2018 ky numër ka qenë 12360. Aksidente komunikacioni me dëme materiale gjatë vitit 2017 kanë qenë 11183, ndërsa një numër i tillë në vitin 2018 ka rënë në 9424. Numri i përgjithshëm i aksidenteve nga 17695 sa ka qenë në vitin 2017, ka rënë në 15741 në vitin 2018.

Sami Mazreku, drejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës ka thënë se gjatë gjithë pjesës së dytë të vitit që lamë pas kanë organizuar aktivitete të ndryshme që si qëllim të vetëm e kanë pasur uljen e numrit të aksidenteve me pasoja fatale, por edhe të aksidenteve me të lënduar lehtë e rëndë. Sipas tij, fushata ka pasur suksese, por sivjet pritet të ketë edhe shumë më shumë aktivitete për të arritur rezultate më të mira në praktikë.

“Duke filluar nga muaji mars ne do të nisim me aktivitetet tona që kemi paraparë në këtë drejtim, si me tryezat e shumta që i kemi planifikuar së bashku me policinë, mediet, por edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve”, ka thënë Mazreku. Ai shton se është e dhimbshme kur shikohet numri i qytetareve që brenda një viti po e humbin jetën në aksidente komunikacioni.

BQK: ASETET E SEKTORIT TË SIGURIMEVE U KARAKTERIZUAN ME RRITJE TË PËRSHPEJTUAR

“Asetet e sektorit të sigurimeve gjatë TM3 2018 u karakterizuan me rritje të përshpejtuar, duke ndihmuar në rikuperimin gradual të këtij sektori nga gjendja financiare jo e favorshme e tij në vitet paraprake. Në TM3 2018, asetet e sektorit të sigurimeve u zgjeruan për 6.3 milionë euro dhe arritën vlerën prej 181.0 milionë euro në fund të periudhës, krahasuar me rritjen prej 3.3 milionë euro në TM3 2017”, thuhet në raportin e vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Më tutje aty thuhet se ecuria e gjithsej aseteve të sektorit reflekton zhvillimet në sektorin e sigurimeve ‘jo-jetë’, asetet e të cilave u shtuan për 4.1 milionë gjatë tremujorit të tretë.

Edhe pse sektori ‘jetë’ ka peshë të vogël në asetet e përgjithshme të sektorit të sigurimeve, rritja e aseteve të tyre për 2.2 milionë euro ndikoi po ashtu në ecurinë pozitive të aseteve të sektorit.

Mbi 400 mijë kundërvajtje në komunikacion

Policia e Kosovës ka bërë të ditur po ashtu se gjatë vitit 2018 ka regjistruar mbi 400 mijë kundërvajtje në komunikacion.

Sipas zyrës për media të Policisë së Kosovës, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve, në vazhdimësi ndërmarrin aktivitete në zbatim të ligjeve të fushës së trafikut rrugor.
Në aspektin e parandalimit, vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit, Policia ka ndërmarrë këto masa:

Është implementuar projekti për siguri në trafik “Lëvizni të sigurt në trafik”. Përmes njësive të trafikut dhe stacioneve policore, janë shpërndarë fletëpalosje te pjesëmarrësit në trafik. Gjithashtu, projekti është promovuar edhe në rrejte sociale dhe media, përfshirë këtu edhe ligjëratat dhe diskutimet në institucione shkollore.

Po ashtu është implementuar projekti për siguri në trafik “Për një vit më të sigurtë në trafik”. Sipas policisë, projekti ka pasur për qëllim vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik, duke përfshirë diasporën dhe shtetasit e huaj. Shpërndarja e fletëpalosjeve është bërë në të gjitha pikat kufitare dhe në tërë territorin e vendit.

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]