Aug 9, 2018

Konferencë për Shtyp 09.08.18

Kumtesë për Shtyp nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS)                          

 

I.        Byroja Kosovare e Sigurimit: Statusi juridik, përgjegjësitë, organet punëdrejtuese, mbikëqyrja e saj,

II.      Arsyeja e aplikimit/ Shitjes së policës kufitare,

III.    Veturat e pasiguruara/ Fondi i Kompenzimit,

-          Nevoja e Koordinimit ndër-institucional/ Vendime të ndryshme të MPB-së, komunave dhe institucioneve të tjera,

IV.    Çështja e Kartonit të Gjelbër,

V.     Rezultatet Financiare Janar - Qershor 2018 dhe 2017

VI.    Çështje tjera

Ndryshimet e nevojshme në legjislacion

 

  I.            Byroja Kosovare e Sigurimit: Statusi juridik, përgjegjësitë, organet punëdrejtuese, mbikëqyrja e saj

 

Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) është organizatë profesionale me cilësinë e personit juridik e themeluar për qëllime jofitimprurëse nga Kompanitë e Sigurimit të licensuara në Republikën e Kosovës dhe konform Ligjit mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, Kreu III, Neni 29. 

Qeveria e Republikës së Kosovës këtij institucioni i njeh statusin e Byrosë Nacionale të Sigurimit me të drejta të pakufizuara në cilësi të Byrosë paguese dhe Byrosë trajtuese, që garanton përmbushjen e të gjitha detyrimeve nga sistemi i kartonit ndërkombëtarë të sigurimit. Përndryshe, duhet potencuar se BKS nuk është institucion qeveritar që financohet nga buxheti i Republikës të Kosovës, por, financohet plotësisht nga Kompanitë e Sigurimit në Kosovë, të cilat funksionojnë si shoqëri tregtare, konform Ligjit mbi shoqëritë tregtare, Ligjin mbi Sigurimet, si dhe Ligjin mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Byroja Kosovare e Sigurimit dhe anëtarët sigurues të saj, konform ligjit i nënshtrohen mbikëqyrjes së Bankës Qëndrore të Kosovës (BQK).

Organet e drejtuese të Byrosë janë:

§  Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve, 

§  Këshilli Administrativ, si dhe

§  Drejtori Ekzekutiv.

Asambleja e Anëtarëve përbehet nga përfaqësues të kompanive të sigurimit të cilat operojnë në Kosovë kurse Këshilli Administrativ përbëhet prej gjashtë (6) anëtarëve, katër (4) anëtar të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme/përfaqësues të kompanive të sigurimit, Drejtori Ekzekutiv i Byrosë sipas detyrës zyrtare, si dhe një (1) anëtar pa të drejtë vote i zgjedhur nga BQK.

 

II.            Arsyet e aplikimit/Shitjes së policës kufitare

 

Polica e sigurimit kufitar ndërlidhet me sigurimin e detyrueshëm për automjete motorike të palës së tretë në kufijë të territorit të Kosovës për shoferët e automjeteve me regjistrime të huaja që nuk posedojnë një sigurim të tillë, duke u bazuar në Nenin 17 të Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia që thotë:

1. Drejtuesi i mjetit motorik me regjistrim të huaj i cili nuk ka një dokument ndërkombëtar të vlefshëm të sigurimit të autopërgjegjësisë sipas paragrafit 1. të nenit 16 të këtij ligji, është i detyruar të lidhë kontratë të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë të vlefshme në territorin e Republikës së Kosovës, me periudhë vlefshmërie jo më pak se pesëmbëdhjetë (15) ditë.

2. Byroja është kompetente për organizimin dhe zbatimin e sistemit të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë.

3. Kur drejtuesi i mjetit motorik nuk kontrakton sigurimin kufitar, sipas paragrafit 1. të këtij neni, nuk i lejohet hyrja me këtë mjet motorik në territorin e Republikës së Kosovës pa e përmbushur këtë detyrim.

4. Për përmbushjen e detyrimeve nga drejtuesit e mjeteve motorike me regjistrim të huaj sipas paragrafit 1. të këtij neni, përkujdesen personat e autorizuar për kontrollin e kufirit të Republikës së Kosovës.

Pra, arsyet për aplikimin/shitjen e polices së sigurimit kufitar janë se Republika e Kosovës nuk është anëtare e Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër, dhe si rrjedhojë, asnjë karton i gjelbër i cfarë do shteti tjetër në botë nuk vlen në Republikën e Kosovës, përveç Republikës së Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë, shtete me të cilat Kosova ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit për njohje reciproke të policës së Sigurimit.

Aplikimi i policës kufitare është bërë për arsye se operatorët/kompanitë e huaja të sigurimit në EU dhe jashtë saj, e përjashtojnë Kosovën nga mbulesa e tyre e sigurimit. 

Për të gjithë bashkëatdhetarët tonë dhe shtetasit e huaj që udhëtojnë për në Kosovë prej datës 17 Maj 2018 është ofruar shërbimi teknologjik për blerjen e policës kufitare përmes sistemit On-line. Qytetarët mund t’i qasen aplikacionit në mënyrë shumë të lehtë duke e vizituar web faqen e Byrosë dhe pas ndjekjes të kolonave udhëzuese që gjinden në të mundësohet blerja e policës kufitare On-line.

 

III.            Veturat e pasiguruara / Fondi i Kompenzimit

 

Fondi i Kompenzimit  financohet nga kompanitë e sigurimit dhe administrohet nga Byroja Kosovare e Sigurimit dhe ka për qëellim pagesën e dëmeve në territorin e Republikës së Kosovës, në rastet kur shkaktarët e aksidenteve janë të pasiguruar, kur shkaktarët e aksidenteve janë të paidentifikuar, si dhe në rastet kur shkaktarët e aksidenteve janë me regjistrim të huaj dhe ju ka skaduar sigurimi kufitar, të përcaktuara më në detaje në Nenet 18, 19, 20, 21, dhe 22 te Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Dëmet që vijnë nga kjo shkelje e ligjit janë shumë të mëdha, dhe përfshijnë shumë sfera:

§  Automjeti i paregjistruar, nënkupton që nuk e ka të kryer kontrollimin teknik të automjetit. Këto automjete paraqesin rrezik më të lartë për sigurinë në trafik,

§  Pengesë teknike për anëtarësim në Sistemin e Kartonit të Gjelbër,

§  Buxheti i Kosovës humb financiarisht nga mosinkasimi i tatimeve dhe taksave të regjistrimit,

§  Kompanitë e Sigurimit janë të penalizuara dyfish, pasi që, përpos mungesës të të hyrave nga sigurimi i këtyre automjeteve ato janë të obliguara me ligj që të kompensojnë palët e treta (viktima në aksident të shkaktuara nga këto automjete).

Në vijim është paraqitur tabela e cila pasqyron dëmet e paguara nga Fondi i Kompenzimit për periudhën 2010-2017:


 

Viti

Numri i dëmeve

Vlera e paguar EUR 

 

 

2010

2,255

3,253,561

 

 

2011

2,016

3,141,632

 

 

2012

2,139

3,500,529

 

 

2013

2,345

3,756,892

 

 

2014

1,891

2,793,903

 

 

2015

1,447

3,229,362

 

 

2016

1,546

3,336,484

 

 

2017

1,992

3,318,244

 

 

30.06.2018

811

1,511,830

 

 

TOTAL:

16,442

27,842,437

 

         

 

 

Numri i veturave të pasiguruara në trafik varësisht prej metodologjisë së përdorur nga ne në BKS varion mes 35,000-50,000 vetura.

Tutje, informacioni me sa vijon do t’i shërbente qytetarëve të Kosovës:

Pronarët e veturave të pasiguruara janë shkaktar të shumë aksidenteve që përfundojnë jo vetëm me dëme të mëdha materiale por edhe me fatalitet. Numri i të vdekurve të shkaktuar vetëm nga të pasiguruarit prej themelimit të Fondit të Kompenzimit është: 195.

Qytetarët duhet t’a kenë parasysh se gjobat e policisë janë shumë më të larta se vetë kostoja e sigurimit të automjetit. Poashtu, shkaktari aksidentit do të përballet fillimisht me gjobë nga Policia e Kosovës, gjoba të tjera nga Gjykatat e Kosovës deri te konfiskimi i pasurisë së patundshme për dëmin që e ka shkaktuar, dhe njëkohësisht Byroja konform ligjit ka të drejtë regresi për këto dëme ndaj personit përgjegjës/shkaktarit të aksidentit dhe atë për shumën e paguar, shpenzimet dhe kamatat e dalura për kërkesën e trajtuar/paguar ndaj palës të tretë.

 

Nevoja e Koordinimit ndër-institucional

Disa vendime të dalura nga MPB, komuna të ndryshme dhe institucione të tjera ndikojnë në mënyrë direkte apo indirekte në rritjen e numrit të automjeteve të pasiguruara. Ndërlidhja e inkasimeve të ndryshme tatimore dhe shërbimeve publike me regjistrimin e automjeteve p.sh. Pagesa e gjobave të trafikut, Pagesa e tatimit në pronë dhe shërbimeve komunale në disa komuna, ndikon në rritjen e veturave të paregjstruara, me ndikim negativ financiar në sektorin privat respektivisht Industrinë e Sigurimeve si dhe në masë të njejtë në buxhetin e shtetit për shkak të mosinkasimit të tatimeve dhe taksave te ndryshme gjatë regjistrimit të automjeteve. Institucionet publike duhet të gjejnë mekanizma tjerë të inkasimit të të hyrave të tyre.

Ne mendojmë që MPB/Drejtoria e Policise Rrugore të aplikojnë masa të parapara me Ligjin mbi Trafikun Rrugor lidhur me mosregjsitrimin e veturave. Njekohësisht, apelojmë edhe tek gjykatat që mos të prolongojnë procedurat ndaj shkaktarëve të këtyre aksidenteve sepse ndikojnë drejtëpërdrejtë në rritjen e numrit të veturave të pasiguruara.

Sa i përket afatit të regjistrimit të automjeteve propozojmë afat kohor prej shtatë (7) ditëve, pronarit të automjetit të cilit i ka kaluar regjistrimi që të vazhdoj regjistrimin apo të inicioj procedurën e ç’lajmërimit duke i dorëzuar targat e automjetit. Mosdorëzimi i targave të penalizohet financiarisht ashtu si në vende të ndryshme automjetet e pasiguruara të konfiskohen menjëherë.

Sa i përket lejimit të importimit të veturave të vjetra mbi dhjetë (10) vjet mendojmë se qarkullimi i automjeteve të tilla në Kosovë radhitet ndër faktorët kryesor të shkaktimit të aksidenteve, duke pasur parasysh gjendjen teknike të këtyre automjeteve si dhe kontrolli jo i duhur teknik që bëhet nepër mjaft qendra teknike. Vozitja në rrugë pa Kontrollin e duhur teknik të automjeteve dhe qarkullimi i lirë në trafik i automjeteve në gjendje jo të mirë teknike ndikojnë mjaft në rritjen e numrit të aksidenteve në trafik.

 

IV.            Çështja e Kartonit të Gjelbër

 

Përpjekjet e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Byrove (CoB) ka qenë një proces i gjatë, i cili është karakterizuar me sfida të ndryshme. Fillimisht nga Këshilli i Byrove (CoB) është kërkuar që Kosova duhet t’i plotësoj disa parakushte para se të filloj procedurat e aplikimit të saj në Këshillin e Byrove (CoB). Ndër parakushtet kryesore për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove (CoB) kanë qenë:

§  Aprovimi i Ligjit për Sigurime të Detyrueshme nga Autopërgjegjësia,

§  Themelimin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Qendrës Informative të Sigurimeve, si dhe

§  Fondin Garantues, në shumë prej 4 Mil Euro.


Theksojmë se kushtet e lartëcekura të kërkuara nga Këshilli i Byrove (CoB), Byroja Kosovare e Sigurimit i ka plotësuar dhe njëkohësisht ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Byrove (CoB) në vitin 2011. Mos anëtarësimi në OKB është barrierë kryesore në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove në Bruksel.

Së fundmi, Shoqata e Anëtarëve në Austri ka refuzuar ditë më parë që të marrë përsipër si mundësi alternative mbulueshmërinë me Sigurim të Kosovës duke e konsideruar si rrezik financiar për anëtarët e vet. Gjithashtu, duhet cekur se jemi në bisedime dhe në përpjekje për të  bërë Marrëveshje të Mirëkuptimit me Byronë Nacionale të Malit të Zi deri në fund të vitit, me qëllim eleminimin e pagesave të ndërsjella në pikat kufitare si dhe të aplikohet TPLPlus njejtë edhe për Malin e Zi ashtu siç vlen për Maqedoninë dhe Serbinë.

Fokus aktual është ulja e numrit të veturave të pasiguruara, si parakusht teknik anëtarësimin e Kosovës në sistemin e Kartonit të Gjelbër që në vendet e Unionit Europian nuk kalon 2%.

Poashtu, edhe angazhimi i Këshillit të Byrove në Bruksel është mjaft i lartë, që nga suporti në arritjen dhe implementimin e Memorandumeve të Mirëkuptimit me vendet fqinje e poashtu në rrugën drejt anëtarësimit në  Këshillin e Byrove.

 

V.            Rezultatet Financiare Janar - Qershor 2018 dhe 2017

Në vijim do t’i gjeni rezultatet financiare dhe vlerën e dëmeve të trajtuara/paguara nga BKS:

Gjashtë (6) mujori për vitin 2018:

§  Të hyrat nga primet e Sigurimit Kufitar për periudhën Janar - Qershor 2018 janë në vlerë prej  2,421,556Eur (pa TVSH).

§  Pagesa e dëmeve të paguara për periudhën Janar - Qershor 2018 kap vlerën 2,691,563 Eur.

§  Shpenzimet për këtë periudhë kanë qenë rreth 916,621 Eur, si dhe nëse marrim totalin dëme dhe shpenzime të tjera vlera ka qenë 3,608,184 Eur.

Tutje për vitin 2017:  

 

§  Të hyrat nga primet e Sigurimit Kufitar për vitin 2017 janë në vlerë prej 7,292,063 Eur (pa TVSH),

§  Pagesa e dëmeve të paguara në vitin 2017 kap vlerën 5,489,987 Eur.

§  Shpenzimet për vitin 2017 kanë qenë rreth 1,951,772 Eur, si dhe nëse marrim totalin dëme dhe shpenzime të tjera vlera ka qenë 7,441,759 Eur.

 

VI.            Çështje tjera

 

Ndryshimet e nevojshme në legjislacion

Diskutimet lidhur me ndryshimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave kanë përfunduar, por shihet si ndryshim imediat dhe i domosdoshëm që tatimi në të hyra (aktualisht 5%) që aplikohet për Industrinë e Sigurimit të zëvendësohet me aplikimin e tatimit në Korporata (aktualisht 10%); 

si dhe Ligji i Kryqit te Kuq Nr. 03/L-179:

Të shfuqizohet neni 14: që kompanitë e sigurimit gjatë sigurimit të detyrueshëm të automjeteve t’i paguajnë Kryqit të Kuq një përqind (1%) nga bruto primi i vlerës së sigurimit të automjetit. Nga kjo rezulton se Industrisë së Sigurimeve padrejtësisht i është aplikuar kjo taksë që në realitet nuk mund të zbatohet.

 

Copyright 2012, Byroja Kosovare e Sigurimit