U.D. Drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit Sami Mazreku ka takuar Avokatin e Popullit Naim Çelaj.
Në takim, është diskutuar lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve të Republikës së Kosovës në aspektin e heqjes së kushtëzimeve kundërkushtetuese në procedurën e regjistrimit të mjeteve motorike. / Byroja Kosovare e Sigurimeve /
Kosova dhe Shqipëria shumë shpejt do të kenë marrëveshje të re për trajtimin dhe pagesën e dëmeve në fushën e sigurimeve. U.D Drejtori Ekzekutiv i BKS-së (Byroja Kosovare e Sigurimeve) Sami Mazreku në ambientet e BSHS-së në Tiranë ka takuar drejtoreshën ekzekutive të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve(BSHS) zonjën Anila Hoxha.
Në takim është diskutuar për nënshkrimin e marrëveshjes së re Kosovë-Shqipëri, e cila ka qëllim trajtimin dhe pagesën e dëmeve sipas MOU-së mes dy shteteve dhe trajtimin mbylljen e detyrimeve të vjetra mes të dy vendeve duke u bazuar edhe në marrëveshjen e re që është nënshkruar në mes të BQK dhe AMF.
Ndryshe Marrëveshja e vjetër ishte e vitit 2006. / Byroja Kosovare e Sigurimeve /
Byroja Kosovare e Sigurimeve ka pasur rënie të të hyrave për 64%, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Byrosë, Sami Mazreku. Madje ai tha se e ka gjetur Byronë në një gjendje jo të mirë financiare. Tutje, ai theksoi se sektorin i sigurimeve ka një rënie prej 30% të të hyrave, që i bie se këtë kanë inkasuar rreth 4.2 milionë euro më pak. Mazreku thotë se dëmet e paguar kapin shifrën e 4.7 milionë eurove. “Në përgjithësi në komplet sektorin e sigurimeve kemi një rënie prej 30% kurse sa i përket Byrosë është 63.3% që i bie që Byroja këtë vit ka inkasuar rreth 4.2 milionë euro më pak. Kurse në anën tjetër në të njëjtën kohë duke filluar nga janari i këtij viti dhe deri më tash kemi pagur dëmet prej 4.7 milionë euro. Nuk është që ka pasur aksidente më pak, por ka pasur të hyra më pak. Që nga data 20 korrik është nënshkruar edhe marrëveshja ndërmjet Byrosë, Bankës Qendrore, ministrisë së Financave për subvencionimin e policave për bashkatdhetarë”.
“Mirëpo edhe aty i kemi disa pengesa teknike të cilat po mundohemi që së shpejti ti tejkalojmë sepse deri te pagesa e faturës nga thesari kalon nëpër një zinxhir ku fillon nga Byroja dhe pastaj në zyrën e Ministrisë së Punëve të brendshme dhe pas kompletimit të kësaj procedure në fund dërgohet një faturë te thesari i shtetit në mënyrë që dëmet të paguhen me kohë. Po mundohemi që brenda afateve ligjore t’i përmbushim obligimet që i kemi ndaj atyre që kanë arritur marrëveshje për pagesë”.
Mazreku tha se Byroja nuk ka qenë asnjëherë në një situatë më të keqe se tani. Megjithatë, ai shtoi se të hyrat e policave varen nga bashkatdhetarët, sepse nëse vazhdohet në këtë formë pasojat do të jenë më të mëdha.
“Ne ende nuk e dimë a do ta kemi një valë të dytë të mbylljes kështu që parashikimet mund të mos jenë të sakta, mirëpo Byroja nuk ka qenë asnjëherë në një situatë më të keqe se tani. Byroja nuk ka vonuar asnjëherë pagesën e dëmeve. Tash për shkak të anës financiare do të obligohemi të kemi takime më të shpeshta dhe të kërkojmë mirëkuptim derisa të tejkalohet kjo situatë”.
“Edhe sa isha në pozicionin e drejtorit të shoqatës së sigurimeve kemi pasur shumë kampanja, kemi bërë shumë ndryshime ligjore që ta lehtësojmë procedurën e shitjes së sigurimeve e cila ka afektuar pozitivisht. Komplet të hyrat e policave varen nga bashkatdhetarët, unë pres që kësaj pandemie t’i vije fundi dhe t’i kthehemi normalitetit sepse në këtë formë nëse vazhdohet gjatë pasojat do të jenë më të mëdha”.
Sipas tij, fokusi kryesor do të jetë ulja e shpenzimeve operative dhe pagesa e dëmeve.
Ai thotë se në këtë kohë u duhet fondi i kompensimit përmes të cilit paguhen dëmet pa sigurim.
“Si ushtrues detyre i Byrosë fillimisht kam bërë një plan dinamik të riorganizimit të Byrosë. Uljen e shpenzimeve operative. Fokus kryesor do të jetë pagesa e dëmeve, mënyra financiare. Unë besoj që bashkatdhetarët do të fillojnë të vijnë. Në anën tjetër fondi i kompensimit në kuadër të Byrosë financohet nga kompanitë e sigurimeve dhe fatmirësisht ajo çka na ndihmon në këtë kohë është që nuk kemi problem shtesë. Në fond të kompensimit paguhen dëmet pa sigurim dhe ai fond financohet nga të hyrat e kompanive të sigurimeve. Unë pres që nuk do të jetë e lehtë. Është kogja sfiduese”.
Ai tha se ka pasur takime dhe ka kërkuar disa lehtësira sa i përket konfirmimit të polisave kufitare.
Ai ka konfirmuar se ka kërkuar edhe takim me kryeministrin Avdullah Hoti që të bëhen disa lehtësime që mimimalisht pagesa e cila subvencionohet nga Thesari.
“Kemi pasur disa takime dhe kemi kërkuar disa lehtësira sa i përket konfirmimit të polisave kufitare. Na është shfaqur një problem. Çdo listë që e dërgojmë te ministria e punëve të brendshme sipas marrëveshjes që është nënshkruar thuhet që MPB-ja obligohet mi konfirmuar në data-bazën e Policisë se a kanë kaluar apo nuk kanë kaluar nëpër këtë data-bazë. Mirëpo një pjesë e madhe e qytetarëve me patjetër për të shkuar në kufi për të vazhduar sigurimin”.
“Ata mund të vijnë në zyrën qendrore dhe assesi nuk e kanë obligative për të kaluar në kontrollin e kamerave që ajo të konfirmohet. Kjo na ka vonuar pagesën e disa faturave që besoj se do ta tejkalojmë së shpejti dhe jemi tu prit të mbajmë edhe një takim me kryeministrin Hoti që të bëhen disa lehtësime që mimimalisht pagesa e cila subvencionohet nga thesari mos të vonohet sepse edhe ashtu janë shuma jo të mëdha, mirëpo me ato mjete ne i paguajmë dëmet dhe shpenzimet mujore që i ka Byroja dhe të mos rritet më shumë dëmi financiar”. / Byroja Kosovare e Sigurimeve /
Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se vetëm gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti kompanitë e sigurimeve, por edhe Byroja Kosovare e Sigurimeve kanë paguar dëme në vlerë prej 35 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak shihet se pagesa e dëmeve është më e lartë për 0,64 %, raporton “iSIGURIME”.
Vetëm gjatë nëntë majave të parë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kompanitë e sigurimeve kanë paguar dëme hiç më pak se 35 milionë euro. Pagesa e dëmeve të paguara ndaj qytetareve edhe më tutje vazhdon të jetë e madhe, pavarësisht problemeve të mëdha me të cilat janë ballafaquar kompanitë e sigurimeve si pasojë e pandemisë COVID-19. Krahasuar me të dhënat e muajit gusht të vitit 2019, shihet se shuma e dëmeve të paguara thuajse është e njëjtë më demet e paguara gjatë muajit gusht të këtij viti.
Dëmet e paguara për çdo muaj
Në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës konstatohet se gjatë muajit shtator janë paguar rreth 4 milionë euro dëme, në muajin gusht janë paguar dëme në vlerë prej 3,8 milionë euro, ndërsa në korrik të këtij viti kompanitë e sigurimeve kanë paguar dëme në vlere prej mbi 4,8 milionë euro. Duke i krahasuar me muajt paraprak të këtij viti, vlera e dëmeve dallon nga muaji në muaj, gjatë qershorit në emër të dëmeve kompanitë e sigurimeve kanë paguar 3,8 milionë euro, gjatë majit janë paguar 1,4 milionë euro, në prill janë paguar 3,1 milionë euro, në mars 3,1 milionë euro, në shkurt 4,1 milionë euro, si dhe në muajin janar shuma e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve ishte 5,5 milionë euro, apo gati 100 % më e lartë sesa ishte në muajin e njëjtë në vitin paraprak.
Dëmet e paguara nga viti 2000 e deri më tash
Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së të cilat i ka siguruar ‘iSIGURIME’, nga viti 2000 e deri më tash kompanitë e sigurimeve kanë paguar hiç më pak se 500 milionë euro dëme. Duke u mbështetur në këto të dhëna shihet se gjatë 9 mujorit të parë të këtij viti nga kompanitë e sigurimeve janë paguar mbi 35 milionë euro, gjatë vitit 2019 janë paguar 50 milionë euro, gjatë vitit 2018 janë paguar 42,7 milionë euro, gjatë vitit 2017 janë paguar 42,1 milionë euro, gjatë vitit 2016 janë paguar 36,5 milionë euro, gjatë vitit 2015 janë paguar 37 milionë euro, gjatë vitit 2014 janë paguar 31.1 milionë euro. Po ashtu, në vitin 2013 janë paguar 38,4 milionë euro, në vitin 2012 janë paguar 30,5 milionë euro, në vitin 2011 janë paguar 26,8 milionë euro, në vitin 2010 janë paguar 26,5 milionë euro, në vitin 2009 janë paguar 18,8 milionë euro, në vitin 2008 janë paguar 17,7 milionë euro, në vitin 2007 janë paguar 12,8 milionë euro, në vitin 2006 janë paguar 10,9 milionë euro, në vitin 2005 janë paguar 9,1 milionë euro, në vitin 2004 janë paguar 6,7 milionë euro, në vitin 2003 janë paguar 5,5 milionë euro, në vitin 2002 janë paguar 3,5 milionë euro si dhe në vitin 2000 janë paguar 2,6 milionë euro dëme. / Byroja Kosovare e Sigurimeve /
Më shumë se 2 milionë euro është shuma e dëmeve të paguara deri më tash nga aksidentet që kanë shkaktuar automjetet e pa siguruara të cilat janë pronë e kompanive private në vend, por edhe e Institucioneve të Republikës së Kosovës. Por, një shumë tjetër e konsiderueshme e dëmeve të shkaktuara po nga këto automjete është duke u trajtuar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), por edhe Institucionet e Drejtësisë në vend.
Sami Mazreku, u.d i drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve thotë se është shqetësues numri aq i madh i automjeteve të pa siguruara që janë pronë e kompanive private e Institucioneve të shtetit e që qarkullojnë lirshëm pa sigurim. “Këto automjete përpos që paraqesin rrezik serioz për pjesëmarrësit në komunikacion, pasi që të njëjtat nuk iu janë nënshtruar kontrollit teknik, të njëjtat shkaktojnë dëme të mëdha si për vetë shtetin, ashtu edhe për kompanitë e sigurimeve. Në bazë të dhënave zyrtare që ne kemi shihet se kamnionë dhe automjete tjera të kompanive të mëdha kosovare kanë shkaktuar aksident, deri sa atyre kishte kohe që iu kishte skaduar polica e sigurimit. Njëjtë është edhe më shumë automjete, të cilat janë pronë e Institucioneve të Kosovës. Për ne kjo është shumë shqetësueses, pasi që fenomeni tillë është në rritje e sipër” ka dhënë Mazreku. Sipas tij, është momenti i fundit kur të gjitha Institucionet duhet të bashkohen dhe të angazhohen për të ulur numrin e automjeteve të paregjistruara e cila është para kusht për anëtarësimin e Kosovës në Byronë e Kartonit të Gjelbër.
Më tutje Mazreku tregon se bazuar në të dhënat që ata posedojnë vlera e demit të shkaktuara nga automjetet e pa siguruara që janë pronë e kompanive private, por edhe Institucioneve të Kosovës e që janë paguar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve nis prej 100 euro e kalon mbi 110 mijë euro. Por, sipas tij, në këtu nuk përfshihen edhe demet që janë në trajtim dhe ato që janë nëpër procese gjyqësore.
Më tutje Mazreku thotë se përveç bizneseve shqetësues është fakti edhe numri i madh i automjeteve të pa siguruara që janë në pronësi private të qytetareve të Kosovës.
“ Rreth 20 milionë euro është shuma e dëmeve që kanë shkaktuar këto automjete. Kjo shumë është tepër e madhe dhe mundem më thënë edhe e pa përballueshme nga kompanitë e sigurimeve, pasi që kompanitë demin duhet të paguajnë në një periudhë të shkurtë kohore deri sa rimburismi i demit thuajse është në pikën zero” ka bërë të ditur më tutje Mazreku.
Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.