Gjatë vitit 2019 pagesa e dëmeve rritet për 14,52%

Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti kompanitë e sigurimeve kanë paguar dëme në vlerë prej 41,404,988 euro, ose 14.52% më shumë se gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2018

iSIGURIME

Më shumë se 41 milionë euro dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimeve vetëm gjatë 10 muajve të parë të këtij viti, e që është më e larta që nga përfundimi i luftës e deri më tash. Referuar të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë periudhës janar-tetor 2019, janë paguar gjithsej 41,404,988 euro dëme, ose 14.52% më shumë se gjatë periudhës janar-tetor 2018. Drejtori Shoqatës së Sigurimeve Sami Mazreku ka thënë se nga muaji në muaj ka progres të vazhdueshëm në kompensimin sa më të shpejt të qytetarëve të përfshirë në aksidente komunikacioni. “Pagesa e dëmeve është prioritet i çdo kompanie të sigurimit që operojnë në vendin tonë. Po ashtu statistikat e 10 mujorit të parë të vitit 2019 tregojnë për progres të theksuar në këtë drejtim”, ka thënë Mazreku. Sipas tij, kompanitë e sigurimeve do të vazhdojnë kompensimin me ritëm të shpejtë të të gjithë atyre që janë dëmtuar gjatë një aksidenti në komunikacion.

Tregu rritet për 7,09 %

Më tutje, bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se gjatë periudhës janar-tetor 2019 tregu i sigurimeve ka pasur një rritje prej 7.09%. Gjatë kësaj periudhe kohore volumi i primeve të shkruara bruto në krahasim me periudhën paraprake është rritur me 5,568,262 euro, duke arritur shifrën 84,111,350 euro. “Numri i kontratave arriti në 1,011,198 duke shënuar një rritje me 11.07% krahasuar me periudhën janar – tetor 2018”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës.  Më tutje në raportin e BQK-së thuhet se gjatë 10 muajve të parë të këtij viti numri i dëmeve të paguara ka arritur në 111,775, nga të cilat 111,538 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 237 nga kompanitë e sigurimit të Jetës.

42,34 % rritet numri i kontratave për sigurimin e jetës

Referuar të dhënave të siguruara nga Banka Qendrore e Kosovës shihet se gjatë periudhës janar-tetor 2019 volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jo-Jetës kapi shifrën 81,259,715 euro, duke shënuar një rritje në masën 6.77% krahasuar me janar-tetor 2018. Sipas raportit, numri i kontratave në sigurimin e Jo-Jetës kapi shifrën 1,000,289, duke shënuar një rritje në masën 10.80% krahasuar me janar-tetor 2018. “Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës kapi shifrën 2,851,635 euro, duke shënuar një rritje në masën 17.23% krahasuar me janar-tetor 2018. Numri i kontratave në sigurimin e Jetës arriti në 10,909, duke shënuar një rritje në masën 42.34% krahasuar me janar-tetor 2018”, thuhet në raport.

> 7,09 % është rritur tregu i sigurimeve gjatë periudhës janar–tetor 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

> 5,568,262 euro është rritur volumi i primeve të shkruara bruto në krahasim me 10 muajt e parë të vitit 2018.

> 84,111,350 euro ka arritur volumi i primeve të shkruara bruto në fund të muajit tetor të vitit 2019.

> 1,011,198 ka arritur numri i kontratave deri në fund të muajit tetor të këtij viti.

> 11,07 % është rritur numri i kontratave, nëse e bëjmë një krahasim me dhjetë muajt e parë të vitit paraprak.

> 41,404,988 euro është shuma e dëmeve që janë paguar gjatë periudhës janar-tetor 2019.

> 14.52% është rritur pagesa e dëmeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

> 111,775 është numri i dëmeve që kompanitë e sigurimeve kanë paguar gjatë 10 muajve të parë të këtij viti.

> 10,909 ka arritur numrin i kontratave në sigurimin e jetës në fund të muajit tetor të vitit 2019.

> 42,43 % është rritur numri i kontratave për sigurimin e jetës gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti nëse bëjmë një krahasim me 10 muajt e parë të vitit 2018. (Shoqata e Sigurimeve e Kosovës)

 

Gjysmë miliardë euro dëme të paguara nga sigurimet

Gati gjysmë miliardë euro ka arritur shuma e dëmeve që kompanitë e sigurimeve që operojnë në vendin tonë kanë paguar gjatë 19 viteve sa operojnë në tregun kosovar. Bazuar në statistika zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet se pagesa e dëmeve nga viti në vit është duke u rritur dukshëm. Sami Mazreku, drejtor në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës thotë se pagesa e dëmeve është prioritet kryesor i industrisë së sigurimeve në Kosovë.

 iSIGURIME

Kompanitë e sigurimeve që operojnë në tregun kosovar, pavarësisht situatës së rëndë më të cilën ato janë ballafaquar, sidomos gjatë viteve të fundit, për shkak të numrit të madh të aksidenteve të shkaktuara nga automjetet e pa siguruara, kanë arritur të paguajnë dëme ndaj qytetarëve në shumë prej rreth gjysmë miliardë euro. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në konferencën e organizuar për nder të 20 vjetorit të themelit të BQK-së, ka thënë se sektori sigurimeve ka treguar aftësi të kënaqshme për të mbuluar obligimet ndaj mbajtësve të policave të sigurimit. Po ashtu, edhe drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, thotë se pagesa e dëmeve me kohë sa më të shpejt ka qenë dhe mbetet prioritet kryesor i kompanive.

 Guvernatori: Kompanitë e sigurimeve kanë treguar aftësi të kënaqshme për të mbuluar obligimet ndaj mbajtësve të policave

 Fehmi Mehmeti, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, thotë se te industria e sigurimeve po vërehet një trend më pozitiv në pagesën e dëmeve, krahasuar me periudhën paraprake. Guvernatori Mehmeti po ashtu në konferencën e organizuar për nder të 20 vjetorit të themelit të BQK-së ka thënë se sektori i sigurimeve është rritur në vazhdimësi dhe ka treguar aftësi të kënaqshme për të mbuluar obligimet ndaj mbajtësve të policave të sigurimit.

Mazreku: Pagesa e dëmeve prioritet i kompanive

Sami Mazreku, drejtor në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës thotë se pagesa e dëmeve është prioritet kryesor i industrisë së sigurimeve në Kosovë. Më tutje Mazreku thotë se pagesa e dëmeve është bërë në vazhdimësi me kohë, pavarësisht problemeve më të cilat është ballafaquar industria, sidomos gjatë viteve të fundit. Ai më tutje thotë se rritja e vazhdueshme e aksidenteve sidomos nga automjetet e pasiguruara ka sjellë probleme në industri. Por, sipas tij, pavarësisht të gjitha këtyre, kompanitë në vazhdimësi kanë rritur pagesat për dëmet e shkaktuara në aksidente komunikacioni. “Nëse u referohemi të dhënave zyrtare shihet se gjatë 10 mujorit të parë të këtij viti të gjitha të hyrat e kompanive janë 73,2 milionë euro, derisa në këtë periudhë dëme janë paguar më shumë se 41 milionë euro. Kjo flet shumë! Pra më shumë se 50 % të të hyrave janë destinuar për pagesa të dëmeve”, ka thënë Mazreku.

 Pagesat e dëmeve ndër vite

Gjithnjë  duke u bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet se gjatë 10 muajve të parë të vitit 2019 të gjitha kompanitë e sigurimeve që operojnë në vendin tonë kanë paguar dëme prej 41 milionë euro. Gjatë vitit 2018 kompanitë e sigurimeve kishin paguar dëme prej 42,7 milionë euro, derisa gjatë vitit 2017 shuma e dëmeve të paguara kishte arritur 42,1 milionë euro. Në vitin 2016 dëmet e paguar kishin arritur në 36,8 milionë euro, në vitin 2015 ato kishin arritur në 36,9 milionë euro deri sa në vitin 2014 shuma e dëmeve të paguara kishte arritur në  31,1 milionë euro. Sipas statistikave zyrtare të BQK-së në vitin 2013 shuma e dëmeve të paguara kishte arritur në 38,4 milionë euro, në vitin 2012 30,5 milionë euro, në vitin 2011 26,8 milionë euro si dhe në vitin 2010 dëmet e paguara nga industria e sigurimeve kishin arritur vlerën në 26,5 milionë euro. Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna zyrtare shihet se në fund të vitit 2009 shuma e dëmeve të paguara nga industria e sigurimeve ka arritur vlerën në 18,8 milionë euro, derisa në fund të vitit 2008 shuma e dëmeve të paguara kishte arritur në 17,6 milionë euro. Pavarësisht të hyrave jo të larta një shumë e konsiderueshme e mjeteve në emër të dëmeve është paguar edhe vitin 2007, e cila sipas të dhënave të siguruara nga BQK-ja kishte arritur në 12,8 milionë euro. Po ashtu, në vitin 2006 ishin paguar dëme në vlerë prej 10,9 milionë euro, në vitin 2005 ishin paguar dëme në vlerë prej 9,1 milionë euro, në vitin 2004 në vlerë prej 6,7 milionë euro, në vitin 2003 janë paguar dëme në vlerë prej 5,5 milionë euro, deri sa në fund të vitit 2002 ishin paguar dëme në vlerë prej 3,5 milionë euro. (Shoqata e Sigurimeve e Kosovës)

 

Mazreku: Viti 2019 shënoi kthesë pozitive për industrinë e sigurimeve të Kosovës

Shfuqizimi i nenit diskriminues në Ligjin për Kryqin e Kuq nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, miratimi i Ligjit mbi të Ardhurat e Korporatave në Kuvendin e Kosovës, si dhe lejimi i rritjes së çmimit të sigurimeve për automjetet janë tri arriturat më të mëdha për industrinë e sigurimeve për vitin 2019 që vlerësohen nga drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku

iSIGURIME

Tri vendime të mëdha janë marrë gjatë vitit 2019 për industrinë e sigurimeve të Kosovës, të cilat i kanë dhënë kthesë pozitive këtij sektori. Kështu vlerëson në një intervistë drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, duke përmendur shfuqizimin e nenit diskriminues në Ligjin mbi Kryqin e Kuq nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, miratimin e Ligjit mbi të Ardhurat e Korporatave në Kuvendin e Kosovës, si dhe vendimi për rritjen e çmimit të sigurimeve të automjeteve.

“Viti 2019 ka qenë vit i kthesës pozitive për industrinë e sigurimeve të Kosovës, pasi është shfuqizuar neni diskriminues i Ligjit mbi Kryqin e Kuq të Kosovës nga Gjykata e Kushtetuese, është miratuar në Kuvendin e Kosovës Ligji mbi të Ardhurat e Korporatave, si dhe BQK-ja u ka lejuar kompanive të sigurimeve rritjen e çmimit të sigurimit të automjeteve”, ka pohuar Mazreku.

 Shfuqizimi i nenit diskriminues nga Kushtetuesja

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, sqaron se në mars të këtij viti Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shfuqizoi paragrafin 1.7 të nenit 14 të Ligjit mbi Kryqin e Kuq të Kosovës, pasi që konstatoi se është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. “Një vendim të tillë Kushtetuesja e ka marrë pas ankesës time si drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, duke u ofruar dëshmi të bollshme se një praktikë e tillë kohë më parë ishte cilësuar si antikushtetuese edhe nga Gjykata e Kroacisë”, thotë Mazreku.

Sipas tij, përmes këtij neni, të cilin në mars të këtij viti e ka shfuqizuar Kushtetuesja, kompanitë e sigurimeve kanë qenë të obliguara që nga 1 për qind e primit nga shitja e Policave të Sigurimit t’i ndajnë për Kryqin e Kuq të Kosovës. Por, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim duke vlerësuar se ky Ligj nuk është në pajtueshmëri me nenin 24 (Barazia para ligjit), nenin 119 (Parimet e përgjithshme), si dhe nenin 46 (Mbrojtja e pronës) të Kushtetutës. “Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e ka korrigjuar një padrejtësi dhe një diskriminim që i është bërë industrisë së sigurimeve në vend”, thotë Mazreku.

 Miratimi i Ligjit mbi të Ardhurat e Korporatave

Disa muaj pas shfuqizimit në nenit diskriminues mbi Kryqin e Kuq të Kosovës, Kuvendi i Kosovës në korrik të vitit 2019 ka miratuar Ligjin mbi të ardhurat e Korporatave. Sipas Mazrekut, me miratimin e këtij Ligji i është dhënë fund diskriminimit disa vjeçar të industrisë së sigurimeve të Kosovës, me ç’rast është hapur një etapë të re për këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. “Industria e sigurimeve të Kosovës me vite të tëra është detyruar të paguaj tatim në qarkullim ekstra prej 5 për qind, pagesa e të cilit vlerësohet se i ka dëmtuar kompanitë e sigurimeve membi  60 milionë euro.Vlen të theksohet se një tatim i tillë nuk e ka paguar asnjë biznes tjetër në Republikën e Kosovës, përpos kompanive të sigurimeve”, ka potencuar Mazreku.Ai ka shtuar se Shoqata e Sigurimeve e Kosovës vazhdimisht ka avokuar tek institucionet kompetente të Republikës së Kosovës se kompanitë e sigurimeve ishin të vetmet biznese që kanë qenë të diferencuara në kuptim të tatimit që i janë nënshtruar, përkatësisht në primet bruto të grumbulluara dhe jo në fitimet e deklaruara, siç ka ndodhur rëndom me të gjitha bizneset tjera në Republikën e Kosovës.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kuptuan qartë mesazhin tonë dhe në seancën e mbajtur në pjesën e parë të muajit korrik 2019, përfundimisht e korrigjuan një defekt ligjor, i cili e ka dëmtuar në masë të madhe industrinë e sigurimeve të Kosovës”, shprehet Mazreku.

Rritja e çmimit të sigurimeve i mbron polisëmbajtësit

Në tetor të vitit 2019, Banka Qendrore e Kosovës ua ka lejuar kompanive të sigurimeve që ta rrisin shumën e sigurimeve prej 26.5 %, ndonëse kërkesa e industrisë ishte më e lartë.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku, ka thënë në RTK se kërkesa për rritje të çmimit nga kompanitë e sigurimeve ka ardhur për shkak të shumë faktorëve. Sipas tij: “Nga viti 2001 nuk ka pasur rritje të çmimit. Sot kemi shumë vetura, deri tani kanë vdekur mbi 2500 persona, është rritur numri i veturave, kompanitë nuk i marrin të gjitha mjetet, janë taksat, është bonus-malus që nga viti në vit i marrin të siguruarit. Kemi paguar 400 milionë euro dëme, kemi paguar rreth 40 milionë euro për veturat e  pa siguruara. Kompanitë e sigurimeve kanë paguar 100 milionë euro tatime që ka qenë e padrejta”, tha Mazreku në INFO 3 Live në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), duke shtuar se rritja e çmimeve të sigurimeve i mbron polisëmbajtësit. (Shoqata e Sigurimeve e Kosovës)

 

 

Guvernatori: Do ta ulim numrin e automjeteve të paregjistruara

Përmes ndryshimit të rregulloreve, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK),  Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar angazhim maksimal të institucionit që ai drejton për të ulur numrin e automjeteve të pasiguruara në vend. Sipas të dhënave jo zyrtare numri i automjeteve të paregjistruara në vendin tonë llogaritet të jetë mbi 20 %, që konsiderohet si pengese serioze për anëtarësimin e Kosovës në Byronë e Kartonit të Gjelbër.

iSIGURIME

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar se nga 1 janari i vitit që vjen BQK-ja do të angazhohet në tërësi për të ulur numrin e automjeteve të paregjistruara në vendin tonë e cila sipas të dhënave jo zyrtare llogaritet të jetë mbi 20 %. Numri kaq i madh i automjeteve të pa siguruar në vend përpos që i ka sjellë dëme të konsiderueshme shtetit, njëkohësisht u ka shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe kompanive të sigurimit, të cilat janë detyruar dhe po detyrohen të paguajnë shuma të konsiderueshme të mjeteve për aksidentet që kanë shkaktuar ato në komunikacion. Gjithashtu, numri i madh i automjeteve të paregjistruara edhe më tutje vazhdon të konsiderohet si pengesë serioze e Kosovës për anëtarësimin në Byronë e Kartonit të Gjelbër.

Sektori i sigurimeve vazhdoi ta rrisë aktivitetin sigurues

Sipas guvernatorit, sektori i sigurimeve vazhdoi ta rrisë aktivitetin sigurues, si dhe kompensimin e dëmeve për të siguruarit. Gjithsej vlera e shkruar e primeve nga kompanitë e sigurimeve deri në shtator 2019 ishte 74 milion euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 7.1%. “Në anën tjetër, vlera e dëmeve të paguara arriti në 37.9 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore  prej 7.3%. Raporti ndërmjet dëmeve të paguara dhe primeve të pranuara arriti në 51.2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur ky raport ishte 51.1. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës po angazhohet në vazhdimësi për të siguruar trajtimin korrekt të dëmeve nga kompanitë e sigurimeve”, ka thënë më tutje ai.

Tarifat u përshtatën

Më tutje guvernatori ka sqaruar se me qëllim të mbrojtjes së palëve të dëmtuara prej të siguruarve nga auto-përgjegjësia dhe krijimit të kushteve të nevojshme për zhvillim të qëndrueshëm të sektori të sigurimeve, BQK-ja ka përshtatur tarifat e Kategorisë I për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia ndaj palës së tretë të cilat ishin të pandryshuara që nga vitit 2001. “Studimi aktuarial nga kompanitë e sigurimit, ka sugjeruar për rritje të tarifave të Kategorisë I (automjete me pasagjerë) për 36.56%. Megjithatë, BQK në vlerësimin e saj ka identifikuar disa faktorë të cilët nuk janë reflektuar plotësisht në raportin aktuarial, prandaj edhe ka refuzuar kërkesën e kompanive të sigurimit për ndryshim të tarifave duke u bazuar në atë raport, por në të njëjtën kohë ka vlerësuar se kompanive të sigurimit duhet t’u mundësohet përshtatja e tarifave të Kategorisë I për shkallën e inflacionit të ndodhur gjatë periudhës 2002-2018, i korrigjuar për ndryshimet e reflektuara me Ligjin për të Ardhurat e Korporatave, në mënyrë që këto tarifa të sigurimit të reflektojnë sa më mirë kushtet aktuale të ekonomisë”, ka thënë më tutje ai. ( Shoqata e Sigurimeve e Kosovës)

 

Aprovohet plani i Shoqatës për vitin 2020

Shoqata e Sigurimeve e Kosovës, të mërkurën ka mbajtur takimin e fundit me drejtues të kompanive të sigurimit në vend, ku gjatë këtij takimi është aprovuar plani financiar dhe i punës për vitin 2019, si dhe është aprovuar plani financiar dhe i punës për vitin 2020.

Gjatë takimit përfaqësues të kompanive të sigurimit në vend kanë falënderuar Shoqatën e Sigurimeve për punën që kanë bërë gjatë vitit 2019 në promovimin e sektorit,  si dhe i kanë dhënë mbështetje të plotë për implementimin e aktiviteteve për vitin 2020.

Edhe drejtori i Shoqatës z.Sami Mazreku ka falënderuar drejtuesit e kompanive për mbështetjen e vazhdueshme që ua kanë dhënë.

Mazreku po ashtu ka falënderuar edhe Bankën Qendrore të Kosovës për mbështetje të vazhdueshme.

Në takim ka marrë pjesë edhe zëvendësguvernatori i BQK-së z. Sokol Havolli i cili po ashtu i ka ofruar mbështetje Shoqatës. / Shoqata e Sigurimeve e Kosovës /

Rreth Nesh

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Adresa

Rruga: Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë-Fushë 038 603 059 [email protected]