Konferenca e parë ndërkombëtare e sigurimeve në Kosovë
Byroja Kosovare e Sigurimit me 28 mars 2013 ka organizaur konferencën e parë ndërkombëtare të sigurimeve në Kosovë. Objektivi kryesor i kësaj konference ka qenë diskutimi për Sistemin e Kartonit të Gjelbër dhe sfidat e anëtarësimit në Këshillin e Byrove. Po ashtu është adresuar edhe procesi i zhvillimit të tregut të sigurimeve në Kosovë dhe në rajon.
Konferenca është të organizuar në dy sesione. Në sesionin e parë janë mbajtur fjalime nga personalitete të njohura ndërkombëtare dhe vendase, ndërsa në sesionin e dytë është zhvilluar një diskutim nga paneli i përbërë nga ekspertë të ndryshëm të fushës së sigurimeve.
Në sesionin e parë të konferences një ligjeratë të rëndësishme e ka mbajtur Presidenti i Këshillit të Byrove, Maurius Wichtowski rreth mbrojtjes së klientëve dhe të paraqitjes së aspekteve të ndryshme të Sistemit të Kartonit të Gjelbër.
Nexhat Kryeziu, zëvendës-guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës në këtë konferencë ka referuar me temën “Industria e Sigurimeve në Kosovë – Sfidat dhe Mundësitë. Edhe zëvendës-ministri i Financave, Ramadan Avdiu, ka folur për rolin e madhe që ka industria e sigurimeve në zhvillimin financiar dhe ekonomik të një vendi.
Ndërkaq, Kryetari i Komitetit të Aplikimit të Këshillit të Byrove, Rudolf Elvers, ka ofruar një vështrim për vendet pretendente për anëtarësim në Këshillin e Byrove, rrjedhimisht për rrugën që duhet ndjekur anëtarët e rinjë me qëllim të plotësimit të kushteve financiare dhe teknike.
Poaq interesante ka qenë edhe ligjerata e Greet Flore, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Byrove, e cila ka prezantuar një pasqyrë të të gjitha misioneve të Këshillit të Byrove.
Në sesionin e dytë të konferences ndërkombëtare të sigurimeve në Kosovë është zhvilluar një diskutim nga paneli i përbërë nga ekspert vendas dhe ndërkombëtarë me tema që kishin të bënin drejtpërdrejt me gjetjen e mënyrave të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove dhe rrjedhimisht heqjen e policave të sigurimit kufitar, efektet që do të kishte mosaplikimi i sigurimit kufitar për kompanitë e sigurimeve dhe gjetja e formave të reja për zhvillimin e tregut të sigurimeve në Kosovë dhe në rajon.
Në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurimeve në Kosovë u nxorën këto konkluzione:
- Gatishmëria e Qeverisë se Republikës se Kosovës në përkrahjen e parezervë në rregullimin e ambientit ligjor me qëllim të harmonizimit me direktivat e BE, dhe dhënien e garancioneve të nevojshme për anëtarësim e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) në Këshillin e Byrove.
- Gatishmërin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në përkrahjen e BKS, për t’u anëtarësuar në Këshillin e Byrove.
- Përkrahja e Këshillit të Byrove për gjetjen e mundësive për anëtarësim dhe ndihmen për plotësimin e të gjitha kërkesave të domosdoshme për anëtarësim.
- Gatishmëria e kompanive të sigurimit në Kosovë për marrjen e përgjegjësive për t’u anëtarësuar në Sisitemin e Kartonit të Gjelbër, pra në Këshillin e Byrove.
- Dhe i fundit por jo nga rëndësia, Kosovës dhe qytetarëve të saj t’ju bëhet e mundshme një zgjidhje e përkohshme për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.