Viti i Sigurimeve

Gjatë vitit që lamë pas tregu i sigurimeve në Kosovë ka shënuar rritjen më të madhe në dekadën e fundit. Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë vitit 2018, në raport me vitin paraprak, tregu i sigurimeve në vend është rritur për 6.89 për qind.

Volumi i primeve të shkruara bruto është rritur me 6,027,426 euro, duke arritur shifrën 93,474,947 euro, derisa në periudhën janar – dhjetor 2017, tregu i sigurimeve kishte shënuar rritje prej 4.38% krahasuar me periudhën janar – dhjetor 2016.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet se gjatë periudhës janar- dhjetor 2018 numri i kontratave arriti në 1.082.735 duke shënuar rritje me 5.23% krahasuar me janar – dhjetor 2017.

MAZREKU TAKOHET ME ZEKËN, SYNOHET ZVOGËLIMI I NUMRIT TË VETURAVE TË PAREGJISTRUARA

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka zhvilluar një takim pune me zëvendësministrin e Punëve te Brendshme, Izmi Zeka.

Sipas njoftimi në takim është bashkëbiseduar lidhur me veprimet e përbashkëta që do të ndërmerr Shoqata e Sigurimeve të Kosovës me Ministrinë e Punëve te Brendshme, me qëllim të zvogëlimit të numrit të mjeteve motorike të paregjistruara e të pasiguruara.

“Ne ditët ne vijim, do të organizojmë një tryeze me pjesëmarrës nga institucionet kompetente ku do të diskutohen veprimet e deritanishme në uljen e numrit të mjeteve të paregjistruara në qarkullim rrugor dhe ato që do të merren më tutje në vazhdim, përfshire edhe iniciativat për përmirësimin e rregullatives ligjore në këtë drejtim”, bëhet e ditur në njoftim.

11 MILIONË EURO DËME U PAGUAN PËR TRE MUAJ

Vetëm gjatë tre mujorit të parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve në Kosovë paguan dëme në vlerë prej hiç më pak se 11 milionë e 28 mijë euro. Në raport me periudhën e njëjte të vitit paraprak pagesa e dëmeve është rritur për 7.4 për qind. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti thotë se sektori i sigurimeve për tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën paraprake, ka rezultuar me një trend më pozitiv në pagesën e dëmeve

Shuma të mëdha parash edhe më tutje vazhdojnë të paguhen nga kompanitë e sigurimeve për dëmet që shkaktohen nëpër aksidente të shumta të komunikacionit. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm gjatë tre mujorit të parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve në Kosovë paguan dëme në vlerë prej hiç më pak se 11 milionë e 28 mijë euro. Në raport me periudhën e njëjte të vitit paraprak pagesa e dëmeve është rritur për 7.4 për qind.  “Gjatë periudhës janar-mars 2019, janë paguar gjithsej 11.028.247 euro dëme ose 7.40% më shumë se  gjatë periudhës janar-mars të vitit 2018”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovë. Aty më tutje theksohet se numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës janar-mars 2019 është ulur me 1,280 dhe arriti shifrën 33,816, nga të cilat 33,741 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 75 nga kompanitë e sigurimit të Jetës.

44 milionë euro janë kompensuar gjatë vitit 2018

Gjatë vitit që lama pas një shuma të konsiderueshme të mjeteve kompanitë e sigurimeve e kanë paguar për kompensimin e dëmeve. Sipas të dhënave të BQK-së shihet se shuma e dëmeve që janë kompensuar është mbi 44 milionë euro e që është shuma më e madhe e paguar deri më tash. “Gjatë periudhës janar – dhjetor 2018, janë paguar dëme gjithsej 44,112,734 euro ose 1.20% më shumë se gjatë janar – dhjetor 2017. Numri i dëmeve të paguara në periudhën janar – dhjetor 2018 është ulur për 542 dhe arriti shifrën 139,642 nga të cilat 139,356 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 286 nga kompanitë e sigurimit të Jetës “thuhet më tutje në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës. Përndryshe, kompanitë kosovare të sigurimeve, përgjatë periudhës 16 vjeçare, përkatësisht 2002-2018, kanë paguar rreth 400 milionë euro dëme të aksidenteve të ndryshme në komunikacion. Derisa pagesa e dëmeve që shkaktohen nga automjetet në komunikacion është rritur dukshëm,  nga industria e sigurimeve problem i madh vazhdon të mbetet numri i madh i veturave të pasiguruara që qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës, të cilat vlerësohet se shkaktojnë dëme dhjetëra milionëshe për sigurimet nga aksidentet e ndryshme. Sipas një analize të botuar në medie, nga viti 2002 deri në vitin 2018, kompanitë e siguruara kanë paguar dëme në vlerë mbi 40 milionë euro për dëmet që i kanë shkaktuar veturat e pasiguruara, pasi që vlerësohet se rreth 30 për qind e numrit të përgjithshëm të mjeteve motorike në Kosovë janë të pasiguruara. 

Guvernatori: Trend pozitiv në pagesën e dëmeve

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti ka thënë se bazuar në të dhënat e pranuara të datës 31 mars 2019, vlera e dëmeve të paguara bruto nga sektori i sigurimeve deri më këtë datë arrin në shumë prej 11 milion euro, që është vlerë e njëjtë e pagesës së dëmeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. “Dëmet e ndodhura të sektorit të sigurimeve me 31 mars 2019 janë në shumë prej 11.2 milionë euro që janë më të larta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 10.3 milionë euro. Shprehur në përqindje, raporti dëme/prime më 31 mars 2019 është 54.8%, që është më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 53.7%. Duke marrë parasysh treguesit e lartpërmendur, shihet se sektori i sigurimeve për tremujorin e parë të këtij viti ka rezultuar me një trend më pozitiv në pagesën e dëmeve, krahasuar me periudhën paraprake “ka thënë ai.

11,028,247 është shuma e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve gjatë tre mujorit të parë të vitit 2019, apo 7,4 % më e lartë se në periudhën e njëjte të vitit paraprak.

44,112,734 euro është shuma e dëmeve që kompanitë e sigurimeve kanë paguar vetëm gjatë vitit 2018. Në raport me vitin paraprak shuma e dëmeve të paguara ishte 1,2 për qind më e lartë.

Mbi 400 milionë euro është vlera e dëmeve të paguara nga industria e sigurimeve nga vitit 2002 deri në fund të tre mujorit të parë të vitit 2019.

Kushtetuesja shfuqizoi nenin diskriminues

Sami Mazreku, drejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës thotë se pas një punë të gjatë e të mundimshme, duke iu ofruar argumente të shumta e kanë bindur Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për shfuqizimin e paragrafin 1.7 i nenit 14 të Ligjit për Kryqin e Kuq të Kosovës, duke konsideruar  se është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Përmes këtij neni, vetëm kompanitë e sigurimeve në Kosovës kanë qenë të obliguara që nga 1 % të primit nga shitja e Policave të Sigurimit të ndajnë për Kryqin e Kuq të Kosovës .

Shfuqizimi i paragrafit 1.7 i nenit 14 të Ligjit për Kryqin e Kuq të Kosovës nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përfundimisht i ka dhënë fund diskriminimit ligjor që deri më tash është bërë ndaj industrisë së sigurimeve që operojnë në vendin tonë, e që pjesa dërmuese është me kapital të huaj. Sami Mazreku, drejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës thotë pas një punë të gjatë e të mundimshme, duke u ofruar argumente të shumta, i kanë bindur Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për shfuqizimin e paragrafin 1.7 të nenit 14 të Ligjit për Kryqin e Kuq të Kosovës, duke e konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Përmes këtij neni, vetëm kompanitë e sigurimeve në Kosovës kanë qenë të obliguara që nga 1 % të primit nga shitja e Policave të Sigurimit ta ndajnë për Kryqin e Kuq të KosovësPor, duke e konsideruar këtë nen si diskriminues, Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku, duke gjetur praktika të njëjta sikurse në Kosovës, i ka adresuar ankesat tek institucionet e vendit, e ku Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur në tërësi të pranueshme kërkesat, ku nenin në fjalë nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit e ka konsideruar si të pa vlefshëm.

Në vendimin e Gjykatës, i cili sot i është dërguar drejtorit të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, thuhet se Gjykata vendos ta shpall të pavlefshëm paragrafin 1.7 të nenit 14 të Ligjit për Kryqin e Kuq të Kosovës, duke konstatuar se nuk është në pajtueshmëri me nenin 24 (Barazia para ligjit), nenin 119 (Parimet e Përgjithshme) si dhe nenin 46 (Mbrojtja e Pronës) të Kushtetutës. Aty më tutje, në nenin III, thuhet se Gjykata vendos në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës që paragrafi 1.7 i nenit 14 të Ligjit për Kryqin e Kuq të Kosovës është i pavlefshëm nga dita e hyrjes në fuqi i këtij aktgjykimi.

Drejtori Mazreku thotë se më në fund po korrigjohet një padrejtësi dhe një diskriminim. “Ligji për kryqin e Kuq të Kosovës është identik me atë të shtetit të Kroacisë. Falë një angazhimi të madh unë u kam ofruar dëshmi të bollshme se një praktikë e tillë kohë më parë është cilësuar si antikushtetuese edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kroacisë. Nga sot, përfundimisht, kompanitë e sigurimeve do të trajtohen njëjtë si gjithë kompanitë tjera që operojnë në Kosovë”, ka thënë drejtori Mazreku.

RRITET PËR 82 % NUMRI I QYTETAREVE QË KANË SIGURUAR JETËN

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2019, numri i qytetareve që kanë siguruar jetën e tyre në dy kompanitë e sigurimit që e ofrojnë ketë shërbim është rritur për 82,73 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit që lamë pas. Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se  volumi i sigurimeve vullnetare po rritet nga dita në ditë.

Tregu i sigurimeve të jetës gjatë tre mujorit të parë të këtij viti ka pësuar një rritje të konsiderueshme, krahasuar me periudhat e njëjta të viteve të kaluara. Zhvillimi i vazhdueshëm i këtij sektori nga dy kompani që janë të licencuara për ofrim të produkteve të tilla nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka rritur tej mase interesimin e qytetareve për tu pajisur me policia të tilla kundrejt një çmimi minimal, i cili mund edhe të shërbej si kursim për gjeneratat e reja.

Bazuar në të dhëna zyrtare të BQK-së shihet se nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit mars volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës kapi shifrën 858,731 euro, duke shënuar një rritje në masën 22.55%, krahasuar me periudhën e njëjte të vitit paraprak.

Gjatë kësaj periudhe kohore, numri i kontratave në sigurimin e Jetës arriti në 3,051, duke shënuar një rritje rekorde në masën 82.37% krahasuar me janar-mars 2018. Po ashtu, dinamika e rritjes së numrit të kontratave ka vazhduar edhe gjatë muajit prill të këtij viti.

Rritje për 62,13 % edhe gjatë vitit 2018

Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë vitit 2018 kompanitë që e ofrojnë këtë produkt e kanë mbyllur vitin suksesshëm, duke shënuar rritje të konsiderueshme si në të hyra, ashtu edhe në realizim të numrit të kontratave të lidhura me qytetarë. Gjatë vitit 2018, volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës kapi shifrën 2,951,033 euro, duke shënuar një rritje në masën 16,73% krahasuar me janar – dhjetor 2017. “Numri i kontratave në sigurimin e Jetës arriti në 9,013 duke shënuar një rritje në masën 62.13% krahasuar me janar – dhjetor 2017. Gjatë kësaj periudhe janë paguar dëme më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit që lamë pas. Sami Mazreku, drejtor në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës thotë se tregu i sigurimeve në Kosovës po zhvillohet nga dita në ditë. Sipas tij, kompanitë e sigurimeve po zhvillojnë në masë të madhe produktet e sigurimeve vullnetare e që sipas tij janë shumë të rëndësishme për qytetaret e Kosovës. ​ Sipas tij, kundrejt​ një pagesë minimale të policës së sigurimit vullnetar, kompanitë e sigurimeve mbulojnë rreziqe të mëdha.

2,951,033 ka qenë vlera e primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës gjatë vitit 2018,duke shënuar një rritje në masën 16,73% krahasuar me janar – dhjetor 2017.

62,13% është rritur numri i kontratave në sigurimin e Jetës, duke shënuar një rritje në masën 62.13% krahasuar me janar – dhjetor 2017. Gjatë kësaj periudhe janë paguar dëme më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit që lamë pas.

“Nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit mars volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës kapi shifrën 858,731 euro, duke shënuar rritje në masën 22.55% krahasuar me periudhën e njëjte të vitit paraprak, “thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës.

“Numri i kontratave në sigurimin e Jetës arriti në 3,051, duke shënuar një rritje rekorde në masën 82.37% krahasuar me janar-mars 2018. Po ashtu, dinamika e rritjes së numrit të kontratave ka vazhduar edhe gjatë muajit prill të këtij viti, “thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]